Pasioni për stilimin e flokëve! Aron Bicaj, parukieri 18-vjeçar në Lezhë

26 Nëntor 2023, 20:17 / JETË ALFA PRESS

Pasioni për stilimin e flokëve! Aron Bicaj, parukieri 18-vjeçar

Krehrin dhe gërshërën jemi mësuar ti shohim vetëm në duart e femrave, por ky nuk është rasti i Aronit ku tashmë prej 2 vitesh kanë gjetur vend mjeshtërisht në duart e tij.

“Ka ardhur shumë natyrshëm, që nga fëmijëria dhe e kam bërë gjatë gjithë kohës më pëlqente e bukura dhe më shume prerja e flokut, kur shihja një flok të kuruar me dukej sikur ishte diçka akoma dhe më e bukur. Dhe thashë pse jo këtë, është diçka që unë dua dhe dua ta bëj”- tha parukieri Aron Bicaj.

Një 18 vjeçar dhe si i vetmi parukier në qytetin e Lezhës nuk kanë munguar as paragjykimet për të, por siç thotë vetë ai suporti ka qenë i madh dhe kjo e ka bërë që të vazhdojë të bëjë atë që ai di me mirë të merret me të bukurën.

“Thashë do ta provoj pse jo, do ta marr si hap të vazhdoj përpara, nëse nuk ec do e le dje do vazhdoj diçka tjetër. Jemi një vend i vogël dhe ka pasur paragjykime, të cilat të vrisnin por që thashë kjo është ajo që dua dhe dua ta bëj. Ngaqë jam i vetmi djalë parukier ka pasur paragjykime dhe meqë jemi në një vend shumë të vogël duhet ti pranojmë, por ka njerëz që më mbështesin dhe janë më shumë se ata që na paragjykojnë. Erdhi një moment që fillova ta dashuroj më shumë punën time dhe njerëzit vazhduan të fokusoheshin më shumë tek puna sesa të paragjykonin”.

Ta duash atë që bën të jep kurajo për të kaluar çdo pengesë dhe ky ka qenë dhe rasti i Aronit, djalit parukier nga Lezha.

“Gjithsecili duhet të bëj atë që ka qejf dhe ja do zemra. Kur e bën diçka me qejf nuk të intereson a ka pushime apo sa janë fitimet”– tha Aroni.

I pyetur nëse do të vazhdojë, ai thotë po.

“Deri sa te kem “takat” po”– u shpreh Aroni.