Investigimi: Si mafia shqiptare ka marrë kontrollin e tregut të kokainës në Britani, rekruton shpërndarës përmes TikTok-ut

Një investigim i gjatë i Sky News ka zbuluar mënyrën se si grupet kriminale shqiptare kanë zgjeruar ndikimin e tyre në tregtinë e kokainës në Britaninë e Madhe, duke ndërtuar një rrjet ndërkombëtar që shtrihet nga Amerika e Jugut deri në rrugët e qyteteve britanike.
Gazetarët investigativë kanë depërtuar në mënyrën e funksionimit të këtyre grupeve, duke përdorur një reporter të infiltruar, i cili është paraqitur si kandidat për t’u punësuar si shpërndarës droge.
Një nga takimet u zhvillua në një kafene në Exeter, ku një 58-vjeçar shqiptar, i identifikuar me emrin Leo, po zhvillonte një intervistë pune për rekrutimin e një shpërndarësi të ri kokaine. Ai nuk e dinte se personi përballë tij ishte gazetar dhe po regjistronte fshehurazi bisedën.
Gjatë takimit, Leo i ofroi gazetarit një vend për të qëndruar, një listë çmimesh dhe punë si shpërndarës droge. Madje, ai e nxiti të fillonte menjëherë punën, duke i sugjeruar që të niste shpërndarjen që në mesditë.
Në bisedë, ai shpjegoi çmimet e kokainës, uljet për klientët që blinin disa doza dhe mënyrën se si funksiononte aktiviteti. Kur u pyet nëse policia përbënte problem, ai u përgjigj se nuk ishte shqetësim.
Investigimi nisi në TikTok, ku gazetarët zbuluan dhjetëra njoftime në gjuhën shqipe për vende pune si shoferë, me pagesa të larta, karburant dhe akomodim të përfshirë. Disa prej tyre shoqëroheshin me simbolin e flokëve të borës, që përdoret shpesh si referencë për kokainën.
Për të depërtuar në këto rrjete, gazetarët bashkëpunuan me një person që fliste shqip dhe krijuan identitete të rreme për reporterin e infiltruar, duke përdorur edhe një telefon të posaçëm për të mbrojtur identitetin e tij.
Gjatë hetimit, një tjetër takim u zhvillua në Wigan, në një automjet të parkuar pranë një këndi lojërash për fëmijë. Kreu i grupit i ofroi gazetarit 280 paund në ditë për të shitur kokainë, një pagesë që sipas investigimit do të përkthehej në të ardhura vjetore shumë të larta.
Si u fuqizuan grupet kriminale shqiptare në Britani?
Sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit në Britani (NCA), grupet kriminale shqiptare kanë marrë kontrollin kryesor mbi importimin e kokainës në vend.
Sipas investigimit, fuqizimi i tyre nisi në vitet 1990, kur grupet shqiptare krijuan lidhje të drejtpërdrejta me furnizuesit në Amerikën e Jugut, duke shmangur ndërmjetësit evropianë. Kjo u mundësoi të siguronin kokainë me cilësi më të lartë dhe me çmime më të ulëta, duke rritur fitimet.
Britania e Madhe konsiderohet konsumatori më i madh i kokainës në Evropë, ndërsa konsumi i kësaj droge është rritur me më shumë se 25% gjatë pesë viteve të fundit, sipas NCA-së.
Nga trafiku i drogës te kontrabanda e emigrantëve
Një tjetër zbulim i investigimit lidhet me lidhjet mes trafikut të drogës dhe kontrabandës së emigrantëve.
Gazetarët identifikuan një njoftim në TikTok, në gjuhën shqipe, ku ofrohej transporti i personave që kishin probleme me drejtësinë nga Britania drejt Evropës, me premtimin e një udhëtimi të sigurt çdo javë.
Pas kontaktimit përmes një profili të fshehtë, reklamuesi ofroi transportin e një personi që kërkohej nga policia, me kamion, kundrejt pagesës prej 2,500 paundësh.
Sipas NCA-së, ekzistojnë lidhje të ngushta mes disa grupeve shqiptare të trafikut të drogës dhe rrjeteve të emigracionit të paligjshëm.
Në kuadër të investigimit, gazetarët intervistuan edhe një shtetas shqiptar, i cili kishte mbërritur në Britani me një gomone dhe më pas ishte përfshirë në trafikun e drogës. Ai tregoi se udhëtimi i tij ishte financuar nga të afërmit, me kushtin që pas mbërritjes të punonte për shpërndarësit shqiptarë të drogës.
Sipas dëshmisë së tij, ai ishte larguar nga hoteli ku qëndronin emigrantët dhe kishte përfunduar duke punuar në një fermë kanabisi në Manchester.
Megjithatë, investigimi thekson se shumica dërrmuese e shqiptarëve që jetojnë në Britani nuk kanë asnjë lidhje me krimin e organizuar.
Ekspertët e cituar në dokumentar paralajmërojnë se pas çdo transaksioni droge fshihen histori shfrytëzimi, dhune dhe përfshirjeje të personave vulnerabël.
Po ndodh...
Berisha, “Kali i Trojës” i Ramës për shqiptarët që nuk e duan
ide
Nuk na duhet një marrëveshje PS-PD, na duhet demokracia!
"RNB-BNB", si thirrje për t’i dhënë fund tranzicionit!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128

