Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, KQZ vendos rinumërim të votave në 28 komuna

19 Janar 2026, 14:38 / KOSOVA ALFA PRESS

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, KQZ vendos rinumërim të

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka vendosur rinumërim të plotë të votave në 28 komuna për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Shkak janë bërë pasaktësitë që rezultuan gjatë procesit të numërimit të pjesshëm të votave për kandidatët.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniç deklaroi se procesi i rinumërimit të votave nxori në pah pasaktësi të theksuara në numërimin e votave për kandidatët, ndërsa votat e subjekteve politike rezultojnë kryesisht të sakta.  Në listën e 28 komunave përfshihet edhe kryeqyteti Prishtina.

Numërimi i plotë i votave do të bëhet në këto komuna: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë-Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin-Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.

Paraprakisht, në këto 28 komuna, KQZ kishte vendosur që të rinumëroheshin vetëm 10 përqind të vendvotimeve, ndërsa në 10 komuna të tjera vendosi për rinumërim të plotë.

Vendimi i sotëm vjen pasi gjatë rinumërimit të pjesshëm u vërejtën dallime të mëdha në votat për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit të vitit 2025. Për shkak të këtyre pasaktësive, partitë dhe organizatat e shoqërisë civile kërkuan rinumërim të plotë të votave.

“Sot, para mbledhjes së KQZ-së, ky raport është diskutuar në mbledhjen e Këshillit për Operacione Zgjedhore, nga ku kanë dalë dy rekomandime kryesore: Rinumërimi i të gjitha vendvotimeve edhe për 28 komunat tjera; Ndërprerjen e mandatit për përfaqësuesit e subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Prizrenit. Në fund, në emër të KQZ-së, ritheksojmë se gjetjet nga procesi i rinumërimit do t’i adresojmë në Prokurorinë e Shtetit dhe në të njëjtën kohë ofrojmë bashkëpunimin e plotë institucional në procesin hetimor”, u shpreh Radoniçi.

Kujtojmë që partia e cila triumfoi në zgjedhje ishte Lëvizja Vetëvendosje, duke marrë 57 mandate. Partia e Albin Kurtit arriti të marrë sërish besimin e publikut pas muajsh të tërë krize politike.

Po ndodh...

ide