“Ndjenjë e papërshkrueshme”/ Milot Avdyli optimist për suksesin e Kosovës në Ligën e Kombeve

22 September 2026, 23:57 / SPORT ALFA PRESS
“Ndjenjë e papërshkrueshme”/ Milot Avdyli optimist

Sulmuesi Milot Avdyli ka folur për emocionet e veçanta që përjeton një futbollist kur përfaqëson Kosovën në ekipin A.

Avdyli, i cili ka kaluar nëpër të gjitha grupmoshat e “Dardanëve”, ka marrë ftesën e parë nga përzgjedhësi Franco Foda për katër ndeshjet e Kosovës në Ligën e Kombeve.

Në një prononcim për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës, Avdyli tha se është i gatshëm të japë maksimumin dhe të dëshmojë vlerat e tij.

“Kam qenë në të gjitha gjeneratat. Normalisht, është një ndjenjë e papërshkrueshme të luash për Kombëtaren A, krejtësisht ndryshe. Shpresoj që do ta tregoj veten dhe do të zhvillojmë katër ndeshje shumë të mira”, u shpreh Avdyli.

Futbollisti foli edhe për pritjen që i është bërë nga pjesëtarët e ekipit, duke theksuar atmosferën pozitive në grumbullim.

“Mirëpritja ka qenë mjaft e mirë. Ka shumë futbollistë me të cilët kam luajtur më herët, por edhe futbollistët me më shumë eksperiencë më kanë pritur shumë mirë, si mua, ashtu edhe dy futbollistët e tjerë. Kështu që jemi shumë të lumtur”, tha ai.

Avdyli u shpreh optimist edhe për rezultatet e Kosovës, duke vlerësuar kombinimin e lojtarëve të rinj me ata me përvojë.

“Besoj se do të kemi rezultate pozitive, duke pasur parasysh se çfarë ekipi kemi. Kemi lojtarë të rinj dhe me eksperiencë, të cilët mund ta bëjnë dallimin. Shpresoj që mund t’i fitojmë ndeshjet”, përfundoi Avdyli.

Kosova do të zhvillojë edhe dy seanca stërvitore të mërkurën, përpara ndeshjes me Irlandën, e cila do të luhet të enjten në orën 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Po ndodh...

ide