Tre kurthet e sistemit dhe kriza e vërtetë ku po hyn pushteti

2026-08-18 19:41:00 / EDITORIAL NGA RED VARAKU
Tre kurthet e sistemit dhe kriza e vërtetë ku po hyn pushteti

Nga Red Varaku

Një sistem politik ka, në thelb, tre mundësi përballë një proteste që kërcënon ekuilibrat e tij dhe të treja këto mundësi duket se janë asgjësuar përballë protestës. 

E para është përpjekja për absorbimin e zemërimit dhe pakënaqësisë . Në këtë opsion sistemi përpiqet ta rikthejë protestën në kanalin politik që njeh dhe kontrollon më mirë, konfliktin tradicional PS–PD. Kjo shpjegon edhe përpjekjen e Ramës, të propagandës dhe të propagandistëve të mazhorancës për ta paraqitur protestën si një lëvizje të frymëzuar, të financuar apo të mbajtur në këmbë nga PD.

Logjika është e thjeshtë, nëse protesta qytetare shndërrohet sërish në një përplasje mes dy partive, ajo humbet karakterin e saj autonom dhe rikthehet në lojën e vjetër politike. Por duket se kjo mundësi ka dështuar sa kohë protesta vazhdon t'u mbetet besnike pesë pikave të saj, vazhdon të ruajë karakterin e saj qytetar si dhe vazhdon të mbajë autonominë dhe distancën nga partitë tradicionale.

Mundësia e dytë është kanalizimi i protestës. Këtu sistemi nuk përpiqet ta mohojë pakënaqësinë, por ta fusë atë në një strukturë të re përfaqësimi. Kështu krijohet një mekanizëm politik që pretendon të përfaqësojë kërkesat e protestuesve dhe, përmes tij, pakënaqësia kalon nga rruga në institucione duke e futur kështu siç thotë dhe miku im Poli Hoxha në thertoren e sistemit. Në këtë kuptim duhet lexuar çdo tentativë apo përpjekje për kthyer atë në një organizim politik ,jo se kjo është një herezi sepse herët a vonë ajo do kthehet në furrën e ndryshimit , por në fazën ku ndodhet aktualisht protesta kjo do ishte një vetvrasje.

Mundësia e tretë është  neutralizimi i saj. Kjo është rruga më brutale dhe e drejtpërdrejtë që po ndjek sistemi, delegjitimim, përçarje, lodhje, konflikte të brendshme, tentativa për të kapur komunikimin e protestës, përplasjet rreth mikrofonit, sherret dhe çdo mekanizëm që mund ta zhvendosë vëmendjen nga kërkesat tek protagonistët.Por në ditën e 80-të, vetë vazhdimësia e protestës tregon se kjo strategji jo vetëm nuk ka prodhuar rezultatin e dëshiruar, por e ka forcuar dhe konsoliduar më tej protestën.

Pas ezaurimit të tre mundësive për kapjen ose asgjësimin e protestës, beteja e vërtetë tashmë nuk është vetëm mes protestës dhe qeverisë, por është kthyer në një betejë mbi mekanizmin e mbijetesës së sistemit.

Sepse, nëse protesta ia ka dalë t'u mbijetojë të tre këtyre mekanizmave  të mos absorbohet nga konflikti PS–PD, të mos kanalizohet përmes një përfaqësimi artificial dhe të mos neutralizohet përmes përçarjes e lodhjes, mund të themi se ajo e ka kaluar sprovën më të madhe dhe  tashmë po hyn në një fazë krejt tjetër, e cila po zbulon dhe dobësinë më të madhe e sistemit.

Sepse, një sistem është i fortë jo vetëm kur mund t'i fitojë zgjedhjet apo ta kontrollojë një institucion, ai është i fortë kur ka mekanizma për të absorbuar pakënaqësinë, për ta kanalizuar atë ose në fund, për ta neutralizuar.

Nëse të tre mekanizmat dështojnë, problemi nuk është më protesta. Problemi bëhet vetë sistemi.

Në këtë pikë, kriza politike fillon të shndërrohet në krizë të regjimit politik, sepse në këtë moment protesta bëhet një sfidë strukturore ndaj mënyrës se si prodhohet dhe ushtrohet pushteti.

Dhe nëse protesta arrin ta çojë sistemin deri në këtë pikë, atëherë ajo e ka kryer funksionin e saj historik.

Sepse nga ky moment, çështja nuk është më nëse protesta do të vazhdojë apo jo. Çështja është sa kohë mund të vazhdojë sistemi të mbijetojë përballë një krize të tillë .

Po ndodh...

ide