Guvernatori i Floridas, Desantis do e nis zyrtarisht fushatën për president në ‘Twitter’

24 Maj 2023, 17:00 / KOSOVA ALFA PRESS

Guvernatori i Floridas, Desantis do e nis zyrtarisht fushatën për

Guvernatori i Floridës Ron DeSantis, pritet të shpallë sot kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Zoti DeSantis do e bëjë njoftimin në rrjetin social “Twitter”, gjatë një bisede me pronarin miliarder të kësaj platforme, Elon Musk.

Analistët thonë se zoti DeSantis do të përpiqet që gjatë fushatës të shmangë sa më shumë përballjet me zotin Donald Trump, për të mos larguar përkrahësit e ish presidentit, votat e të cilëve janë të nevojshme për të.

Guvernatori republikan i Floridës, Ron DeSantis, do të nisë zyrtarisht sonte fushatën e tij presidenciale për zgjedhjet që do të mbahen në vitin 2024. Politikani 44 vjeçar planifikon ta shpallë vendimin në një bisedë me pronarin e rrjetit social, ‘Twitter’, Elon Musk.

Zoti Musk tha të martën se biseda, që do të transmetohet drejtpërdrejt në ‘Twitter Spaces’, do të jetë vetëm me audio.

“Do të intervistoj Ron DeSantis-in dhe ai ka mjaft për të thënë. Kjo do të jetë hera e parë që diçka e tillë po ndodh në mediat sociale me pyetje dhe përgjigje që do bëhen në kohë reale”, tha zoti Musk gjatë një paneli për Revolucionin Teknologjik i organizuar nga gazeta amerikane, “Wall Street Journal” në Londër.

Ron DeSantis do t’i bashkohet një gare me shumë kandidatë republikanë, ku do të vendoset nëse partia do të largohet nga ish presidenti Donald Trump, në përpjekje për të rimarrë Shtëpinë e Bardhë nga presidenti Joe Biden.

“Unë e shoh atë duke tërhequr një pjesë të bazës së përkrahësve të zotit Trump dhe duke u bërë më tërheqës për republikanët që duan vërtet një kampion në formën e ish presidentit Trump, por pa problemet e Donald Trumpit”, thotë profesorja e Shkencave Sociale në Universitetin ‘Brown’, Wendy Schiller.

Guvernatori DeSantis deri në zgjedhjet e nëntorit të vitit të kaluar kishte marrëdhënie të mira me ish presidentin Trump, por fakti, që në vend të mbështetjes për ish presidentin, po hyn vetë në garë, ka bërë që ish presidenti të fillonte sulmet ndaj tij para disa muajsh.

“Ai duhet të thotë unë po ju ofroj diçka që nuk e keni provuar. Unë do të jem më i mirë në planin afatgjatë sesa Donald Trumpi dhe unë mund ta fitojë Shtëpinë e Bardhë. Pra, oferta e tij, si një kandidat i qëndrueshëm mendoj se është një strategji e zgjuar”, thotë profesorja Schiller.

Guvernatori DeSantis gjithashtu u ka shpallur luftë të hapur politikave liberale, duke ndaluar nga sistemi shkollor i Floridës librat që flasin për barazinë racore, ka nënshkruar një ligj, që praktikisht e ka bërë abortin të pamundur dhe ka sulmuar të drejtat e komunitetit LGBTI.

“DeSantis është marrë me disa prej çështjeve më të ndjeshme kulturore, të cilat i shërbejnë për të tërhequr elektoratin republikan këto ditë. Sot është pak e vështirë të kuptosh se cilat janë çështjet kryesore që bashkojnë republikanët, por shqetësimi për disa nga politikat e së majtës duket se i bashkon republikanët”, thotë studiuesi i Qendrës së Politikave Dypartiake, Tevi Troy.

Analistët thonë se DeSantis ka të ngjarë të përpiqet të ecë në një vijë të kujdesshme duke shmangur sa më shumë përballjet që mund të vlerësohen denigruese për përkrahësit e ish presidentit Trump, ndërkohë që e bën të qartë se ai mbështet të njëjtat politika, por duke mos qënë aq kontradiktor sa ish presidenti.

 

ide