Po në Rinas, ku ishte policia, znj. Koçiu?!

11 Nëntor 2025, 16:05 / IDE NGA ERMAL PEçI

Po në Rinas, ku ishte policia, znj. Koçiu?!

Ka fjali që mjafton t’i thuash njëherë dhe historia kujdeset vetë për t’i kthyer në boomerang. Ministrja e Brendshme, znj. Albana Koçiu, deklaroi me plot seriozitet:
“Unë nuk besoj se ka ndonjë vend të botës ku polici të rrijë në kuzhinë për të parandaluar që djali të godasë babain me thikën e bukës, apo në një vend të botës ku polici rri në kuzhinën e restorantit për të parandaluar picierin të godasë me thikë kuzhinierin.”

E tha me bindje, me tonin e dikujt që do të shpjegojë absurditetin e kërkesës për siguri të plotë. Por ja që pak minuta më vonë, realiteti i dha një shuplakë të ftohtë këtij cinizmi institucional: në Rinas, po, në Rinas! Aty ku duhet të ketë më shumë policë se kudo tjetër, ndodhi një atentat mafioz në mes të ditës. Një i vrarë, një i plagosur. Në portën hyrëse të Shqipërisë.

Në vend që të ishte polici në kuzhinë, rezulton se nuk ishte as në aeroport! Ky nuk është më paradoks, është dështim sistemik. Më keq akoma: është dështim që ndodh nën shoqërimin e frazave propagandistike që tingëllojnë si humor i zi. Çfarë vlere kanë konferencat për “rend dhe siguri” kur një atentat ndodh mu në zemër të sigurisë kombëtare, në aeroportin ndërkombëtar të vendit?

Siguria kombëtare nuk është thjesht një fjalë për raporte institucionale. Ajo fillon te perceptimi i qytetarit që ndjehet i pambrojtur në çdo hap në rrugë, në treg, në aeroport. Si mund të ndjehet i sigurt qytetari kur një ekzekutim ndodh në mes të ditës në një zonë të mbushur me policë, kamera dhe shërbime sigurie?
Ku është parandalimi për të cilin flitet aq shpesh në konferenca?
Ku janë analizat e inteligjencës policore që duhej të kishin sinjalizuar një rrezik të tillë?
Pse gjithmonë policia shfaqet pas krimit, kurrë përpara tij?

Nuk mjafton të thuash se “po hetojmë”.
Policia duhet të jetë parandaluese, jo dekorative. Nuk mund të funksionojë si një aparat që thjesht mbërrin me sirena pas tragjedisë.
Në një vend normal, pas një ngjarjeje të tillë, do të flitej për përgjegjësi, jo justifikime.
Në Shqipëri, për fat të keq, flitet për fjalime.

Nëse nuk ka kuptim të jetë polici në kuzhinë, mirë, por duhet të ketë kuptim të jetë polici në Rinas. Duhet të ketë kuptim të jetë në çdo vend ku armët flasin lirshëm dhe ku bandat ndajnë territorin pa ndjerë asnjë ndalesë ligjore.

Znj. Koçiu, Shqipëria nuk kërkon që polici të ruajë çdo thikë të bukës, por të mos lejojë që thikat e krimit të ngulen në trupin e shtetit.
Kur vritet dikush në Rinas, nuk është më çështje picierësh apo kuzhinash është çështje e sigurisë kombëtare.
Është një paralajmërim se shteti nuk është as në kuzhinë, as në rrugë, as në aeroport.
Është një shtet që nuk është askund.

Po ndodh...