Izraeli kërcënon Hamasin: Do të zhvendosim 1 milion palestinezë në jug të Gazës nëse nuk dorëzoni armët

26 November 2026, 14:54 / BOTA ALFA PRESS

Izraeli kërcënon Hamasin: Do të zhvendosim 1 milion

Ministri izraelit i Mbrojtjes në largim, Yisrael Katz, ka kërcënuar me zhvendosjen e një milion palestinezëve drejt jugut të Rripit të Gazës, nëse Hamasi nuk dorëzon armët dhe nuk pranon çmilitarizimin e enklavës, në përputhje me planin e propozuar nga Shtetet e Bashkuara. Kërcënimi vjen në një kohë kur ushtria izraelite ka intensifikuar sulmet e synuara kundër Hamasit, pavarësisht armëpushimit në fuqi.

Katz deklaroi se Hamasi ka dy mundësi: të çarmatoset vullnetarisht dhe të pranojë çmilitarizimin e Gazës, sipas planit të presidentit amerikan Donald Trump, ose të përballet me një operacion ushtarak izraelit. Në rastin e dytë, sipas tij, operacioni do të shoqërohej me zhvendosjen e rreth një milion banorëve të Gazës drejt jugut të territorit palestinez. Aktualisht, pothuajse e gjithë popullsia palestineze, e vlerësuar në rreth 2.1 milionë banorë, është zhvendosur brenda enklavës dhe është përqendruar në afërsisht një të tretën e territorit të Rripit të Gazës. Dy të tretat e tjera janë nën kontrollin e ushtrisë izraelite.

Sipas marrëveshjes së armëpushimit, të ndërmjetësuar nga Donald Trump dhe të zbatuar në tetor 2025, ushtria izraelite mund të mbajë një prani në 53% të territorit të Gazës. Megjithatë, vetë ushtria izraelite pranon se kontrollon më shumë se 60% të enklavës. Ndërsa Katz deklaroi se 70% e territorit është shkatërruar dhe ndodhet nën kontrollin e forcave izraelite. “Kontrolli i Hamasit mbi 30% të mbetur është një iluzion”, u shpreh ministri izraelit në largim.

Plani i mbështetur nga SHBA-ja parashikon çarmatimin e Hamasit dhe tërheqjen e ushtrisë izraelite nga Gaza. Hamasi e kishte miratuar këtë udhërrëfyes në fund të korrikut, por kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka kundërshtuar tekstin, duke këmbëngulur për çarmatimin e plotë dhe të verifikueshëm të organizatës. Pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit, deklaratat e fundit të Katz tregojnë se mosmarrëveshjet për të ardhmen e Gazës dhe kushtet e zbatimit të planit amerikan mbeten të pazgjidhura.

 

 

Po ndodh...

ide