Kush zhduket nëse nuk fiton Foltorja në 14 maj?!

18 Prill 2023, 16:38 / IDE NGA: SKëNDER MINXHOZI

Kush zhduket nëse nuk fiton Foltorja në 14 maj?!

Ish-kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli ka rënë dhe një herë në auto-hipnozën që krijon ndjesia e pushtetit të gjatë dhe të patrazuar. Ajo ka deklaruar së fundi se “ne do pranojmë që të zhdukemi sepse ne po zhdukemi. Nëqoftëse ne nuk pranojmë se po zhdukemi ne kemi një problem të madh me veten dhe që kjo të stopohet duhet të bëhet diçka e madhe, e fortë, që e ka emrin ndryshim dhe ky ndryshim duhet të fillojë që tani”.

Në thelb Topalli e të tjerë emra të njohur të pushtetit të djeshëm, e identifikojnë prej kohësh qëndrimin e zgjatur në opozitë të palës së tyre politike, me zhdukjen e gjithë Shqipërisë, duke përsëritur një klishe që nuk është vetëm e foltoristëve, por e një liste shumë të gjatë njerëzish të pushtetshëm brenda e jashtë këtij vendi prej kohësh që s’mbahen mend. Kjo klishe thotë se largimi nga pushteti i një kaste politike duhet parë si një të keqe kombëtare, si një burim fatkeqësish të parrëfyera për të gjithë, si fundin e botës jo vetëm për ata vetë, po për çdo qenie njerëzore që frymon nën pushtetin e tyre.

Ky koncept fatalist lidhet me një perceptim jo vetëm subjektiv e të pavërtetë, por edhe me një shtrembërim të të vërtetës mbi të cilën ndërtohet. Nëse nga Shqipëria kanë ikur siç pretendohet 800 mijë veta në tetë vjet (një shifër e hatashme që s’ka asnjë bazë reale), një pjesë jo e vogël e të ikurve e lënë vendin sepse janë të zhgënjyer me të gjithë elitën drejtuese, e jo vetëm një pjesë të saj. Këtu futet padyshim edhe vitrina e politikanëve të rikthyer nga vitet ’90 që kanë hipur mbi kalin e koalicionit opozitar.

Mjafton të shohësh Berishën dhe Metën të rikthyer sikur të ishin politikanë të ditës së parë, e jo liderë të konsumuar deri në skajin më të largët të karrierës, për të pasur më shumë se një motiv për të ikur nga Shqipëria. Megjithatë zhdukja është një fjalë e rëndë. Shqipëria nuk do të zhduket po fitoi Edi Rama në 14 maj, dhe as po fituan Berisha e Meta. Do të qeveriset më mirë apo më keq, kjo është e sigurt, por nuk do të zhduket. Kur s’jemi zhdukur në vitin ’97 vështirë të zhdukemi tani.

Në anën tjetër, e kjo është lidhet me rreshtat e mësipërm, oratorë të opozitës thonë sot se shmangia e kataklizmës në 14 maj ka vetëm një zgjidhje: fitoren e Berishës dhe Metës në emër të ndryshimit!!! Ky është momenti kur memorja e shqiptarit të zakonshëm fillon e fut ujë dhe kacafytet me vetveten. Sali Berisha dhe Ilir Meta mund të jenë gjithçka, mund të jenë edhe Lionel Mesi apo Elon Musk ose Rihana, por ata nuk janë e s’mund të jenë ndryshimi. Nuk mund të ofrohen më si një kartë e re dhe e pakonsumuar në vitin 2023, pasi janë ndër emrat kryesorë që kanë shkaktuar erozionin e shqiptarëve drejt vendeve të tjera në tre dekadat e fundit. Termi “ndryshim” ka kohë që nuk përkon më me emrat e dy zotërinjve në fjalë, të cilët kanë djegur çdo afat skadence me karrierat e tyre të stërzgjatura.

Të thuash se me fitoren e kësaj dysheje Shqipëria do të ndalë rrjedhjen e banorëve të saj në Përëndim, do të thotë të mos jesh i sinqertë me veten dhe të tjerët. Në mënyrë të përsëritur refreni propogandistik që na thotë se po të fitojë opozita e dyshes Berisha-Meta Shqipëria do të ndryshojë drejtim, po punon de facto indirekt për Ramën dhe shumicën e tij. Një ofertë defektoze është më e keqe sesa heshtja. Kjo është gafa e madhe që PD bëri me veten kur pranoi rikthimin e Berishës dhe që do ta paguajë duke humbur në 14 maj.

Pa tërheqjen (jo zhdukjen, pasi është një term acid dhe i panevojshëm) e elitës së vjetër politike nga skena, ashtu siç ka bërë edhe vetë Jozefina Topalli, shqiptarët do të vazhdojnë të ikin nga sytë këmbët. Pa spostimin e kësaj elite, ligji do të vijojë të zbatohet me ngecje, votat do të vazhdojnë të kenë më pak peshë dhe ndryshimi do të jetë sërish një koncept flu e i pakapshëm. Po nuk u hap rubineti i pastrimit të elitave nga emrat e konsumuar djathtas dhe majtas, do të vijojmë të shohim politikanë 80 vjeçarë që kthehen e rikthehen pafund majë kalit të politikës. Çdo gjë mund të jetë kjo, përveçse ndryshim.