Rama ka lindur me këmishë, Berisha e bën edhe me kostum...

2 Dhjetor 2022, 10:11 / IDE NGA ZEF NDREKA

Rama ka lindur me këmishë, Berisha e bën edhe me kostum...

Situata politike në Shqipëri, është futur në një fazë të re, në prag përzgjedhjesh për bashkiakët e vendit. Zgjedhjet vendore të 14 Majit kanë vënë në lëvizje motorët e partive politike. Partia e Berishës dhe e Metës kanë shpallur e firmosur koalicionin paraprakisht, por me probleme, që më tepër mendoj se do i ngatërrojë e përçajë.

Dy partitë, ajo e Berishës pa emër deri më tani dhe Partia e Lirisë e Metës, luajnë të dobësojnë dhe të përfitojnë nga njëra-tjetra. Duan të asimilojnë njëra tjetrën siç u mundua Berisha të bëje politikën e faktit të kryer me PD-në zyrtare.

Kanë nisur proçesin e primareve që realisht duhet përshëndetur si risi, me gjithë problemet që ka dhe që ndodhin me elektoratin mbështetës të tyre. Kemi parë dhe dëgjuar krisma armësh brenda foltores, çka tregon se Berisha e ka transmetuar luftën brenda PD-së në luftë të brendshme edhe brenda foltores.

Së fundi, Partia Demokratike filloi të shpallë kandidatët e saj në çdo bashki të vendit, duke u bërë kështu fakt ndarja përfundimtare mes tyre dhe Berishës.

Në këto kondita, fitues del PS-ja, e cila do të marrë shumicën absolute të 61 bashkive në vend.

Edi Rama paska lindur me këmishë, por Berisha e bëri me kostum firmato!

Dhe kështu, loja e tyre vazhdon.

Në të vërtetë nuk është garë, por një luftë politike e ashpër, aspak e qetë, përjashtuese, denigruese do thoja në terrenin e mbushur plot mina, ku veçohet së pari përçarja e PD-së nga Berisha përmes sulmit të tij të vazhdueshëm me armiq imagjinarë, me tradhtarë, me të shitur, me pengje...

Por, halli dhe synimi i tij real dhe shpurës së tij e të mbështetësve të tij drejtohet kundër SHBA-ve, kundër euroatlantizmit.

Vetëdija e Berishës, e ka detyruar përcaktimin e tij, qëndrimin dhe distancimin e plotë në marrëdhëniet me SHBA-të e BE, duke reflektuar ashpër për një drejtësi të varur dhe aspak kurajoze e dinjitoze, për një drejtësi të kapur, të frikësuar nga kasta politike e të korruptuarve dhe të inkriminuarve.

Për Berishën dhe jo vetëm për të, drejtësia nuk duhet të hetoje, duke mbajtur të instaluar pa ndëshkueshmërinë.

Shikojmë gjithashtu presionin që i bëhet drejtësisë , gjyqtarëve e prokurorëve me qëllimin imediat kundër vendimit të Gjykatës së Apelit që akoma nuk ka arritur të japë vendimin e ankimimit të PD-së zyrtare kundër vendimit absurd të Gjykatës së shkallës së parë të Tiranës, i cili njohu Berishën dhe Foltoren private të tij pa qenë palë legale në konflikt. Ai vendim, që ska lidhje me drejtësinë i dha forcë dhe jetë edhe pak kohë trekëndëshit pengmarrës të Shqipërisë...

Berisha, Metaj dhe Rama, gjithë lojën apo betejën politike e bëjnë vetëm për të humbur më tej kohë Shqipëria dhe shqiptarët!

 

Po ndodh...