
Botim i UET PRESS/ Preç Zogaj sjell romanin “Nata” një përplasje tragjike fatesh njerëzore të tranzicionit shqiptar

“Nata” është romani më i ri i shkrimtarit Preç Zogaj, i cili përmes fateve tragjike të personazheve të tij sjell për lexuesit realitetin letrar të tranzicionit shqiptar. Libri, botim i UET PRESS, u promovua të premten në Qendrën e Artit Agimi mes shumë personalitetesh të kulturës, publicistikës dhe politikës.
Romani konsiderohet tragjik pasi flet për një baba vrasës dhe mbyllet me vrasjen e një prej personazheve kryesore, 20-vjeçares Mariana. Zogaj në fakt e zbulon që në fillim të narracionit se libri flet për një akt të tillë. Për këtë ai nuk mund të thuhet se është libër misteri edhe pse me titullin “Nata” subjekti lihet i pa-nënkuptuar. Arsyet sipërfaqësore dhe se kush e kryen vrasjen autori i zbulon pa fshehtësi duke kaluar dalë ngadalë në përplasjet që përjeton çdo personazh. Me këtë tregim ai skanon kështu shoqërinë shqiptare të 30 viteve tranzicion.
Zogaj përmes historisë së familjes Malaj, e cila pas daljes nga izolimi diktatorial harroi vlerat njerëzore për përfitime materialiste afatshkurtra, përshkruan kështu dhe jep një anatomi të shkëlqyer të tranzicionit shqiptar. Një familje me tre vajza Xhoana, Romina dhe Mariana, që shpërngulet nga zonat rurale dhe e ka të vështirë të përshtatet në zonën e re ku vendoset. Kjo vështirësi trazon ndjenjat patriarkale të kryefamiljarit, Afrimit, i cili e ka të pamundur të gjejë veten. Ai mundohet të komandojë familjen me rregullat e vjetra duke krijuar përplasje me të rinjtë që e kanë përqafuar stilin e ri të jetës. Këtu piqet dhe mendimi i errët, i cili shpaloset me aktin final, vrasjen e së bijës, Marianës.
Për studiuesin dhe shkrimtarin Behar Gjoka subjekti “baba vrasës” i marrë në trajtim nga Zogaj është shumë i ngarkuar nga një kohë kur për realitetin shqiptar mund të thuhet se ky realitet tejkalon edhe vetë artin. Sipas tij romani Nata është roman personazh, që trondit dhe ndërgjegjëson në sajë të dialogut që krijohet nga autori me lexuesit duke nxitur një përjetim të fatit të njeriut dhe dhunës që përjetojnë gratë në Shqipëri.
“Këtu bota e atij [personazhi] që ka ardhur nga veriu i cili nuk gjen veten, sepse ka ardhur bashkë me paragjykimin, bota e atyre vajzave, të tria vajzave [Xhoana, Romina, Mariana], që janë të bukura, gjithë ëndrra nuk gjejnë veten jo sepse kanë ardhur nga larg, por nuk e gjejnë veten sepse ky mjedis është shkatërrimtar. Ky mjedis të bukurën e adhuron për ta dhunuar, ky mjedis, të bukurën, femrën e sheh vetëm si mall për ta shitur dhe kjo akuzë do të thosha, e bërë mjeshtërisht nga autori, e bën që ky dimension i botës romanore të na vijë në atë formën ku tjerrim mendime, është fati ynë, jemi ne aty,” – u shpreh Gjoka duke e konsideruar Zogajn një shkrimtar psikolog që ka mundur të hyjë në botëkuptimet e plota të personazheve të tij.
Zogaj njihet si shkrimtar lirik, poet, eseist, romancier, por edhe tregimtar. Në disa dekada aktivitet, ai ka pasur plot botime të suksesshme në poezi si “Ngjarje në Tokë” (2011), “Fundi, një fëmijëri tjetër” (2013), “Ushtrimet e melankolisë” (2016), “In Love” (2017), apo “Një e tretë, dashuria” (2021). Por Zogaj ka dëshmuar të jetë i suksesshëm edhe në zhanrin e novelave dhe romaneve duke spikatur me botime si “Anjeza nuk u zgjua” (2019) dhe “Bija e vjetër e nënës së re” (2022), botuar nga UET PRESS.
