
Zgjedhjet në Kosovë, KQZ njofton përfundimin e procesit të numërimit të votave


Ka përfunduar mbrëmjen e sotme procesi i numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Lajmin për përfundimin e procesit të numërimit e ka dhënë, zëdhënësi i KQZ-, Valmir Elezi. Ai tha se KQZ është e detyruar që të presë të paktën 48 orë para se të shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.
“Ju njoftoj se sot në orën 21:00 është përmbyllur procesi i numërimit të më shumë se 15 mijë e 500 fletëvotimeve nga votimi me kusht dhe nga votimi i personave me nevoja të veçanta, të cilat njëkohësisht janë fletëvotimet e fundit që numërohen dhe që i takojnë procesit zgjedhor të Zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025. Sipas nenit 105 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, KQZ është e obliguar që të presë të paktën 48 orë para se të shpall rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës. Ky nen, parasheh mundësinë që në PZAP, në një afat brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar, të paraqiten ankesat për administrimin e numërimit që është zhvilluar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, tha Elezi.
Ai shtoi se sot është dita e fundit kur në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka pasur administrim të numërimit të fletëvotimeve, prandaj siç tha ai, edhe ky afat llogaritet nga dita e sotme, 5 mars 2025, ora 21:00. Ndërsa foli edhe për rastin në Vushtrri duke thënë se në përgjigje kërkesës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, gjatë ditës së enjte, KQZ do të bëjë rinumërimin e fletëvotimeve që i takojnë një subjekti politik në komunën e lartpërmendur.
“Në përgjigje të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, gjatë ditës së enjte KQZ do të bëjë rinumërimin e fletëvotimeve që i takojnë një subjekti politik në komunën e Vushtrrisë. Më shumë detaje për këtë çështje, mund t’iu japin në Prokurorinë e Shtetit. Gjatë kohës sa KQZ duhet të presë kalimin e afatit për ankesë në PZAP, do të bëhet rinumërimi i kërkuar i këtyre fletëvotimeve”, nënvizoi Elezi.
Ai theksoi se në rast se palët janë të pakënaqura me vendimin e panelit zgjedhor për ankesa dhe parashtresa çështja mund të shkojë në Gjykatën Supreme.
“Në rast se palët janë të pakënaqura me vendimin e panelit zgjedhor për ankesa dhe parashtresa çështja mund të shkojë në Gjykatën Supreme. KQZ duhet të presë vendimmarrjen e këtyre institucioneve, të zbatojë vendimet eventuale qe dalin pas procesit ankimor dhe pasi të përfundojë këto çështje, KQZ mund të procedojë me certifikimin e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht ta përmbyllë procesin zgjedhor”, përfundoi Elezi.
Numërimi i votave vetëm brenda Kosovës, nxjerr si parti të parë, Lëvizjen Vetëvendosje me 40.90 %, e dyta renditet Partia Demokratike e Kosovës me 22.04 %, pastaj Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.64 %, e Koalicioni AAK-NISMA ka marrë 7.46 % të votave.
Nga votat e diasporës në përfaqësitë diplomatike prin Lëvizja Vetëvendosje me 80.71 %, pas saj është PDK me 7.73 % të votave, LDK-ja ka marrë 7.30 % e AAK-NISMA 1.97 %. Edhe nga votat e diasporës me postë, prin Lëvizja Vetëvendosje me 51.57 % e dyta është LDK-ja me 30.55 %, pastaj PDK-ja me 9.48 % e AAK-NISMA ka marrë 3.23 %.

Enkelejdi i vogël në politikën e madhe
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128