“ZEMRA” – Një libër që na kujton fëmijërinë

30 Qershor 2022, 12:44 / AKTUALITET ALFA PRESS

“ZEMRA” – Një libër që na kujton

 

Përgatiti Klodi Stralla

Si tani e kujtoj atë ditë dimri të vitit 1961, atëherë fëmijë 10 vjeçar, kur përshkova lulishten gjithë borë “Themistokli Gërmenji” dhe ngjita shkallët prej mermeri të bibliotekës të vetme të  qytetit, për të ndërruar librin e radhës, siç ishte rregulli për gjithë ata abonentë që kishin kartelë regjistrimi pranë saj. Punonjësja e bibliotekës, Kostaqe Dudo, një grua autoritare, që buzëqeshte rrallë, me shtat nën mesatar, rreth të dyzetave, e përkushtuar ndaj librit, ishte jo vetëm një punonjëse shërbimi, por kishte amësinë që  fëmijëve t’iu rekomandonte librat që duhet të lexonin, në përputhje me moshën, seksin, temperamentin apo preferencat e tyre.

Do të të jap një libër që besoj do të pëlqejë dhe nuk do ta heqësh nga dora – më tha me nënqeshjen e saj karakteristike. Nxori nga rafti një libër, që për momentin, munda të kap, në kopertinë, vetëm figurën gazmore të një fëmije dhe mbi të, të shkruar titullin – ZEMRA.

Moshatarët e brezit tim, që tashmë jemi bërë gjyshër, e kemi të lidhur fëmijërinë tonë me disa pak libra që kanë mbetur ende të gjallë në kujtesën tonë. Unë për vete fut këtu libra të tillë si : “Djemtë e rrugës Pal” të Ferenc Molnar, “Udhëtimet e Guliverit” të Jonatan Swift, “Aventurat e Pinokut” e Carlo Collodit apo “20 mijë lega nën det” të Zhul Vernit. Në këtë thesar të letërsisë për fëmijë pa dyshim, për mua, është edhe romani “Zemra” e autorit Italian Edmondo de Amiçis, të cilin desha ta kujtoj sot në 167 vjetorin e lindjes.

U botua për herë të parë në vitin 1886 dhe autori i saj shumë shpejt u bë autori më i lexuar në Itali, në letërsinë për fëmijë. Ngjarjet zhvillohen në Torinon e Italisë të posa çliruar, që kishte nevojë më tepër se kurrë të bëhej një komb i bashkuar. Atë që Garibaldi me shokë e kishin bërë me pushkë, kish ardhur koha që patriotët italianë si De Amiçis ta bënin me pendë. Autori synon të edukojë fëmijët italianë me virtytet civile si dashuria për atdheun, respekti për autoritetin e shtetit dhe të prindërve, shpirtin e  sakrificës dhe solidaritetit, dhembshurinë, si dhe durimin e këmbënguljen për të arritur rezultatin. Romani është ndërtuar si një tregim i një nxënësi torinez të shkollës fillore -Enrico Bottini, me ndodhi e veprimtari të larmishme nga jeta shkollore. Vetëm kush e ka lexuar dhe i kujtohet, mund të më japë të drejtë, për çiltërsinë e vërtetësinë me të cilën de Amiçis hyn në zemrën e çdo fëmije të moshës të Bottinit.

E solla këtë shkrim jo thjesht të evokoj një kohë të shkuar, por të këmbëngul se edukimi i fëmijëve tanë, me libra të kësaj natyre, është i domosdoshëm, ne se duam të krijojmë qytetarë të përgjegjshëm dhe njerëz të ndjeshëm; sfidat që kemi përpara nuk duan vetëm kultivimin e trurit, por mbi të gjitha formimin e një  Zemre të ndjeshme, që rreh përtej interesit të përveçëm.

 

Po ndodh...

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128