Halloween kthehet në tragjedi në SHBA, të paktën tetë të vrarë dhe dhjetëra të plagosur

1 November 2026, 21:56 / BOTA ALFA PRESS
Halloween kthehet në tragjedi në SHBA, të paktën tetë

Të paktën tetë persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur nga disa sulme me armë zjarri në qytete të ndryshme të SHBA-ve, gjatë fundjavës së Halloween-it.

Ngjarjet u regjistruan në disa shtete, ndërsa disa prej tyre ndodhën në zona të frekuentuara nga qytetarët dhe pranë ambienteve të argëtimit.

Sulmi më i rëndë ndodhi në Dallas, Teksas, ku katër persona u vranë dhe 15 të tjerë u plagosën pas tre sulmeve të ndara me armë zjarri në lagjen Deep Ellum. Policia po heton nëse ngjarjet kanë lidhje me njëra-tjetrën, ndërsa ka kryer edhe disa arrestime.

Një tjetër person u vra dhe tetë të tjerë u plagosën në Birmingham, Alabama, pas të shtënave pranë stadiumit Legion Field. Ngjarja ndodhi pas një ndeshjeje futbolli amerikan, ndërsa policia ka shoqëruar një person për t’u marrë në pyetje dhe ka sekuestruar disa armë.

Gjashtë persona u plagosën gjithashtu nga të shtënat pranë kampusit të Universitetit të Delaware, në Newark. Ndërsa në Bloomington, Illinois, një 19-vjeçare humbi jetën dhe shtatë persona të tjerë u plagosën nga një sulm me armë pranë një universiteti.

Në Fayetteville, Arkansas, gjashtë persona u dërguan në spital me plagë nga armët e zjarrit. Sipas policisë, para të shtënave dyshohet se kishte pasur një konflikt mes personave të përfshirë. Deri më tani nuk ka raportime për arrestime.

Dy viktima edhe në dyqanet e Halloween-it

Edhe e premtja u shënua nga dy sulme me armë zjarri në dyqane të rrjetit Spirit Halloween, në Kaliforni dhe Michigan.

Në Fairfield, Kaliforni, një 31-vjeçare, e cila ishte shtatzënë, u vra dhe gjashtë persona të tjerë u plagosën brenda një dyqani. Autoritetet dyshojnë se bëhej fjalë për një sulm të shënjestruar.

Ndërsa në Madison Heights, Michigan, një 21-vjeçar u qëllua për vdekje në një tjetër dyqan të këtij rrjeti.

Policia po vijon hetimet për të zbardhur rrethanat dhe motivet e sulmeve.

Po ndodh...