Konflikti mes shtresës së mesme dhe rinisë me elitat politike në Shqipëri
Nga Artan Funga
Për shkak të emigrantëve, të cilëve, atyre që shkuan në fillim ua janë bërë fëmijët burra e gra, si edhe për shkak të komunikimit të tyre të shpeshtë me vëllezërit dhe motrat e mbetura në Shqipëri, popullsia e di se çfarë është Bashkimi Evropian dhe më gjerë, Perëndimi.
Kurse një pjesë e rëndësishme e elitave politike e shohin Perëndimin nga hotelet, nga dritaret e avionit ose të taksive, ose nga propaganda.
Një i ri apo e re shqiptare e di se në Perëndim nuk mund t'ja vonosh me muaj pagën punonjësit, e di sa merr një deputete apo deputet në Perëndim në krahasim me të ardhurat mesatare të popullsisë, e di cilësinë e medikamenteve për të moshuarit, e njeh se sa janë pensionet mesatare, e se si vihen para përgjegjësisë ligjore një ministër apo tjetër nëpunës nëse shkelin ligjin, e dinë se si bëhen votimet, etj, etj.
Kurse, në të kundërt, elita politike ka pushtetin, por nuk ka informacion të dorës së parë për Perëndimin, praktikisht për vendet e BE, kurse popullsia tashmë e ka këtë informacion fare në detaje, por nuk ka pikë pushteti.
Kjo është asimetria midis elitës politike dhe masave të gjëra rinore.
Kjo shpjegon shumë nga tensionet e sotme sociale dhe faktin që rinia nuk e honeps fare politikën aktuale.
Nuk është hera e parë që elitat pushtetore shqiptare kanë qenë në këtë gjendje asimetrie.
Drejtuesit komunistë propagandonin socializmin në Bashkimin Sovjetik, e shisnin sapunin për djathë, por nuk e njihnin jetën e përditshme atje, atë e njihnin studentët shqiptarë që studionin atje. Por këta mbyllnin gojën, nuk flisnin.
Vetëm në kohën e Perandorisë Osmane, intelektualë të ndryshëm që jetonin në Stamboll, dhe ish deputetë të parlamentit turk, si Ismail beu, etj., e njihnin nga afër jetën dhe si funksiononte përditë Perandoria.
Edhe elita politike nacionaliste në vitet '40 hyjnizonte Hitlerin, por nuk e dinte se çfarë po bëhej në Gjermaninë e kohës. Hante kumbullat e propagandës hitleriane.
Por, t'i lëmë këto. Tani kjo është asimetria që prodhon përplasje.
Rinia dhe shtresat e mesme janë më të emancipuara se sa politikanët, por nuk kanë pushtet, kurse klasa politike nuk ka pushtet, por është nën nivelin e shqiptarit të mesëm të edukuar me arsim të lartë, dhe që ndjek fuqishëm mediat dhe kulturën televizive perëndimore, jeton jashtë vendit, ose ka vëllezër dhe motra atje, apo udhëton atje herë pas here, pa e parë hënën me syze pa lente!
Elita politike nuk lexon më! Desha të them nuk lexon atë që duhet. As mediat e shkruara perëndimore, as letërsinë evropiane, as libra politologjie, sociologjie, historie, apo filozofie perëndimore...
Ku e di unë? Mjafton të dëgjosh ligjërimet e tyre publike..., fjalorin që përdor. Kanë mbetur pas kohës!
Po ndodh...
Pushtetit të Ramës nuk i mjafton më Berisha!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128