"I was accused of 1001 crimes, Rama is putting pressure on justice", Arben Ahmetaj speaks from the run about the prime minister's statements

2026-03-11 09:45:36 / POLITIKË ALFA PRESS

"I was accused of 1001 crimes, Rama is putting pressure on justice",

Ish-numri dy i qeverisë së Edi Ramës dhe një nga ish-bashkëpunëtorët më të afër të tij, Arben Ahmetaj, ka thyer sërish heshtjen nga arratia duke reaguar ndaj deklaratave të fundit të kryeministrit. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ish-zyrtari i lartë i qeverisë ka kundërshtuar akuzat që janë artikuluar publikisht ndaj tij, duke i cilësuar ato në kundërshtim me parimet themelore të drejtësisë.

Ahmetaj thekson se deklaratat e bëra nga kryeministri në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku u përmend se ndaj tij rëndojnë “1001 të zeza”, vijnë në një moment kur çështja ende nuk ka nisur të gjykohet dhe hetimet sapo janë mbyllur.

“Paraditen e të hënës në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Kryeministri, në përpjekje për të justifikuar qëndrimet e tij, gjeti kohë të flasë edhe për rastin tim, duke pretenduar se aty paskësh “1001 të zeza”. Kjo deklaratë bëhet në një kohë kur çështja ende nuk ka filluar të gjykohet dhe hetimet sapo janë mbyllur”, shkruan Ahmetaj, ku sipas tij një qëndrim i tillë për një proces që i takon drejtësisë cënon drejtpërdrejt parimin e prezumimit të pafajësisë dhe krijon presion mbi institucionet që duhet të vendosin në mënyrë të pavarur.

Në reagimin e tij, ish-zëvendëskryeministri e cilëson paradoksale faktin që flitet për respektimin e këtij parimi ndërkohë që, sipas tij ai shkelet publikisht sa herë që i shërben interesit politik.

“Është paradoksale të dëgjosh leksione për prezumimin e pafajësisë nga i njëjti Kryeministër, i cili nuk heziton ta shkelë atë publikisht sa herë që i intereson politikisht, duke e përdorur atë me standard të dyfishtë edhe brenda të njëjtit fjalim”, shkruan Ahmetaj.

Kujtojmë se kjo deklaratë e Ahmetajt, i cili prej vitesh është arratisur dhe ka marrë azil politik në Zvicër, vjen pasi kryeministri Rama, gjatë mbledhjes të 9 marsit me socialistët përmendi rastet e Ahmetajt dhe të Sali Berishës, duke theksuar se shumica e deputetëve të majtë kishin votuar pro kërkesave të drejtësisë për masat ndaj tyre, pasi sipas tij bëhej fjalë për shkelje të vendimeve të gjykatës dhe akuza për korrupsion.

Reagimi i plotë i Ahmetajt:

Paraditen e të hënës në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Kryeministri, në përpjekje për të justifikuar qëndrimet e tij, gjeti kohë të flasë edhe për rastin tim, duke pretenduar se aty paskësh “1001 të zeza”. Kjo deklaratë bëhet në një kohë kur çështja ende nuk ka filluar të gjykohet dhe hetimet sapo janë mbyllur.

Një deklarate e tillë publike dhe për një çështje që i takon drejtësisë, përbën pikërisht shkeljen e hapur të parimit themelor të prezumimit të pafajësisë.

Është paradoksale të dëgjosh leksione për prezumimin e pafajësisë nga i njëjti Kryeministër, i cili nuk heziton ta shkelë atë publikisht sa herë që i intereson politikisht, duke e përdorur atë me standard të dyfishtë edhe brenda të njëjtit fjalim.

Prezumimi i pafajësisë është një e drejtë themelore e garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, nga kartat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe nga legjislacioni në fuqi.

E drejta e lirisë së shprehjes për këdo, përfshirë këtu edhe Kryeministrin, nuk mund të përdoret për të cenuar prezumimin e pafajësisë dhe as për të ushtruar presion apo ndikim mbi vendimmarrjen e organeve të drejtësisë.

 

Happening now...