Mbyllja e administratës në veri, Lista Serbe reagon ndaj Kurtit: S’ka më çfarë t’u ofrojë njerëzve

9 Janar 2025, 12:22 / KOSOVA ALFA PRESS

Mbyllja e administratës në veri, Lista Serbe reagon ndaj Kurtit:

Partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, pretendon se pas këtyre lëvizjeve, “80 punëtorë kanë mbetur në rrugë”. Ajo u shpreh se do të bisedojë mbi mundësitë e ndihmës dhe mbështetjes për ta. “Asnjëri prej tyre nuk do të mbetet pa paga dhe të ardhura dhe ekzistenca e tyre do të mbetet e siguruar. Me nxjerrjen në rrugë të 80 punëtorëve serbë, Albin Kurti vazhdoi fushatën e tij parazgjedhore, të cilën e drejton ekskluzivisht mbi kurrizin e popullit serb, sepse nuk ka çfarë t’u ofrojë votuesve tij”, thuhet në reagimin e Listës Srpska.

Vetëvendosja vazhdon të këmbëngulë në çdo formë që Lista Serbe të mos lejohet të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit, me argumentin se ajo  “është angazhuar në akte terroriste në Kosovë”. Këtë e pohoi një ditë më parë  përmes kabinetit të saj edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila vlerëson se “Lista Serbe është e angazhuar në akte terroriste, akte agresioni dhe cenim të rendit kushtetues”. Prandaj sipas Presidentes ajo beson se “KQZ-ja duhet të vendosë në mënyrë të pavarur”.

Megjithatë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë  ka certifikuar listën Srpska dhe ajo do të jetë pjesë e garës zgjedhore dhe u përfshi në fletëvotim.