Protestat studentore në vend/ “The Guardian”: Të rinjtë kërkojnë dorëheqjen e Ramës, përplasje me policinë

1 November 2026, 22:48 / POLITIKË ALFA PRESS
Protestat studentore në vend/ “The Guardian”: Të

Protestat e të rinjve në Shqipëri kanë marrë jehonë edhe në mediat ndërkombëtare. Për zhvillimet e fundit në vend ka shkruar edhe gazeta prestigjioze britanike “The Guardian”, e cila i ka përfshirë demonstratat shqiptare në një panoramë më të gjerë të protestave të gjeneratës Z që kanë përfshirë Europën.

Në Shqipëri, protestuesit kanë dalë në rrugë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, në shenjë pakënaqësie ndaj qeverisë dhe akuzave për korrupsion. Sipas artikullit, tubimi u shoqërua me përplasje mes demonstruesve dhe Policisë së Shtetit, ku u hodhën gurë dhe bomba molotov, ndërsa u dogjën edhe kosha mbeturinash.

“The Guardian” e vendos Shqipërinë në të njëjtën panoramë me shtete të tjera europiane, ku mijëra të rinj kanë protestuar për çështje që lidhen me të ardhmen e tyre, arsimin, kostot e jetesës dhe shërbimet publike.

Në Francë, rreth 320 mijë persona morën pjesë në demonstratat e së shtunës, të zhvilluara në Paris, Marsejë, Grenoble, Bordo, Lion dhe Tuluzë. Protestat u shoqëruan me incidente të dhunshme, ndërsa mbi 770 persona u arrestuan.

Prokuroria në Paris ka hapur një hetim për tentativë vrasjeje ndaj personave me autoritet publik, pasi mjete ndezëse u hodhën në drejtim të efektivëve të policisë.

Trazira u regjistruan edhe në Gjermani, veçanërisht në Frankfurt, ku persona të maskuar dëmtuan 17 dyqane dhe plaçkitën pesë prej tyre. Gjatë përplasjeve u hodhën sende të forta dhe bomba molotov. Më shumë se 100 mijë persona marshuan në mbi 30 qytete gjermane, në kuadër të lëvizjes “Gen Z regelt”, duke kërkuar përmirësimin e sistemit arsimor dhe uljen e kostos së jetesës.

Në Portugali, policia ndërhyri për të shpërndarë kampet e protestuesve në Lisbonë dhe Porto, ku demonstratat kishin në fokus krizën e strehimit dhe rritjen e çmimeve të qirave. Ndërsa në Zvicër, protestat në Zyrih dhe Bazel përfunduan me përplasje mes demonstruesve dhe forcave të sigurisë, të cilat përdorën gaz lotsjellës, topa uji dhe plumba gome.

Protestat e të rinjve po përhapen në disa vende të Europës, nga Franca dhe Gjermania deri në Shqipëri, duke nxjerrë në pah pakënaqësitë e brezit të ri për kushtet ekonomike, arsimin, strehimin dhe politikat qeveritare.

 

Po ndodh...