Vdekja e biznesmenit italian në klinikën private në Tiranë/ Nisin hetimet për kirurgun dhe dietologen

2026-02-07 10:57:59 / AKTUALITET ALFA PRESS

Vdekja e biznesmenit italian në klinikën private në Tiranë/

Një udhëtim shëndetësor që kishte si qëllim humbjen e peshës përfundoi tragjikisht për Massimo Ferro, 54 vjeç, sipërmarrës nga Camposampiero i Italisë, i cili humbi jetën më 22 dhjetor 2025 në Shqipëri, pas një ndërhyrjeje kirurgjikale për zvogëlimin e stomakut.

Pas vitesh dietash pa sukses, Ferro kishte vendosur t’i besonte një klinike private në Milano, e cila i kishte propozuar kryerjen e operacionit në Tiranë, në një strukturë private të lidhur me klinikën italiane, me një kosto prej 4.400 euro, shumë më e ulët krahasuar me rreth 15 mijë eurot që kërkoheshin në Itali.

Sipas mediave italiane, për të sqaruar rrethanat e vdekjes, Prokuroria e Padovës ka regjistruar në listën e personave nën hetim kirurgun Andrea Formiga dhe dietologen Alessandra Freda, të dy nga Lombardia. Autopsia mbi trupin e 54-vjeçarit pritet të kryhet të hënën në Padova, nga mjeku ligjor Antonello Cirnelli, i ngarkuar nga prokuroria.

Sipas hetimeve paraprake, kontakti mes Ferro-s dhe kirurgut ishte vendosur përmes mesazheve në WhatsApp, ku ishin diskutuar informacionet mjekësore, kostot dhe organizimi i udhëtimit. Edhe pse pacienti vuante nga diabeti i tipit II dhe peshonte 108 kilogramë, ndërhyrja u planifikua për 18 dhjetor, ndërsa analizat para-operative, të papërfunduara në Itali, u kryen vetëm një ditë para operacionit në Tiranë.

Familjarët e viktimës, përmes avokatëve Stefano Squarise dhe Jenny Lopresti, kanë denoncuar se nuk janë respektuar protokollet italiane dhe ndërkombëtare për kirurgjinë e obezitetit, duke theksuar se udhëzimi i vetëm i dhënë pacientit kishte qenë të mos konsumonte ushqim që nga mbrëmja para ndërhyrjes.

Massimo Ferro kishte mbërritur në Tiranë më 17 dhjetor, së bashku me bashkëshorten e tij, Romina. Operacioni u krye një ditë më pas, ndërsa më 22 dhjetor, gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua ndjeshëm: iu rrit temperatura, pati vështirësi në frymëmarrje dhe më pas pësoi arrest kardiak fatal. Deri më tani, shkaku i saktë i vdekjes mbetet i paqartë.

“Duam vetëm të dimë pse Massimo nuk u kthye më në shtëpi”, kanë deklaruar bashkëshortja dhe fëmijët e tij, ndërsa hetimet vijojnë për të hedhur dritë mbi përgjegjësitë e mundshme në ngjarjen tragjike.

Happening now...