Faik Konica, Njeriu-Histori dhe Historia-Njeri
Nga Arben Iliazi
Faik Konica ishte një çudi e llojit të vet. Një talent i rrallë, një mendje universale dhe një filozof i botës së zjarrtë. Prapavija e tij mendore dhe imagjinative është kaq e pasur dhe e fuqishme, e pranishme në harkun e tri shekujve kolosë të njerëzimit, saqë e ka projektuar profilin e vet edhe në shekullin XXI që po jetojmë, duke ngërthyer vetëdijen e tendosur shqiptare të kombit.
Njeriu tipik shqiptar, shkrimtari dhe mendimtari që i mjafton plotësisht vetvetes dhe nuk ka nevojë për mbishtresa dhe hamendësime, na del para syve si një fantazmë supreme, faustiane, që posedon sekrete të mëdha e të patjetërsueshme, jo vetëm të vdekjes por edhe të jetës. Konica është sa njeriu-histori, aq dhe historia-njeri. I ngritur në kult nga bashkëkohësit e vet letrarë, gjatë kohës së diktaturës komuniste u anatemua, sipas një koncepti ideologjizues të pashembullt.
Kronologjia bibliografike e Konicës nuk ka shumë rëndësi. Ka më shumë rëndësi stili i të menduarit të tij, përafrimi i kuptimeve, konotacioneve, ideve, rrënja dhe shkaku i tyre. Faik Konica, i shpallur si një “enciklopedi që ecën”, ishte një nga shqiptarët më të kulturuar të të gjitha kohërave, një mjeshtër i madh i shqipes së shkruar, “kalorës” i albanologjisë dhe i procesit konvergues të gjuhës kombëtare letrare shqipe, poliglot nga më të mëdhenjtë e Evropës, indoeuropianist, etimolog dhe etnopsikolog, që di historitë e fjalëve e termave. I dimensionuar jo vetëm në kulturën shqiptare, por edhe në atë frankofone dhe anglofone, ai diti të konstruktojë koncepte estetike dhe antropologjike, që nuk janë zbehur në substancën e tyre.
Konica i përkiste një racë dyshimtarësh paganë, i brujtur me njëlloj teozofie, por edhe me altruizëm, që e bën të dalë jashtë klasifikimeve të bashkëkohanikëve të tij. Ishte ithtar i filozofisë antiteologjike, antikonformiste, që vë në piedestal arsyen, si vlerën më të lartë, supreme, të njeriut. Konica di të dallojë jo aq sistemin filozofik, se sa përpjekjen e gjallë për të arritur pa pargjykime të vërtetat. Ai nuk i nënshtrohet monoteizmit të emrave të veçantë të kulturave, sepse lirinë e konsideronte më të rëndësishme se çdo gjë.
Madje ai është i pari personalitet shqiptar i cili, përmes shumë mishërimeve, e quante të domosdoshme procesin e eksorcizmit kombëtar, të kritikës së pamëshirshme të të metave të shqiptarëve, që ata të përfaqësojnë një komb idealisht të përsosur.
Jo më kot ai shkruan se “Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerë” (Revista Albania, 25 mars 1897).
Konica është themelues i eseistikës antropologjike dhe një paraprijës i vërtetë i kritikës letrare. Mjafton të shohim vëzhgimet e Konicës për racën shqiptare, etnopsikologjinë, mendësitë, bestytnitë, demonologjinë, fetë e ndryshme, gjeopolitikën etj. Ai diti të perceptojë dhe konstruktojë koncepte estetike, që nuk janë zbehur në substancën e tyre. Po ashtu Konica është një kalorës i albanologjisë dhe i procesit konvergues të gjuhës letrare kombëtare shqipe.
Veprat më të rëndësishme të Faik Konicës në prozë, esé dhe publicistikë që kanë lënë gjurmë në letërsinë shqipe, janë:
Doktor Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mëmëdheut – Një nga veprat satirike dhe letrare më të njohura të tij.
