Manchester City rrezikon humbjen e titujve dhe përjashtim nga Premier League

Manchester City është shpallur fajtor për pothuajse të gjitha shkeljet financiare për të cilat ishte akuzuar nga Premier League, ndërsa tashmë pritet të përcaktohen sanksionet ndaj klubit anglez.
Sipas burimeve të informuara për çështjen, të cituara nga The Athletic, komisioni i pavarur ka gjetur Manchester City-n fajtor për 114 nga 115 akuzat e ngritura nga Premier League. Vendimi përfundimtar mbi masat ndëshkuese ende nuk është marrë dhe klubi pritet ta apelojë atë, përcjell A2 CNN.
Manchester City u akuzua në shkurt të vitit 2023, pas një hetimi që zgjati rreth katër vjet dhe që lidhej me periudhën 2009-2018. Premier League e akuzoi klubin për mosparaqitje të saktë të informacionit financiar, pagesave ndaj lojtarëve dhe trajnerëve, si dhe për shkelje të rregullave të UEFA-s për Fair Play Financiar dhe rregullave të ligës për qëndrueshmërinë financiare.
Hetimi nisi pas publikimit të dokumenteve financiare të rrjedhura nga Der Spiegel në vitin 2018. Manchester City i ka mohuar vazhdimisht akuzat.

Në një reagim për The Athletic, klubi deklaroi se procesi i Premier League vazhdon dhe se pjesë të rëndësishme të tij ende duhet të përfundojnë. City theksoi gjithashtu se ka respektuar procesin ligjor dhe se ka vepruar me bindjen se organet drejtuese të Premier League do të ishin të pavarura dhe të paanshme.
Çështja mund të ketë pasoja të rëndësishme për klubin. Sipas rregullit W.51 të Premier League, sanksionet variojnë nga një qortim ose gjobë financiare deri te zbritja e pikëve dhe, në rastin më ekstrem, përjashtimi nga kampionati.
Një zbritje pikësh mund të aplikohet për sezonet e ardhshme ose në mënyrë prapavepruese, duke hapur edhe mundësinë e rishikimit të rezultateve të së kaluarës dhe titujve të fituar gjatë periudhës së hetuar.
Manchester City është nën pronësinë e Abu Dhabi United Group që prej vitit 2008 dhe gjatë kësaj periudhe ka fituar tetë tituj të Premier League dhe Champions League, krahas trofeve të tjerë.
Në vitin 2020, UEFA e dënoi klubin me përjashtim dyvjeçar nga kompeticionet europiane dhe një gjobë prej 30 milionë eurosh, por Gjykata e Arbitrazhit Sportiv e rrëzoi pezullimin. CAS konstatoi se disa nga shkeljet e pretenduara nuk ishin provuar ose ishin parashkruar, ndërsa la në fuqi një gjobë prej 8.8 milionë paundësh për mosbashkëpunim me UEFA-n. (A2 Televizion)
Po ndodh...
Rrethimi i Ramës dhe Berishës nga SPAK!
ide
Dashuri në kohën e kolerës, në shtetin e Ramës!
Edi Rama po e keqpërdor Kosovën si lavatriçe për hallet e tij
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128