Kryeministria reagon pas shkarkimit të Anuela Ristanit: Tirana e ka kryebashkiakun, është Erion Veliaj

29 August 2026, 17:06 / POLITIKË ALFA PRESS
Kryeministria reagon pas shkarkimit të Anuela Ristanit: Tirana e ka

Kryeministria ka reaguar një ditë pas vendimit të kryebashkiakut Erion Veliaj për t’i hequr kompetencat Anuela Ristanit, e cila ushtronte detyrën e kryetares së komanduar të Bashkisë së Tiranës.

Përmes Drejtoreshës së Agjencisë për Media dhe Informim, Manjola Hasa, Kryeministria ka dhënë qëndrimin e saj për situatën e krijuar në bashkinë më të madhe në vend, duke e lidhur atë drejtpërdrejt me statusin e Veliajt si kryetar i zgjedhur i Tiranës.

Sipas Kryeministrisë, Tirana ka një kryebashkiak dhe ai është Erion Veliaj. Qeveria i referohet vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka rrëzuar përpjekjet për shkarkimin e tij dhe ka lënë në fuqi mandatin e kryebashkiakut të zgjedhur.

Në këtë situatë, Kryeministria thotë se problemi nuk është nëse Veliaj është apo jo kryetar bashkie, por fakti që ai ndodhet në paraburgim dhe për këtë arsye nuk mund ta ushtrojë normalisht detyrën nga zyra e Bashkisë. Kjo, sipas qeverisë ka krijuar një situatë të pazakontë ku kryetari i zgjedhur vazhdon të ketë mandatin, ndërsa drejtimi i Bashkisë është ushtruar nga një kryetar i komanduar.

“Për këtë çështje ka folur Gjykata Kushtetuese dhe vendimi i saj është i qartë:  Erion Veliaj është kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe ushtrimi i mandatit nga ana e vet, nuk është një e drejtë thjesht e tij si i zgjedhur, po është një e drejtë e zgjedhësve të kryeqytetit, e cila cënohet përditë me pasoja jo të papërfillshme në mbarëvajtjen e punëve dhe shërbimeve të Bashkisë Tiranë.”, thuhet në reagimin e Kryeministrisë.

Reagimi i Kryeministrisë vjen në një moment kur bashkia ndodhet sërish në qendër të debatit, pas vendimit të Veliajt për t’i hequr kompetencat Ristanit dhe pa një "emër" konkret se kush do të ushtrojë në vijim drejtimin e institucionit.

Reagimi i Kryeministrisë:

Për këtë çështje ka folur Gjykata Kushtetuese dhe vendimi i saj është i qartë:  Erion Veliaj është kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe ushtrimi i mandatit nga ana e vet, nuk është një e drejtë thjesht e tij si i zgjedhur, po është një e drejtë e zgjedhësve të kryeqytetit, e cila cënohet përditë me pasoja jo të papërfillshme në mbarëvajtjen e punëve dhe shërbimeve të Bashkisë Tiranë.

Ky është opinioni i kryeministrit dhe kjo është një çështje e respektimit të Kushtetutës e të vullnetit të zgjedhësve, tek e cila kryeministri nuk sheh hapësirë për interpretime nga askush.

Sa për “situatën e krijuar” në Bashkinë e Tiranës, ajo është pjesë e konfuzionit që ka krijuar në ecurinë e kryeqytetit të Shqipërisë kyçja e të zgjedhurit në qeli, e cila ka imponuar një qeverisje të Tiranës me vartës në distancë -  një absurd “ligjor” që në Europën demokratike as nuk mund të imagjinohet, e jo më të ndodhë.

 

Po ndodh...