Ajo që dallon në veprimtarinë letrare të Zogajt, sidomos në romane, është vëmendja dhe pozicioni gati-gati denoncues, që ai i kushton figurës së gruas. Ngjashëm ndodh në romanin “Nata”. Duke marrë trajta feminizmi në qasje, Zogaj i portretizon vajzat e romanit si heroina tragjike, të cilat mundohen të mbijetojnë dhe lulëzojnë në një shoqëri që nuk është vetëm patriarkale, por që në gjendje kaotike, luan pa rregulla dhe përplaset me to.
Për shkrimtaren Mimoza Ahmeti veprimtaria e Preç Zogajt mbetet mbresëlënëse. Sipas saj ajo përçon nuancat poetike që mbart vetë autori në personalitetin e tij, nuanca të cilat i kupton dhe has edhe në marrëdhënien personale me të. Ahmeti veçon te Zogaj përkushtimin te subjekti i femrës në shoqëri dhe dashurisë në tërësi, që sipas saj, është tematikë e rrallë për shkrimtarët shqiptarë.
“Të bën shumë përshtypje, pasi është thuajse i vetmi autor bashkëkohor që i ka kushtuar kaq shumë vëmendje femrës dhe sidomos dashurisë. Në vendin tonë është turp të duash, nuk është turp të bësh gjëra të tjera, madje shihet si burrëri. Por të dashurosh, t’i këndosh femrës, të derdhësh lot për femrën dhe të jesh i brishtë në skenë me këtë ndjeshmëri këtu pothuajse është gati-gati një sakrilegj,” – u shpreh Ahmeti.
Në një botë pa rregulla, apo me rregullat që përcaktohen nga më të fortit, viktimat janë gjithmonë të pafajshmit. Por siç thotë Kryeredaktoria e UET PRESS, Suadela Balliu, romani “Nata” nuk është roman moralist apo vetëm feminist.
“Si një prej aktorëve të rëndësishëm të trazicionit politik, Zoti Zogaj nuk harron të përfshijë edhe politikën në faqet e këtij romani, duke i dhënë edhe asaj dozën e përgjegjësisë në këtë kaos shoqëror, është edhe në sajë të politikës siç është kuptuar dhe ushtruar këtu që shpesh mungon meritokracia për të fituar një vend pune,” – u shpreh Kryeredaktorja e UET PRESS.
Preç Zogaj u lind në Lezhë në vitin 1957. Kreu studimet e larta për Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës e më pas punoi si shkrimtar dhe gazetar. Ai spikati si poet dhe tregimtar premtues gjatë mesit dhe fund-vitet 80-të me botime të vlerësuara si veprat me poezi “Emrat tuaj” (1985), “E pakrye” (1987) dhe novelat “Njëri nga ata” (1987) dhe “Vonesa” (1989). Prej fillimvitet 90-të, e deri në periudhën aktuale, ka kontribuuar ndjeshëm në proceset demokratike duke qenë një nga themeluesit e Partisë Demokratike e më tej mbështetës i pikëpamjeve liberale dhe mendimit të lirë në nisma të tjera shoqërore. Pikërisht formimi poetik, këndvështrimi gazetaresk dhe analitik i pikëpamjeve politike e sociale kanë bërë që Zogaj të marrë një rol të shumëfishtë në romanin “Nata”, për të cilin ai thotë se e kanë frymëzuar “goditjet e vazhdueshme” që ka parë të marrë figura e gruas në shoqërinë shqiptare.
“Ndryshe nga poezia që zakonisht lind nga një shkëndijë, që disa poetë e konsiderojnë edhe qiellore këtë shkëndijë, proza ka si pikënisje, sipas mendimit tim, një goditje shpirtërore, përsëritëse që na vjen nga jashtë nga realiteti që na rrethon apo më e zhytur në histori. Libri Nata që promovojmë sonte ka lindur pikërisht nga goditjet që më kanë dhënë mua dhe vazhdojnë të më japin mua fatet e vajzave dhe grave […] mënyrën se si ajo përballet me sfidat në jetën në familje, në punë, në shoqëri dhe kudo. Por mbi të gjitha goditjet që vijnë nga vrasjet e grave dhe vajzave nga bashkëshortë, ish-bashkëshortë, kriminelë, vëllezër, kushëri, e deri te baballarët e tyre,” – u shpreh Zogaj duke e konsideruar si plagë të madhe me dhimbje të thella që sa herë ndodhin ngjarje të tilla të cilat tjerrin barrën e turpit për meshkujt shqiptarë.
