Zgjidhet pas 30 vitesh misteri i vrasjes së Tupac, ish kreu i një bande kriminale shpallet fajtor për ekzekutimin e ikonës së Rap-it në Las Vegas

Pas afro 30 vitesh, çështja e vrasjes së reperit Tupac Shakur ka marrë një vendim gjyqësor.
Ish-kreu i një bande kriminale, Duane “Keffe D” Davis, është shpallur fajtor për vrasjen e yllit të hip-hopit.
Siç raporton BBC, Juria në Las Vegas e shpalli 63-vjeçarin fajtor për ‘vrasje me armë vdekjeprurëse’, lidhur me atentatin ndaj Shakur më 7 shtator 1996.
Prokuroria argumentoi se Davis nuk ishte personi që qëlloi me armë ndaj reperit, por se ai kishte organizuar sulmin dhe kishte siguruar armën që u përdor nga nipi i tij, Orlando Anderson. Sipas akuzës, vrasja ishte një akt hakmarrjeje pas një përleshjeje mes Anderson dhe Shakur, disa orë para atentatit.
Tupac Shakur u qëllua gjatë një sulmi nga një automjet në Las Vegas, ndërsa ndodhej në një makinë me producentin Marion “Suge” Knight. Reperi ndërroi jetë disa ditë më vonë, në moshën 25-vjeçare.
Rasti mbeti për dekada një nga çështjet më të bujshme të pazbardhura në SHBA dhe nxiti teori të shumta konspirative. Vrasja ndodhi në një periudhë të tensionuar për skenën e hip-hop, kur rivaliteti mes Bregut Lindor dhe atij Perëndimor ishte i lidhur ngushtë edhe me konfliktet mes bandave Bloods dhe Crips.
Një nga provat kryesore kundër Davis ishin deklaratat e tij. Ai kishte pranuar publikisht në disa raste se ndodhej brenda Cadillac-ut të bardhë nga i cili u qëllua ndaj Shakur.
Në vitin 2008, gjatë një interviste sekrete me policinë, të zhvilluar në kuadër të hetimeve për vrasjen e reperit The Notorious B.I.G., Davis kishte folur për rolin e tij në ngjarje. Ai dha më shumë detaje edhe në kujtimet e tij të publikuara në vitin 2019, me titull “Compton Street Legend”.
Prokurorët argumentuan se këto deklarata e implikonin drejtpërdrejt Davis në organizimin e vrasjes. Në mbyllje të procesit, prokurori Binu Palal u kërkoi jurisë ta merrte Davis në fjalë dhe ta shpallte fajtor.
Nga ana tjetër, mbrojtja pretendoi se deklaratat e tij ishin të ekzagjeruara dhe pjesë e një historie të sajuar për të shitur libra dhe për të fituar para. Avokati Michael Sanft argumentoi se nuk kishte prova të mjaftueshme për ta lidhur klientin e tij me vrasjen.
Megjithatë, juria e shpalli fajtor vetëm pak orë pasi mori çështjen për shqyrtim.
Pas leximit të vendimit, Davis deklaroi se do të apelojë. Gjykata ka caktuar datën 13 tetor për seancën e dënimit.
Familjarët e Tupac Shakur reaguan me emocione ndaj vendimit. Në sallën e gjyqit pati përqafime dhe lot, ndërsa jashtë gjykatës, fansa të shumtë të reperit festuan vendimin pas dekadash pritjeje.
Tupac Shakur mbetet një nga figurat më me ndikim në historinë e muzikës rap. Ai ka shitur më shumë se 75 milionë disqe në mbarë botën.
Po ndodh...
The "small flower" and the big problem of Rama and Berisha!
ide
It's not the Cauliflower Trust, it's the Aruba Cartel!
Tri krizat dhe tri zgjidhjet
Innocence for the liberators, so that history is not judged!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128