I dërguari i Putin: Rusia dhe SHBA po diskutojnë shfrytëzimin e përbashkët të mineraleve të rralla!

2025-03-31 11:00:57 / BOTA ALFA PRESS

I dërguari i Putin: Rusia dhe SHBA po diskutojnë shfrytëzimin e

Moska dhe Uashingtoni kanë nisur bisedimet për shfrytëzimin e përbashkët të mineraleve të rralla dhe projekte të tjera në Rusi, dhe disa kompani kanë shprehur tashmë interes për to, tha i dërguari për investime i presidentit rus Vladimir Putin.

Ndërsa presidenti i SHBA-ve Donald Trump përpiqet t’i japë fund luftës në Ukrainë, si Kievi ashtu edhe Moska po i propozojnë atij bashkëpunim në sektorin e mineraleve të rralla.

Megjithatë, Trump akuzoi homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky të dielën se dëshironte të tërhiqet nga marrëveshja dypalëshe për mineralet e rralla dhe e paralajmëroi atë se nëse bën diçka të tillë, ai do të përballet me “probleme të mëdha”.

“Ne arritëm një marrëveshje për mineralet e rralla dhe tani ai thotë, ju e dini, unë dua të rinegocioj marrëveshjen. Ai dëshiron të bëjë vendin anëtar ttë NATO-s. Por nuk do të jetë kurrë një anëtar i NATO-s, ai e kupton këtë, kështu që ai po përpiqet të rinegociojë marrëveshjen,” komentoi Trump, duke iu referuar Zelensky.

Putin nga ana e tij tha në shkurt se SHBA-ja mund të jetë e interesuar të marrë në konsideratë shfrytëzimin më të madh të rezervave të këtij lloji të mineraleve të vendit.

Kirill Dmitriev , i dërguari i posaçëm i Kremlinit për bashkëpunimin ekonomik dhe investues, i tha gazetës Izvestia se diskutimet tashmë kanë filluar.

“Mineralet e rralla janë një fushë e rëndësishme bashkëpunimi dhe, natyrisht, ne kemi filluar tashmë diskutimet për tokat e rralla dhe projekte (të tjera) në Rusi”, shpjegoi ai.

Dmitriev, i cili ishte pjesë e delegacionit rus në bisedimet e zhvilluara në Arabinë Saudite në shkurt me zyrtarë amerikanë, theksoi se disa kompani tashmë kanë shprehur interes për këto plane.

Ai nuk ka specifikuar se për cilat kompani e kishte fjalën, e as nuk ka dhënë detaje të tjera.

Trump tha dje se është “shumë i zemëruar” me Putinin dhe kërcënoi se do të vendosë tarifa dytësore prej 25-50% për blerësit e naftës ruse nëse beson se Moska po pengon përpjekjet e tij për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Presidenti amerikan i tha NBC News se ishte i zemëruar pasi Putin vuri në dyshim besueshmërinë e Zelensky javën e kaluar. Megjithatë, republikani komentoi më pas, duke iu referuar homologut të tij rus: “Unë besoj se po bëjmë përparim, hap pas hapi”.

Ndërsa Kina kontrollon 95% të prodhimit dhe furnizimit në botë me toka të rralla, kritike për industri të tilla si mbrojtja dhe elektronika, pjesa tjetër e botës po kërkon burimet e veta të furnizimit.

Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) vlerëson rezervat e Rusisë të mineraleve të rralla në 3.8 tonë metrikë, por Moska vlerëson se ato janë shumë më të mëdha.

 

Happening now...