Gjatë fjalës së tij për të promovuar librin, Zogaj, shpjegoi se goditjet e vazhdueshme shpirtërore nga ngjarjet e dhunës dhe vrasjes së grave i kanë lënë një lloj fantazme të viktimës pa faj në qendrën e subjektit të krijimtarisë së tij letrare për të cilën ai dëshiron të flasë.
“Shoqëria vijon të jetë ne një lloj inercie të konceptit shumë arkaik për femrën, për rolin e saj, është temë e madhe, sigurisht nuk mund të ezaurohet në një roman, nuk mund të ezaurohet as nga e gjithë letërsia, por është një temë aktuale për sot që na ndihmon të fotografojmë një realitet kompleks me thënie për të cilat mund të flasë vetëm letëresia,” – vijoi Zogaj.
Gjatë promovimit pati një diskutim të thellë se çfarë mund të quhet letërsi realiste, apo se çfarë elementësh përmban libri i Zogajt. Në këtë diskutim, për shkrimtarin Rudolf Marku në thelbin e çdo vepre të suksesshme ka elemente të pazgjidhura, konflikte që kërkojnë zgjidhje dhe i tillë duket të jetë edhe romani “Nata”. Duke e konsideruar të të njëjtave pritshmëri me romane të huaja dhe klasike, ai tha me bindje se për mënyrën e shkrimit ky roman do t’i rezistojë kohës.
“E gjithë letërsia është një lloj investigimi i së vërtetës, nuk është e lehtë të zbulohet e vërteta, e vërteta ka ndërlikimet e veta dhe përpjekja për të zbuluar të vërtetën është sikurse të zbardhësh një krim. E them këtë sepse romani i Preçit ka një element të romanit policor dhe unë them që në bazën e çdo libri të mirë është një element policor, që i shkon natyrës së letërsisë së vërtetë. Problemi i letërsisë është jo të pasqyrosh realitetin, por ta kthesh realitetin në një realitet fiktiv, në një realitet romanesk, letrar. Kur ndodh që realiteti fiktiv, i trilluar, përputhet me realitetin dokumentar atëherë është një bekim dhe fat i madh i letërsisë dhe ky fat i madh i letërsisë ndodh te romani Nata dhe unë them se ky roman do ta përballojë trimërisht, të pamëshirshmen kohë,” – u shpreh Marku.
Në fund duke iu bashkuar diskutimit të ekspertëve në lidhje me artin dhe letërsinë realiste, shkrimtarja Ahmeti rendi të theksojë mendimin e saj se në përgjithësi arti është relativ për nga mënyra se si ne e lexojmë apo përjetojmë qasjen me të: “Në një moment përfshihesh dhe bie dakord, në një moment tjetër i shmangesh dhe nuk e përqafon”. Por sipas saj kjo natyrë nuk e zbeh aspak rolin e letërsisë nëse ajo përshkruan jetën e qoftë dhe një njeriu të vetëm.
“Realiteti nuk është libri, libri është libër dhe është një probabilitet për të imagjinuar një realitet, sepse unë mund të them me plot gojën se në këto 30 vite femra shqiptare ka bërë një zhvillim të jashtëzakonshëm. I kemi duke punuar në drejtime, menaxhime, krijimtari, gjithkund. Por qoftë edhe fati i një njeriu, qoftë dhe gjendja e një njeriu, në qoftë se është te ky libër, ia vlen,” – theksoi shkrimtarja Ahmeti.
Romani “Nata” do të jetë në stendën e botimeve të UET PRESS gjatë panairit të 26-të të librit që pritet të mbahet nga data 15 nëntor deri më 19 nëntor në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. UET PRESS do të sjellë bashkë me të edhe botime të tjera të autorëve të spikatur dhe dëshiruar nga lexuesit si Pëllumb Kulla, Ilir Ikonomi, Blendi Fevziu etj.

ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128