Akuzoi prindërit dhe vëllanë e saj për abuzim seksual që në fëmijëri, gjendet e vdekur vajza e ministres izraelite

2026-03-16 13:43:04 / BOTA ALFA PRESS

Akuzoi prindërit dhe vëllanë e saj për abuzim seksual

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Izrael, ku Shoshana Struk, vajza e ministres së Vendbanimeve dhe Misioneve Kombëtare, Orit Struk, u gjet e vdekur në një shtëpi të marrë me qira.

Autoritetet kanë nisur menjëherë një hetim për të përcaktuar shkaqet e vdekjes së saj.

Policia dhe ekipet e emergjencës raportuan se trupi i Shoshanës u dërgua në institutin e mjekësisë ligjore për të përcaktuar shkakun e vërtetë të vdekjes. Megjithëse gjetjet fillestare sugjerojnë se mund të ketë pasur vetëvrasje, vdekja e saj konsiderohet e dyshimtë.

Në një postim në rrjetet sociale, Orit Struk konfirmoi vdekjen e vajzës së saj, duke thënë: “Zemra ime është e thyer nga humbja e të dashurës sonë, Shoshana.”

Ngjarjet kanë marrë vëmendje të madhe për shkak të akuzave që Shoshana Struk kishte bërë vitin e kaluar kundër familjes së saj. Ajo kishte akuzuar nënën, babanë dhe vëllain e saj për abuzim seksual dhe përfshirje në “rituale pedofilie” që nga fëmijëria.

Pas publikimit të deklaratave të saj përmes një videoje në rrjetet sociale, Shoshana kishte paraqitur një ankesë zyrtare në Izrael, duke kërkuar mbrojtje nga policia. Ajo kishte deklaruar: “U ktheva në Izrael me bashkëshortin tim pasi kuptova se elementët e krimit më kërcënonin. Kërkoj nga policia izraelite të më mbrojë nga familja ime.”

Sipas mediave izraelite, Shoshana ishte larguar nga Izraeli për disa kohë për shkak të këtyre përvojave traumatike, por më pas ishte kthyer në Tel Aviv për të bërë denoncimin e saj për abuzim.

Rasti ka ndezur debat të gjerë publik dhe hetimi për vdekjen e Shoshanës është në vijim, ndërsa autoritetet përpiqen të zbardhin plotësisht rrethanat e mistershme të kësaj tragjedie.

 

Happening now...

ideas