Shqipëria si m'u duk – Ese dhe mbresa udhëtimi e vëzhgime mbi shoqërinë shqiptare.
Një ambasadë e Zulluve në Paris – Vepër satirike dhe letrare e botuar më 1922.
Martesa e Lejlës (Le mariage de Leila, 1911) – Krijim në prozë i botuar fillimisht në frëngjisht.
Romani “Doktor Gjilpëra” është padyshim një prozë e shkëlqyer, e papërsëritshme, një traktat eksorcizmi i jashtëzakonshëm për aventurizmin dhe vonesat e pashpjegueshme historike, ku ironizohet “zululandi shqiptar” i situatave burleske, i dhimbjes dhe i talljes me vetveten dhe hidhen tutje alibitë. Një vepër, si një antidramë absurdi, ku spikat ironia dhe humori i zi konician, por një performancë në bazë të vijave karmike.
Paradoksaliteti i Konicës, me mosbesim kundrejt çdo gjëje, i shpjegueshëm me paradokset e kohës që jetoi, si dhe me proceset e brendshme shpirtërore agnostike të tij, shpaloset edhe te vepra “Katër prralla nga Zululandi”. Konica botoi te Gazeta “Dielli”, në vitin 1922, vetëm pjesën e parë të quajtur “Një ambasadë e Zulluve në paris”, ku analizohet struktura e një bote alegorike indikuese. Proza eseistike “Shqipëria si mu duk”, një kryevepër e sintezës dhe ideve, një parodi asgjësuese ndaj regjimit mbretëror, u botua në vitin 1929 pa udhëtimit të tij në Shqipëri në vitin 1928.
Konica është një nga satirikët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave i cili, nga pozita sipërore e filozofit, guxon ta shohë botën me qësëndisje, jo se nuk i dhimbset por, përkundazi, i dhimbset pafundësisht.
Konica ishte një poliglot që zotëronte rreth 7 gjuhë dhe e shihte përkthimin si një mjet jetik për pasurimin, emancipimin dhe modernizimin e gjuhës shqipe.
Përkthimet e Faik Konicës përfshijnë kryesisht pjesë të zgjedhura nga letërsia dhe kultura botërore, të cilat ai i botoi kryesisht në revistën e tij “Albania”. Konica solli në shqip një sërë përrallash dhe tregimesh nga letërsia Lindore, duke shfrytëzuar njohuritë e tij të hershme të arabishtes dhe turkishtes. Ndër to shquhen disa përkthime që sot përfshihen në përmbledhjet e tij si "Katër përralla" (orientale-arabe), shpesh të botuara bashkë me novelën Doktor Gjilpëra. Konica përktheu gjithashtu fragmente dhe poezi nga autorë të mëdhenj francezë dhe gjermanë (si p.sh. Heinrich Heine), duke synuar të tregonte se gjuha shqipe ishte e aftë të përcillte ritmet dhe ndjeshmërinë e letërsisë moderne perëndimore.
Gjatë punës së tij kërkimore në arkivat e Londrës dhe Parisit, Konica përktheu në shqip (dhe anasjelltas) dokumente të vjetra historike, raporte diplomatike dhe dëshmi udhëtarësh të huaj mbi Shqipërinë. Ai shpesh përkthente pjesë të shkurtra nga filozofë dhe mendimtarë të ndryshëm evropianë për t'i përdorur si ilustrime në esetë e tij mbi stërvitjen morale dhe sociale të popullit shqiptar. Një pjesë e madhe e këtyre përkthimeve janë mbledhur rishtazi nga studiuesit dhe janë botuar në Vëllimin 1 të kolanës së veprave të tij të plota (si ato nga Botimet Dudaj ose shtëpi të tjera botuese), ku përfshihet krijimtaria letrare, kritika dhe përkthimet artistike.
Po ndodh...
Pasqyra ku nuk shihet asgjë
ide
Faik Konica, Njeriu-Histori dhe Historia-Njeri
Pse Rama nuk jep dorëheqjen?
Kurvat e vërteta të një shoqërie!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
