Kur politika ndëshkon përmbajtjen: Rasti Lulzim Basha dhe standardi i refuzuar

7 Prill 2025, 12:07 / IDE NGA NELI DEMI

Kur politika ndëshkon përmbajtjen: Rasti Lulzim Basha dhe standardi i

Hyrje personale

Vendimi për t’u përfshirë në jetën politike nuk ka qenë i lehtë për mua. Asnjë profesionist që ka kaluar dekada në përballje me njeriun, siç është rasti im si psikoterapist, nuk i afrohet politikës me naivitet. Por ajo që më shtyu të angazhohem nuk ishte entuziazmi për ndonjë figurë të caktuar, por bindja se duhet të ketë zëra që flasin për standarde, jo për kalkulime të çastit.
Vendimi për të mbështetur Lulzim Bashën në shtator 2021, kur ai largoi Sali Berishën nga grupi parlamentar pas shpalljes non-grata nga SHBA dhe MB, nuk ishte akt i impulsit. Ishte një konvergjencë parimesh — një përputhje me atë që mendoja prej kohësh: se pa ndarje me të shkuarën e pandëshkuar, nuk mund të ketë politikë normale në Shqipëri.

Nuk kam pasur lidhje të mëparshme me karrierën e tij. E kam ndjekur si qytetar, si vëzhgues, si njeri që përpiqet të kuptojë më shumë përse ky vend sillet në një rreth vicioz. Dhe ajo që pashë ishte një figurë që nuk reagonte siç ishim mësuar por pa zhurmë, pa retorikë të ashpër, pa taktika mbijetese.
Në këtë tekst, përpiqem të analizoj pse qëndrimi i tij nuk u tolerua, pse pati një reagim disproporcional ndaj një lider që nuk bëri asnjë gjë tjetër përveçse zgjodhi të mos përshtatet me të vjetrën.

1. Fushata sistematike e delegjitimimit: mbi 50 milionë mesazhe të paguara

Sipas analizave të kryera nga kompani të pavarura që monitorojnë komunikimin digjital në Ballkan, deri në vitin 2021 janë shpërndarë mbi 50 milionë mesazhe të paguara në rrjete sociale kundër Lulzim Bashës. Këto nuk janë kritika organike apo reagime spontane të qytetarëve. Janë pjesë e një mekanizmi të strukturuar për të ndërtuar një perceptim publik delegjitimues, për ta shuar figurën e tij si opsion politik të vlefshëm.

Në vend të debatit mbi programin, mbi vendimet apo mbi rezultatet, kemi pasur përpjekje për të krijuar një identitet negativ të qëndrueshëm, për t’ia ngjitur publikut si perceptim të tijin. Kjo nuk është më politikë — është operacion manipulimi të perceptimit. Dhe është një përmasë e re e degradimit të jetës publike në Shqipëri.

2. Vendimi i shtatorit 2021: përplasje mes standardit dhe realitetit

Kur Basha mori vendimin për të larguar Berishën nga grupi parlamentar, ai veproi në përputhje me atë që çdo lider normal europian do të kishte bërë: distancim nga një figurë e shpallur non-grata nga aleatët strategjikë të vendit. Kjo nuk ishte thjesht një çështje partie; ishte një çështje që prekte legjitimitetin e opozitës dhe të politikës shqiptare përballë partnerëve ndërkombëtarë.

Në vend që ky vendim të vlerësohej si akt politik i pjekur, ai u shndërrua në momentin e fillimit të një fushate të re linçimi, këtë herë edhe nga struktura të brendshme të opozitës. Ky reagim tregon se sistemi nuk e përballon dot ndarjen nga e vjetra — dhe çdo përpjekje për të ndërtuar një rregull të ri, sado të arsyeshëm, ndëshkohet.

3. Rasti McGonigal: komprometimi ndërkombëtar dhe mungesa e reagimit institucional

Përmes hetimeve të FBI-së, u bë publike se Charles McGonigal, ish-drejtor i kundërzbulimit të FBI në New York, kishte marrë pagesa të fshehta për të ndikuar në zhvillimet politike në Shqipëri. Në këtë skemë, përfshihet edhe përpjekja për të implikuar Lulzim Bashën në një aferë të supozuar lobimi me para ruse, menjëherë pas zgjedhjeve të 2017-ës.

McGonigal është dënuar tashmë në SHBA. Por në Shqipëri, deri tani, nuk ka pasur as hetim, as përgjegjësi politike, as transparencë publike. Asnjë analizë e thellë se si mundet që një zyrtar i FBI-së të ndërhyjë në skenën politike shqiptare pa pasur bashkëpunim të brendshëm. Dyshimet janë të arsyeshme që ky operacion është ndihmuar edhe nga individë brenda opozitës vetë, të lidhur me linjën e vjetër që Basha tentoi të lërë pas.

4. Qasja jo-konfliktuale: perceptimi si dobësi në një kulturë politike të fryrë emocionalisht

Ndryshe nga ajo që pritet nga një lider politik në Shqipëri, Basha nuk reagoi me retorikë agresive, as kur u sulmua nga jashtë, as kur u sabotua nga brenda. Nuk e përdori pozicionin e tij për të ngritur skandale personale. Qëndroi në linjën institucionale. Në një vend ku lidershipi shpesh identifikohet me energjinë e konfrontimit, kjo përmbajtje është lexuar si mungesë force.

Por nga një perspektivë tjetër, më afër praktikave të demokracive të konsoliduara, kjo është një sjellje politike e matur, që mban linjën edhe kur nuk sjell përfitim të menjëherëshëm dhe afatshkurtër. Ajo që në Shqipëri perceptohet si pasivitet, në fakt është një formë e vetëdijshme qëndrueshmërie.

5. Përfundim: kush e ka luksin të jetë ndryshe?

Rasti i Lulzim Bashës është test për politikën shqiptare. Test që ende nuk është kaluar. A jemi në gjendje të tolerojmë një figurë që nuk bërtet? Që nuk përdor krizën për të kërkuar mëshirë? Që nuk e shndërron konfliktin në kapital?

Nëse përgjigjja është jo, atëherë sistemi mbetet i mbyllur për çfarëdo përpjekjeje emancipimi politik dhe institucional.
Dhe Shqipëria, përkundër gjithë fjalëve për reformim, do të mbetet peng i modeleve që përsëriten, por nuk përmirësohen.

Nëse përgjigja është po, atëherë këtij vendi i hapet një horizont i gjerë për reformimin e mënyrës të të bërit politikë dhe jo domosdoshmërisht vetëm nëpërmjet Bashës por nëpërmjet të gjithë klasës politike.

Kjo analizë nuk është mbrojtje. Është vëzhgim i qetë i një përplasjeje midis një përpjekjeje për standard dhe një sistemi që ende nuk është gati ta pranojë. Dhe për aq kohë sa kjo përplasje nuk njihet si e tillë, do të vazhdojmë të ndërtojmë zëvendësime të përkohshme, por jo alternativa të vërteta.

Po ndodh...