Vajza transgjinore nuk mori pjesë në diplomimin e saj, iu kërkua të vishej si një djalë

21 Maj 2023, 21:50 / JETË ALFA PRESS

Vajza transgjinore nuk mori pjesë në diplomimin e saj, iu kërkua

Një vajzë transgjinore adoleshente nga Misisipi ka munguar në diplomimin e saj, pasi administratorët kërkuan që të vishej si djalë për ceremoninë.

Vajza, 17 vjeçe, e identifikuar në dokumentet e gjykatës si L.B., iu komunikua nga zyrtarët e shkollës së mesme Harrison Central se ajo duhet t’i përmbahet kodit të veshjes së djemve për diplomimin dhe të vishte pantallona, çorape dhe këpucë, si një djalë.

Unioni Amerikan i Lirive Civile të enjten ngriti një padi në emër të adoleshentes dhe prindërve të saj, por gjykatësi i qarkut amerikan Taylor McNeel, mbështeti vendimin e shkollës.

Avokati i shkollës kishte argumentuar se ceremonia e së shtunës ishte vullnetare dhe pjesëmarrja nuk është një e drejtë e mbrojtur me kushtetutë.

Ndërkohë, Linda Morris, një avokate për ACLU, e quajti masën “sa zhgënjyese aq edhe absurde”.

“Klientja jonë po turpërohet dhe poshtërohet për arsye të qarta diskriminuese dhe familjes së saj po i mohohet një moment historik që ndodh një herë në jetë për vajzën e tyre,” tha Morris. “Askush nuk duhet të detyrohet të humbasë diplomimin për shkak të gjinisë.”

Adoleshentja kishte plotësuar të gjitha kualifikimet për të marrë një diplomë, sipas zyrtarëve të shkollës dhe madje kishte zgjedhur një fustan të bardhë për ta veshur së bashku me një kapele.

Ligjvënësit e Misisipit kanë prezantuar mbi 30 projektligje këtë vit që synojnë kufizimin e të drejtave të qytetarëve LGBTQ.

Në vitin 2021, shteti u bë i pari që ndaloi sportistët transgjinorë të konkurronin në sportet e grave dhe vajzave.