Azgan Haklaj: Diktatura dhe neodiktatura, dy epoka, dy ambasadorë, dy misione të ndryshme!

7 August 2026, 14:19 / POLITIKË NGA AZGAN HAKLAJ
Azgan Haklaj: Diktatura dhe neodiktatura, dy epoka, dy ambasadorë, dy

Nga Azgan Haklaj

Kur William Ryerson mbërriti në Tiranë në marsin e vitit 1991, ai nuk solli me vete thjesht protokollet e zakonshme diplomatike, por një shkëndijë shprese mbi gërmadhën e diktaturës më të egër të Europës Lindore. 

Për një popull të izoluar e të terrorizuar, SHBA ishte "toka e premtuar", ndërsa prania e ambasadorit amerikan në krah të studentëve i dha goditjen përfundimtare tabusë së frikës.

​Sot, pas më shumë se tre dekadash, mbërritja e ambasadorit të ri amerikan rizgjon sërish të njëjtën shpresë tek Washingtoni. 

Mirëpo terreni politik nuk është më i njëjti, e për rrjedhojë, as misioni diplomatik.

Ndryshimi i regjimit: 

Nga terrori te kapja e shtetit!

​Në vitet '90, armiku ishte i qartë, një diktaturë klasike monopartiake që mbahej në këmbë me terror shtetëror, tela me gjemba dhe censurë zyrtare. 

Misioni i Ryerson-it ishte të nxisë rënien e atij regjimi të izoluar dhe të hapë rrugën e pluralizmit politik.

​Sot, sfida e shoqërisë shqiptare është shumë më e ndërlikuar. 

Përballja nuk është më me diktaturën e vjetër, por me atë që në fjalorin politik quhet neodiktaturë apo republikë e korrupsionit.

Fasada demokratike:

Ky sistem nuk përdor burgjet politike, ai funksionon përmes kapjes së shtetit (state capture) dhe opozitës.

Ky ​kontroll subtil ruan zgjedhjet periodike, anëtarësimin në NATO dhe përpjekjet për integrim europian, ndërsa në prapaskenë konsolidon kontrollin mbi institucionet e pavarura, ekonominë e tregut, median dhe opozitën përmes monopolit të financave dhe korrupsionit të nivelit të lartë.

Dy epoka, dy misione diplomatike të ndryshme!

​Pushteti dhe opozita e vjetër janë të shkrira në një zigotë interesash të përbashkëta, duke bërë që shoqëria ta shohë sërish përfaqësuesin e Shtëpisë së Bardhë si një shpëtimtar mesianik. 

Por dy misionet ndryshojnë rrënjësisht:

​Kataliza e Ryerson (1991): 

Ryerson ishte një katalizator i drejtpërdrejtë terreni. Prania e tij fizike në sheshe vërtetoi se regjimi komunist kishte humbur çdo legjitimitet ndërkombëtar, duke i dhënë guxim lëvizjes popullore.

Kataliza e sotme diplomatike: 

Misioni aktual është institucional dhe strukturor. 

Ai ushtrohet përmes presionit pa ekuivok për forcimin e SPAK-ut, zbatimit të sanksioneve antikorrupsion (listat non-grata) dhe heqjes së çdo mbrojtjeje politike për zyrtarët e korruptuar.

​Diplomacia amerikane sot përballet me një dilemë të hollë:

Ruajtjen e stabilitetit gjeopolitik në rajon kundrejt nxitjes së reformave rrënjësore kundër impunitetit. Mirëpo, stabilokracia pa sundim ligji nuk është gjë tjetër veçse konsolidim i neodiktaturës.

​Në kiminë politike, katalizatori përshpejton reagimin, por kurrë nuk e zëvendëson dot lëndën e parë. 

Washingtoni mund t'i heqë oksigjenin e mbështetjes ndërkombëtare pushtetit të kapur, por ndërtimi i një demokracie reale mbetet detyrë e brendshme.

​Çeshtja kombëtare dhe trashëgimia e aleancës strategjike!

​Përballja me neodiktaturën nuk mund të jetë thjesht një betejë për rrotacion politik, por duhet të kthehet në një projekt strategjik kombëtar. 

Aleanca me SHBA-në nuk është një konvergjencë e çastit, e rrethanave politike të ditës, por boshti ekzistencial i vetë çeshtjes kombëtare, i provuar në çdo udhëkryq historik:

​Woodrow Wilson (1919):

Parandaloi copëtimin e mëtejshëm të Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris.

​Richard Nixon (1972): 

Në qeverisjen e tij sinjalet e para të zbutjes gjeopolitike hodhën farën për rikthimin e Shqipërisë në botën e lirë dhe avancimin e autonomisë së Kosovës në vitin 1974.

​George H.W. Bush (1992): 

Vendosi "vijën e kuqe" Paralajmërimi i Krishtlindjeve ndaj Millosheviçit:

Mos prekn Kosovën!

​Bill Clinton (1999): 

Me urdhërin e tij ndërhyrja e NATO-s shpëtoi popullin e Kosovës nga gjenocidi.

​George W. Bush (2007): 

Deklaroi nga Tirana pavarësinë e Kosovës, e shoqëruar me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

​Sot, përkujdesja diplomatike dhe strategjike amerikane mbetet garancia kryesore për ruajtjen e identitetit dhe mbrojtjen nga pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, konsolidimin e faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut e Mal të Zi, si dhe sensibilizimin e Kauzës Çame. 

Përballë pretendimeve rajonale sllave nën tutelën ruse, SHBA është garancia e beslidhjes panshqiptare e shtetit komb të shqiptarëve.

​Diplomacia e Shtëpisë së Bardhë është aleati natyral në sprovën kundër kapjes së shtetit.

Mirëpo, ashtu si presidentët amerikanë bënë detyrën e tyre për kombësinë tonë në botë, formulimi i vizionit kombëtar dhe çrrënjosja e neodiktaturës nga brenda mbetet detyrë historike e vetë shoqërisë shqiptare.

Kerkohet veprim me guxim e qytetari, rezistencë e konseguencë për çlirimin e demokracisë nga kthetrat e oktapodit të regjimit oligarkik, plutokratik, kleptokratik, kakistokratik.

Tani e ka fjalën sovrani që ka dalë në shesh prej më shumë se dy muajsh dhe çdo ditë po i bën Nuremberg-un kastës së vjetër dhe kërkon t'i japë fund establishmentit për të sjellë demokracinë reale.

Protesta qytetare, drejtësia e re, aleati strategjik SHBA do të shembin republikën korrupsionit.

​Shqiptarët, përjetësisht, duhet ta mbajnë në akord shqiptaro-amerikan çiftelinë!

Po ndodh...