Gaz Bardhi u nis ti merrte shtëpinë Berishës, përfundoi "bashkë në diversitet"

12 Shkurt 2024, 20:01 / IDE NGA BATO KOSOVA

Gaz Bardhi u nis ti merrte shtëpinë Berishës, përfundoi
Gazment Bardhi kurorëzoi sot përpjekjet një vjeçare për tu bashkuar me non gratën, ose siç i pëlqen atij, me babain e Zenit.

Gazment Bardhi njoftoi se Jorida Tabaku, mori pjesë online për arsye shëndetësore në mbledhjen e bashkimit edhe formal me nongratën. Ai konfirmoi kështu se dhe ajo e cila deri më tani ishte shfaqur neutrale, i është bashkuar Rithemelimit, gjithnjë sipas njoftimit të shpërndarë nga Gazment Bardhi.

Nga Amerika, pra Bardhi dhe Tabaku shkuan direkt në prehrin e Berishës, duke ia bërë dhuratë në prag të vizitës së Antoni Blinken me të cilin Berisha siç thotë vetë, ka një gjyq të hapur në Paris.

Për këdo që kishte dyshime se ky grupi i deputetëve bardhistë kishte parime, sot u tregua se në fakt ishte thjesht një pazar në vazhdim. Vetëm mos mbyllja përfundimtare e këtij pazari, i kishte mbajtur larg njëri- tjetrit për rreth një vit. "Por më në fund, puna një vjeçarë u kurorëzua sot", tha Gazment Bardhi.

Pra paska plot një vit që nga njëra anë saboton PD dhe nga ana tjetër, punon për Sali Berishën!

Prandaj nuk donte as zgjedhje e as riorganizim, sepse po rriste pazarin për ta dorëzuar PD-në te Sali Berisha.

Por tani është hapur loja. Sali Berisha josh si bariu delet për ti futur fillimisht brenda stallës, pastaj fillon dhe disa prej tyre i bën kurban. Kurse disa të tjera i shet, sepse në fund të fundit ai sheh interesin e vet. Këtë ka bërë gjithmonë, këtë do bëjë edhe tani. Shembujt janë aty, Tritani, Pollo, Imami, etj.

Në 20 shkurt këta gazbardhistat, do të testojnë peshën e tyre. Sa vlerë kanë tek qytetarët. Edhe pse siç u pa në protestën e fundit, u desh që Flamur Noka ta merrte në mbrojtjen e tij Gaz Bardhin sepse ai vazhdon që të jetë i padëshiruar për demokratët e të dy kampeve, pasi ka treguar zero moral dhe karakter kudo ku ka qenë.

Nga njeriu që ka sulmuar më shumë se kushdo ashpër Sali Berishën, te njeriun që kërkon ti marrë shtëpinë, (Rithemelimin), té ngritur me shumë sakrifica dhe shpenzime. Ky është misioni i tij dhe i shumë të tjerëve, të cilët presin vetëm momentin e dorëzimit të Berishës.

Por si një njeri i përballur shpesh me situata të jashtëzakinshme gjatë 34 viteve në politikë, Berisha e di se në fillimi duhet joshja, pastaj vjen poshtërimi. U tregon të gjithëve se nuk dhanë atë që duhej dhe kishin premtuar për kauzën e partinë, pastaj se nuk kanë fare peshë elektorale, etj. Kështu i zhvlerëson deri në poshtërim, duke i flakur në një cep të stallës së tij. Këtë u ka rezervuar edhe gazbardhistëve dhe kjo ditë po vjen shpejt. Do ti testoj edhe për protestën e 20 shkurtit, sa për formalitet. Berisha e di me saktësi që ata kane zero peshë te demokratët dhe tek njerëzi, por 2-3 prej tyre mund ti shpërblejë për shërbimin që bënë për 1 vit rresht për të dobësuar PD-në. Bëhet fjalë për ndonjë konvertim me mandat, në zgjedhjet e 2025.

Të zënë nën kurth, tashmë ata nuk kanë asnjë zgjidhje tjetër, veçse ti nënshtrohen pushtetit që doktori nga arresti, i ka deleguar Nokës.

Siç hyri, si aksident në politikë, i tillë do të dalë prej saj Gaz Bardhi. Jo vetëm i bashkuar në "diversitet", por edhe i "bashkuar" në mungesë karakteri dhe dinjiteti.