
Studiuesit lidhin shëndetin e nëntë organeve me sëmundjet në pleqëri

Sa vjeç janë organet e tua? Përgjigjja mund të mos përputhet me moshën tënde kronologjike, dhe një analizë e re tregon se mosha biologjike e një organi mund të parashikojë rrezikun për sëmundje si kanceri, demenca dhe sëmundjet e zemrës.
Kërkimi, i publikuar në Lancet Digital Health, analizoi të dhënat nga Whitehall II, një studim afatgjatë britanik mbi plakjen që ka ndjekur mbi 10,000 të rritur për më shumë se 35 vjet.
Midis viteve 1997 dhe 1999, studimi mblodhi mostra të plazmës së gjakut nga pjesëmarrësit, atëherë të moshës 45–69 vjeç.
Në studimin e ri, u analizuan ato mostra dhe të dhëna pasuese për 6235 pjesëmarrës, të cilët tani ishin të moshës 65–89 vjeç.
Studiuesit matën hendekun mes moshës reale dhe moshës biologjike të nëntë organeve: zemra, enët e gjakut, mëlçia, sistemi imunitar, pankreasi, veshkat, mushkëritë, zorra dhe truri.
Më pas, ata ndoqën të dhënat për sëmundjet që zhvilluan pjesëmarrësit gjatë dy dekadave të ardhshme.
Organet plaken me ritme të ndryshme, si mes individëve, ashtu edhe brenda të njëjtit trup. Ata me organe që plaken më shpejt kishin rrezik më të lartë për 30 nga 45 sëmundje të lidhura me moshën që u studiuan.
Në disa raste, lidhja ishte e drejtpërdrejtë: për shembull, ata me mushkëri të plakura më shpejt kishin më shumë gjasa të zhvillonin sëmundje të frymëmarrjes gjatë periudhës së ndjekjes.
Por në raste të tjera, lidhja ishte më e ndërlikuar. Plakja e përshpejtuar e veshkave lidhej jo vetëm me sëmundje të vetë veshkave, por edhe me sëmundje të organeve të tjera si mëlçia dhe pankreasi.
Dhe kur disa organe plakeshin njëkohësisht më shpejt, rreziku për sëmundje të veshkave rritej ndjeshëm.
“Çuditërisht,” thanë studiuesit, demenca nuk parashikohej më mirë nga plakja e trurit, por nga mosha biologjike e sistemit imunitar.
Sipas tyre, studimi tregon potencialin e një testi të thjeshtë gjaku për të matur shëndetin e organeve në mënyrë specifike, shumë më praktik se metodat e mëparshme.
Në një deklaratë për shtyp, autori kryesor Mika Kivimaki, profesor në Fakultetin e Shkencave të Trurit në University College London, tha se një ditë këto teste mund të “këshillojnë nëse një person duhet të kujdeset më shumë për një organ të caktuar, dhe ndoshta të japin një sinjal paralajmërues të hershëm për rrezikun nga ndonjë sëmundje e veçantë.”

"E keqja Rama apo e keqja Berisha"/ Ku gabon Bushati dhe Kajsiu
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128