Pse Fatmir Mediu po afrohet me Ken Paxton dhe figurat e MAGA-s? Dyshimet për ndërhyrje amerikane në çështjen e Gërdecit
Revista amerikane Mother Jones ka publikuar një investigim mbi marrëdhëniet e deputetit shqiptar Fatmir Mediu me figura të rëndësishme të së djathtës amerikane dhe lëvizjes MAGA, duke u ndalur veçanërisht te lidhjet e tij me Prokurorin e Përgjithshëm të Teksasit, Ken Paxton.
Sipas investigimit, Mediu ka zhvilluar kontakte të vazhdueshme me politikanë republikanë në Shtetet e Bashkuara, ndërsa dyshohet se po përpiqet të përdorë këto lidhje për të kërkuar mbështetje nga administrata amerikane lidhur me çështjen penale që ka ndaj tij në Shqipëri për tragjedinë e Gërdecit.
Një nga episodet e fundit të përmendura në investigim është pjesëmarrja e Mediut dhe kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një aktivitet të republikanëve në Dallas, ku ata u fotografuan me Ken Paxton dhe disa prej figurave të njohura të lëvizjes MAGA.
Mother Jones shkruan se Mediu ka krijuar marrëdhënie me Paxton gjatë katër viteve të fundit, përfshirë edhe vizita të këtij të fundit në Shqipëri. Gjatë këtij viti, Mediu dhe Berisha dyshohet se kanë ndihmuar në mbledhjen e fondeve për fushatën e Paxtonit, i cili kandidon për Senatin amerikan.
Udhëtimet dhe lidhjet me Ken Paxton
Investigimi rikthehet edhe te një vizitë e Paxtonit në Tiranë në vitin 2022, kur ai udhëtoi në Europë së bashku me bashkëshorten e tij dhe një donator të rëndësishëm të fushatës. Në Shqipëri, çifti u prit nga Fatmir Mediu.
Sipas raportimeve të mëparshme të Texas Observer, shteti i Teksasit kishte paguar afro 80 mijë dollarë për udhëtimin, ku përfshihej edhe shoqërimi me personel sigurie.
Në janar të vitit 2025, Mediu dhe biznesmeni shqiptar Bashkim Ulaj qëndruan në dhoma hoteli në Uashington, të cilat ishin rezervuar nga zyra shtetërore e Paxtonit në kuadër të aktiviteteve që shoqëronin inaugurimin e Donald Trumpit.
Sipas Mother Jones, rezervimet ishin bërë fillimisht për zyrtarë të Teksasit, por disa dhoma përfunduan duke u përdorur nga persona të tjerë, mes tyre edhe dy shqiptarët. Zyra e Paxtonit deklaroi se dhomat do të kishin mbetur të papërdorura për shkak të anulimit të udhëtimit të zyrtarëve dhe se personat që i përdorën kishin rimbursuar shtetin.
Donacionet për fushatën e Paxtonit dhe familja Ulaj
Një tjetër pjesë e investigimit lidhet me kontributet financiare për fushatën e Ken Paxtonit.
Të dhënat e Komisionit Federal të Zgjedhjeve në SHBA tregojnë se gjatë këtij viti Paxton ka marrë donacione nga disa anëtarë të familjes Ulaj, mes tyre Ahmet Ulaj, me 2 mijë dollarë, dhe Astrit Ulaj, me 8 mijë dollarë. Gjithashtu, Arbi dhe Arlind Ulaj kanë kontribuar me nga 5 mijë dollarë secili.
Ahmet, Astrit dhe Bashkim Ulaj janë bashkëpronarë në një kompani mediatike shqiptare dhe në projektin turistik ABA Blue Borgo, në bregdetin verior të Shqipërisë.
I kontaktuar nga Mother Jones, Astrit Ulaj deklaroi se kontributet financiare ishin personale dhe nuk kishin lidhje me interesat e tyre të biznesit.
Ai theksoi se familjarët e tij kishin mbështetur edhe kandidatë të tjerë ndër vite dhe mohoi ekzistencën e marrëdhënieve të biznesit me Ken Paxton, Fatmir Mediun apo Sali Berishën.
Darka në Dallas dhe mbledhja e fondeve
Investigimi ndalet edhe te aktivitetet e zhvilluara në Dallas në shtator të këtij viti.
Më 9 shtator, ndërsa Mediu dhe Berisha ndodheshin në qytetin amerikan, fushata e Paxtonit regjistroi 37 mijë dollarë donacione nga gjashtë persona në zonën e Dallasit.
Një prej tyre, Dritan Nokshigi, deklaroi se kishte dhuruar 5 mijë dollarë për fushatën e Paxtonit, në mënyrë që të merrte pjesë në një darkë me Sali Berishën, e zhvilluar më 7 shtator. Ai konfirmoi se në darkë ishte i pranishëm edhe Fatmir Mediu.
Dy ditë më vonë, Berisha dhe Mediu morën pjesë në një tjetër aktivitet në picerinë e Nokshigit, ku iu dorëzuan çelësat e qytetit nga kryebashkiaku Daniel Alemán.
Sipas investigimit, pagesat për këto aktivitete janë kryer përmes organizatës jofitimprurëse Make Albania Great Again Foundation, e themeluar nga sipërmarrësi shqiptaro-amerikan Nuredin Seçi.
