Virna Lisi: Zonja e kinemasë italiane që refuzoi Hollivudin

4 Gusht 2022, 15:47 / MADE IN ALFA ALFA PRESS

Virna Lisi: Zonja e kinemasë italiane që refuzoi Hollivudin
Aktorja e njohur italiane e dashur dhe për publikun shqiptar, Virna Pieralisi lindi në Ankona më 8 nëntor 1936.

Kur familja e saj u shpërngul në Romë ajo ra në sy  të këngëtarit Giacomo Rondinella, mik i familjes, i cili e prezantoi me producentin Antonio Ferrigno i cili i propozoi asaj kinemanë.

Babai i saj ishte kundër por në fund u dorëzua.

Në fillim të viteve 1950 ajo realizoi filmin e saj të parë sentimental që në atë periudhë ky lloj zhanri ishte shumë i pëlqyer nga audienca italiane.

Në vitin ‘50 aktorja mori pjesë në disa komedi si   “Ore 9: Mësimi i kimisë” me Alida Valli dhe Marisa Allasio, “Lo scapolo” me Alberto Sordin dhe në vitin 1956 me rolin e saj të parë dramatik në “Gruaja e ditës”.

Por në ato vite aktorja u bë më shumë e njohur për publikun italian me reklamat për pastën e dhëmbëve Chlorodont, sesa për filmat e saj.

Bukuria e saj ishte e pabesueshme, përsosmëria e tipareve të saj kombinoheshin me një finesë dhe elegancë të rrallë për kinemanë italiane të asaj kohe dhe në vitin 1957 ajo mori disa role kryesore si në filma ashtu dhe në televizion.

Ndër këto mund të kujtojmë "Krim dhe Ndëshkim" për RAI në 1957, "Totò, Peppino dhe fanatikë" në 1958, RAI përsëri në 1959 me "Ottocento" ku luante Virginia Oldoini, kontesha e Castiglione.

 Më 25 prill 1960 ajo u martua me arkitektin Franco Pesci dhe në vitin 1962 lindi djalin e saj të vetëm Corrado. 

Pas lindjes së djalit Virna dëshironte të tërhiqej nga karriera e saj por ishte  bashkëshorti i saj që nuk ishte dakort dhe duke pasur parasysh suksesin, aktorja mori sërish role në filma komedi dhe në teatër.

E vlerësuar në Francë, ajo xhiroi shumë filma me aktorë të famshëm, ku në vitin 1963 iu ofrua një rol në “007 nga Rusia me dashuri” krahas aktorit Sean Connery, por Virna nuk pranoi dhe roli iu dha Daniela Bianch.

Në ato vite ajo ra në sy dhe të Hollivudit i cili ishte  në kërkim të një Merlin Monroe të re.

Aktores i erdhi oferta për një kontratë 6-vjeçare nga Paramount Pictures.

Gjatë karrierës së saj në Hollvud, Virna luajti  "Two aces in the hole" me Tony Curtis dhe "U-112 assault on the Queen Mary" me Frank Sinatra, me të cilin sipas shtypit të atëhershëm kishte pasur një marrëdhënie por që Virna gjithmonë e ka mohuar duke quajtur lajmin si shpikje të gazetave.

Hollivudi megjithatë nuk ishte për të.

Rolet e  "bukuroshe-bjonde-memece" aq të dashur për kinemanë amerikane të kohës nuk i pranoi, donte më shumë role serioze dhe jo si kukull dhe kur në 1968  iu ofrua roli kryesor në  "Barbarella" ku duhej të luante në një pjesë të mirë të filmit me bikini, ajo e refuzoi, e ndërpreu kontratën, duke paguar një gjobë të rëndë dhe u kthye në Evropë.

Në një intervistë, ajo tha se ishte bashkëshorti i saj që e bindi Paramount ta linte të ikte pa pasoja profesionale, duke u thënë se po përpiqeshin të kishin një fëmijë tjetër dhe frika e tyre për të punuar me një aktore shtatzënë e cila mund të linte rolin në gjysmë të rrugës, e bënë kompaninë e xhirimeve të pranonte.

 Në vitin 1965 Virna u shfaq në kopertinën e Esquire, një foto ku ajo shihet duke u rruajtur, por aktorja refuzoi të pozonte për revistën Playboy.

Në mesin e viteve ’60 deri në fillim të viteve ’70 ajo luajti në shumë filma, por asnjë prej tyre nuk ishte i rëndësishëm, përveç rolit në filmin  "Zotërinj dhe zonja" nga Pietro Germi, i vlerësuar me Palmën e Artë në Kanë në vitin 1966.

Më pas ajo vendosi të bëjë një pushim për t’iu përkushtuar familjes.

Në vitin 1977 ajo vendosi t’i rikthehej kinemasë jo me perfeksionin e njëzet viteve më parë por me sharmin e dyzet vjeçares.

Ajo mori pjesë në filmin  "Përtej së mirës dhe së keqes" nga Liliana Cavani ku për rolin e Elisabeth Förster Nietzsche mori Shiritin e Argjendtë për aktoren dytësore dhe Grolla d'Oro për aktoren më të mirë.

Dhe nga këtu çmimet ndoqën njëri-tjetrin, si aktore kryesore në filmat "La cicala" të Lattuada në 1980 dhe "Shko ku të çon zemra" në 1998, por edhe për filma që nuk u pa si protagoniste si p.sh. Mbretëresha Margot" madje edhe për interpretimet e saj në filmat me kasetë si "Sapore di Mare" nga Vanzina. 

Virna Lisi gjithashtu është nderuar dy herë, në vitin 1995 atë të Komandantit (Grada e urdhrave të kalorësisë) dhe në vitin 2003 aktores iu bë nderimi i saj më i lartë nga presidenti i vendit i cili i dha aktores ‘Udhërin e Meritës së Republikës italiane’, nderim i cili jepet për  jepet  në fushën e letërsisë, artit, ekonomisë, shërbimit publik dhe veprimtarive shoqërore, filantropike e humanitare.

Virna gjithashtu vazhdoi të punonte për televizionin deri në vitin 2014 dhe në vitin 2015 filmi i saj i fundit "Latin Lover" nga Cristina Comencini u publikua pas vdekjes së aktores, film i cili u xhirua pak kohë para vdekjes së saj.

Ajo e mbajti gjithmonë larg vëmëndjes jetën e saj private.

Bota e saj ishin bashkëshorti i saj djali dhe tre nipërit.

 Në shtator të vitit 2013 i vdiq i shoqi, pas 53 vitesh martesë dhe për Virnën ishte një goditje që nuk u kalua kurrë nga aktorja.

Në nëntor 2014 ajo u diagnostikua me kancer në mushkëri, pasi kishte qenë gjithmonë një duhanpirëse e rregullt dhe vdiq një muaj më vonë, më 18 dhjetor 2014.

Djali i saj Corrado, duke ditur konfidencialitetin që e karakterizonte të ëmën e tij, ai refuzoi funeralin në Campidoglio dhe funerali i saj u mbajt në famullinë e kishës së San Roberto Bellarmino  ku ajo jetonte, mes njerëzve të zonës që e njihnin atë si grua dhe jo vetëm si aktore. 

 

 

 

Po ndodh...