Rama mbledh sot Grupin e PS në pallatin e Kongreseve

2026-03-28 08:56:57 / POLITIKË ALFA PRESS
Rama mbledh sot Grupin e PS në pallatin e Kongreseve

Kryeministri Edi Rama do të mbledhë sot në orën 11:00 grupin parlamentar të Partisë Socialiste në Pallatin e Kongreseve. Në fokus të diskutimeve do të jetë strategjia e komunikimit publik dhe me qytetarët, që do të prezantohet nga Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin Eriona Ismaili.

Mbledhja do të nisë me fjalën e kryetarit të grupit parlamentar, Taulant Balla dhe më pas me fjalën e kryeministrit Rama.

Para grupit socialist dhe kryeministrit Rama do të raportojë edhe Arbjan Mazniku, bashkëkryetari i reformës territoriale. Puna e deritanishme e komisionit dhe ecuria e procesit në një kohë kur afatet janë të kufizuara dhe komisioni duhet të dalë me një draft brenda muajit korrik, pritet të jenë pjesë e raportimit.

Ajo çka bie në sy është edhe raportimi i Drejtoreshës së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobellit dhe jo para kuvendit, por para grupit socialist në Pallatin e Kongreseve. Një raportim jo i zakontë për “Kadastrën”, institucion në varësi të Kryeministrit.

Më herët, Kreu i Qeverisë ka paralajmëruar ndryshime në këtë agjenci që nisën me zhvendosjen e Kadastrës së Vlorës drejt kryeqytetit, e që siç paralajmëroi vetë Rama do të vijojë edhe me drejtori të tjera.

Deputetët do të kenë mundësinë e diskutimeve për çdo temë që do të trajtohet, me një pikëpyetje të madhe nëse do të trajtohet edhe përplasja në distancë e Taulant Ballës dhe Elisa Spiropalit. Balla e Spiropali u përfshinë në replika publike për shkak të thyerjes së vendimit politik nga ana e ish-ministres.

Mungesa e ish-ministres Spiropali në parlament kur grupi socialist votoi kundër heqjes së imunitetit të Belinda Ballukut u lexua si thyerje e vendimit politik të mazhorancës. Kryeministri Rama ia kaloi këtë detyrë Taulant Ballës, ndërsa ky i fundit tha se do të konsulohet në grup për masa të mundshme ndaj ish-ministres.

Happening now...

ideas