Kjo organizatë është përmendur edhe në raportimet për një hetim të SPAK-ut, megjithëse institucioni nuk ka dhënë detaje mbi statusin e tij.
Marrëdhëniet me rrethin e Trumpit
Fatmir Mediu ka punuar prej vitesh për të krijuar lidhje me republikanë të rëndësishëm në SHBA. Investigimi përmend kontaktet e tij me senatorët Ted Cruz dhe John Cornyn, si dhe takimet me disa përfaqësues republikanë të Teksasit.
Një tjetër emër i rëndësishëm është Chris LaCivita, ish-bashkëdrejtues i fushatës presidenciale të Donald Trumpit në vitin 2024.
Mediu e afroi LaCivita-n me Sali Berishën, për të cilin ai punoi si këshilltar përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025 në Shqipëri.
LaCivita deklaroi se nuk kishte lobuar në SHBA për Berishën, por kishte ndihmuar në promovimin e lidhjeve të tij me presidentin amerikan.
Partia Demokratike kishte deklaruar se i kishte paguar kompanisë së LaCivita-s më shumë se 1.6 milionë dollarë për shërbimet e ofruara.
Gjatë qëndrimit në Dallas, Berisha dhe Mediu u fotografuan gjithashtu me kryetarin e Komitetit Kombëtar Republikan, Joe Gruters, administratorin e Medicare dhe Medicaid, Mehmet Oz, si dhe ish-zyrtarin e Departamentit të Drejtësisë, Ed Martin.
Dyshimet për ndërhyrje në çështjen e Gërdecit
Pjesa më e rëndësishme e investigimit lidhet me përpjekjet e pretenduara të Mediut për të përdorur kontaktet në administratën amerikane në lidhje me procesin penal që ka ndaj tij në Shqipëri për shpërthimin e Gërdecit.
Sipas Mother Jones, Mediu ka kërkuar ndihmë nga zyrtarë amerikanë për çështjen e tij gjyqësore.
Revista shkruan se në vitin 2025 Mediu pretendoi se kishte paraqitur në një gjykatë shqiptare një letër të firmosur nga gjashtë kongresmenë amerikanë, të cilët kërkonin që ai të mos ndiqej penalisht. Megjithatë, letra nuk është bërë publike.
Në qershor të vitit 2025, Mediu njoftoi se ishte takuar me Aaron Reitz, ish-zëvendësin e Ken Paxtonit, i cili në atë periudhë mbante një pozicion drejtues në Zyrën e Politikave Ligjore të Departamentit amerikan të Drejtësisë.
Sipas raportimeve të mediave shqiptare, Mediu kishte kërkuar që autoritetet amerikane të reagonin ndaj asaj që ai e cilësonte politizim të drejtësisë në Shqipëri.
Një tjetër takim përmendet në shtator të vitit 2025, kur Mediu u takua me një zyrtar të Departamentit të Drejtësisë. Sipas një personi në dijeni të takimit, deputeti shqiptar kërkoi ndihmë nga administrata Trump lidhur me procesin penal për Gërdecin.
Gjatë këtij takimi, ai kërkoi mbështetjen e Zyrës për Zhvillimin, Asistencën dhe Trajnimin e Prokurorive Jashtë Vendit, e cila ofron asistencë edhe për SPAK-un në Shqipëri.
Departamenti i Drejtësisë mohon takimin me Berishën
Mother Jones ndalet edhe te fotografia e publikuar nga Sali Berisha me Prokurorin e Përgjithshëm amerikan Todd Blanche dhe zyrtarin e lartë të Departamentit të Drejtësisë, Stanley Woodward.
Berisha e kishte cilësuar kontaktin si një takim të rëndësishëm për marrëdhëniet Shqipëri-SHBA.
Megjithatë, Departamenti amerikan i Drejtësisë ka kundërshtuar këtë version.
Një zëdhënës i institucionit i tha Mother Jones se nuk kishte pasur asnjë takim zyrtar, por vetëm një fotografi të realizuar në hollin e hotelit, pasi Berisha iu ishte afruar zyrtarëve dhe kishte kërkuar të pozonte me ta.
Sipas zëdhënësit, Prokurori i Përgjithshëm pranon shpesh të fotografohet me persona që i afrohen gjatë aktiviteteve publike.
Deri më tani, investigimi nuk paraqet prova se Fatmir Mediu ka arritur të sigurojë ndërhyrjen e administratës Trump në çështjen e tij gjyqësore. Megjithatë, Mother Jones ngre pikëpyetje mbi natyrën e kontakteve të tij me figura të rëndësishme politike amerikane dhe përpjekjet për të krijuar mbështetje në Uashington.
Mediu dhe përfaqësues të Partisë Demokratike nuk iu përgjigjën pyetjeve të detajuara të revistës amerikane lidhur me këto marrëdhënie dhe aktivitetet e zhvilluara në SHBA./Përktheu Alfapress.al, marrë nga MotherJones
Po ndodh...
Students and Albanians don't love you Sali, not the DP!
ide
Opposing power doesn't mean you know how to win it!
ERA që nuk ndalet më!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
