Skandal me AAT/ Ministri Nufi thotë se prodhon armë për konfliktet, Tatimet zbulojnë vetëm 2 të punësuar

2026-09-11 12:18:00 / POLITIKË ALFA PRESS

Në 23 prill të këtij viti gjatë një interpelance në Parlament, ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi deklaroi se Shqipëria është duke prodhuar armë, të cilat po përdoren në konflikte.

“Dhe së fundmi kemi dhe shoqërinë AAT, Advanced Arms Technology, e cila prodhon armë dhe këto armë siç e thashë edhe një herë, janë sot në përdorim në konflikte diku. Jo patenta fiktive“,- deklaroi Ermal Nufi.

Kjo deklaratë e ministrit të Mbrojtjes është një mashtrim i madh publik. Kapitali ka siguruar dokumenta zyrtarë nga Tatimet. Shoqëria Advanced Arms Technology ka vetëm dy të punësuar. Këta janë administratorja, Arjeta Puca dhe magazinieri Serxhio Gj.

Këta janë dy të punësuarit e vetëm të shoqërisë Advanced Arms Technology, për të cilën ministri thotë se prodhon armë, që tashmë janë në përdorim në konflikte diku. Por problemi nuk qëndron vetëm nëse ministri mashtroi për të bërë propagandë dhe treguar arritje të paqëna të qeverisë.

Në këtë rast, shqetësimi është nëse kompania Advanced Arms Technology është përdorur vërtetë për trafik ndërkombëtar armësh.

Ky shqetësim përforcohet nga përgjimet e publikuara nga Arben Ahmetaj në intervistën e tij me çim Pekën, ku aksioneri i kompanisë Advanced Arms Technology, Ron Yeffet, flet për import armësh dhe municionesh nga Sudani dhe paketimin e tyre në Shqipëri.

Qeveria, e cila në këtë rast, është e kompromentuar për shkak të mashtrimit publik nuk mund të bëjë dot transparencën në mënyrë të paanshme për të sqaruar nëse AAT është përfshirë apo jo në trafik ndërkombëtar armësh.

Ndaj i takon organeve të prokurorisë, të thërrasin ministrin e Mbrojtjes si dhe të sekuestrojnë dokumentacionin në dogana për të verifikuar nëse kompania ka bërë importe ose eksporte armësh apo municionesh. Por një gjë është e sigurtë. Arjeta Puca dhe magazinieri Serxhio Gj. as mund të prodhojnë dhe as mund të paketojnë dot armë.

Ky është një rast ku qytetarët duhet të shpresojnë se ministri i mbrojtjes ka gënjyer. Në të kundërtën, nëse Advanced Arms Technology ka tregtuar më të vërtetë armë jashtë Shqipërisë, dyshimi i madh është se qeveria e Shqipërisë mund të jetë përfshirë në trafik ndërkombëtar armësh. /Kapitali.al

 

Po ndodh...