“I mahnitur”/ U shpall në kërkim pas sherrit në Dhërmi, Shpataraku ironizon ish-kolegët: Për një debat u aktivizuan të gjitha strukturat! Nuk kërcënova askënd me armë

7 August 2026, 18:35 / AKTUALITET ALFA PRESS
“I mahnitur”/ U shpall në kërkim pas sherrit në

Ish-zyrtari i Policisë, Uljan Shpataraku, një ditë më parë u shpall në kërkim pas një sherri të ndodhur në Dhërmi. Ku ky i fundit i përshi në konflikt me një kamerier dhe administratorin e hotelit. Pas konfliktit u raportua se kamerieri dhe administratori ishin kërcënuar me jetë nga Shpataraku.

Gazetarja Klodiana Lala tha për “BalkanWeb” se në reagimin e tij, ish-zyrtari Uljan Shpataraku shprehet se nuk ka kërcënuar askënd dhe se nuk ka nxjerrë armë gjatë incidentit.

Në një reagim të gjatë ai thekson se sipas tij, mund të verifikohet lehtësisht nga organet ligjzbatuese. Ai pranon se ka fyer stafin e hotelit, duke kërkuar ndjesë publike për këtë sjellje.

Shpataraku kritikon mënyrën se si, sipas tij, u angazhuan struktura të ndryshme të Policisë së Shtetit për lokalizimin dhe arrestimin e tij, duke përmendur Drejtorinë e Kufirit, Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, Drejtorinë Operacionale të DPPSH-së dhe përdorimin e strukturave të posaçme të përgjimit IMSI Catcher.

 

Sipas ish-zyrtarit të policisë, reagimi i autoriteteve ka qenë joproporcional me ngjarjen, ndërsa shton se prioritet duhet të jenë krimet e rënda, vrasjet dhe aksidentet rrugore.

Reagimi i plotë

“Kolegët e drejtësisë”

I “mahnitur” nga veprimet operative, procedurale dhe “ligjore” të kryera në kohë rekord nga kolegët e mi, nën drejtimin e drejtorit vendor të Policisë Vlorë, Edvin Ndreu, dhe, patjetër, nën menaxhimin “rigoroz” të drejtorit të Përgjithshëm, z. Hita, në lidhje me një incident social që më ka ndodhur në një nga hotelet e jugut, ku për shkak të shërbimit joprofesional dhe fyes të një punonjësi të stafit ndaj meje, “klientit”, edhe pse një shprehje thotë: “Klienti ka gjithmonë të drejtë”, kaluam në një debat me fyerje mes njëri-tjetrit.

Dua të theksoj se, në mënyrë absolute, nuk kam kërcënuar njeri për jetën dhe jo më ta kem bërë këtë duke nxjerrë një armë. Kjo verifikohet lehtësisht nga policia. Po, e kam fyer, pasi jam ndjerë i fyer i pari dhe, për këtë, gjithsesi kërkoj ndjesë publike stafit.

Por që të ngrihen njëkohësisht disa struktura shtetërore, si Drejtoria e Kufirit, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, Drejtoria Operacionale e DPPSH-së, si edhe struktura të posaçme përgjimi IMSI Catcher, me qëllim që të më lokalizojnë dhe të më arrestojnë mua, vetëm sepse ofendova stafin e një biznesi, kjo besoj se nuk ka më lidhje me vetë “veprën penale”, të cilën unë as nuk e konsumova.

Në këtë mënyrë, Policia e Shtetit, sot nën drejtimin e drejtuesve përkatës, duhet të reagojë për vrasjet që po ndodhin në mbarë vendin, për aksidentet rrugore që kanë kaluar shifrat e gjysmës së parë të vitit të kaluar dhe për vepra të tjera penale që cenojnë jetën, shëndetin apo pronën e bashkëqytetarëve, e jo për një fyerje, të cilën besoj se secili prej nesh, përfshirë edhe komentuesit që fshihen pas adresave të rreme dhe shkruajnë çdo lloj fyerjeje ndaj meje dhe familjes sime, e ka bërë ose e bën pothuajse çdo ditë, në një formë apo në një tjetër.

Kur u intereson, thonë se shërbimi në turizmin shqiptar lë për të dëshiruar. Por kur një klient, që në këtë rast isha unë, i ngarkuar emocionalisht, e kalon cakun dhe gabon duke fyer këtë shërbim që lë për të dëshiruar, atëherë kryqëzohet si nga “kolegët e mi të drejtësisë”, ashtu edhe nga publiku.

Askush nuk e vë asnjë moment veten në vendin tim. Aktualisht jam i papunë dhe mbaj një familje prej gjashtë personash: bashkëshorten, tre fëmijët dhe nënën. Ata u terrorizuan nga kontrolli i rreth 20 punonjësve të policisë, të cilët nuk kanë faj, sepse zbatojnë urdhrat e “drejtuesve rigorozë”, që urdhërojnë shoqërimin, arrestimin dhe kontrollin e banesës së një oficeri të lartë policie. Në fund të fundit, njeri jam edhe unë, si gjithë të tjerët, pavarësisht profesionit, dhe e gjithë kjo ndodhi vetëm sepse fyeva një anëtar të stafit të një biznesi.

Asnjë nga “kolegët e mi të drejtësisë” nuk merr parasysh shërbimin që kam kryer për 20 vjet, misionet jashtë vendit me partnerët ndërkombëtarë si paqeruajtës në Mosul të Irakut në vitin 2004, kualifikimet e mia apo rezultatet që kam arritur.

Së fundmi isha unë oficeri që arrestoi turkun e kriptomonedhave. Isha unë në drejtimin e qarkut Elbasan, ku e mora detyrën pas një procesi zgjedhor të shoqëruar me vrasje dhe, së bashku me skuadrën time, i çuam vrasjet në zero brenda dy viteve. Gjithashtu, zhvilluam dy procese zgjedhore pa asnjë incident në shtatë bashki, si dhe shumë rezultate të tjera, të cilat, për shkak të sekretit hetimor, nuk mund t’i bëj publike.

Kam dashur të flas disa herë, por kam qenë në detyrë dhe nuk më lejohej. Tani që jam i papunë, zgjodha të flas.

Besoj se të gjithë gabojmë. Nuk ka njeri pa gabime. Por, përpara se të gjykojmë dhe të dalim në përfundime të nxituara, duhet ta vendosim veten një herë në këpucët e tjetrit. Sidomos këtë ua kërkoj kolegëve të mi, sepse asnjëri prej tyre nuk do të ndihej mirë nëse do t’i ndodhte ajo që më ndodhi mua.

Qartazi duket se kemi të bëjmë me urdhra emocionalë, hakmarrës dhe të nxitur nga “drejtuesit rigorozë” të Policisë së Shtetit. Arsyet e këtyre urdhrave i dinë vetëm ata që i japin, dhe për këtë më vjen vërtet shumë keq.

Tre ditë përpara “ngjarjes” që krijova unë, ndodhi një tjetër ngjarje, por këtë herë reale: ajo me automatik nga jahti. Megjithatë, nuk u shpall askush në kërkim dhe nuk u arrestua askush.

 

Po ndodh...