“Ora zero”/ Mediat greke zbulojnë skenarin ekstrem në rast lufte me Turqinë: Si do të sulmojë Greqia në 24 orët e para

28 September 2026, 19:39 / BOTA ALFA PRESS

Greqia është e përgatitur edhe për skenarin më të keq në Egje: një sulm nga Turqia. Nëse Athina do të vlerësonte se një sulm turk është i pashmangshëm, përgjigjja, sipas skenarit të përshkruar nga analistët ushtarakë grekë, nuk do të ishte pritja, por goditja parandaluese.

Një deklaratë e kreut të Shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes Kombëtare të Greqisë, gjeneralit Dimitrios Houpis, për mundësinë e “goditjeve strategjike parandaluese në thellësi”, ka hapur diskutimin në Greqi për mënyrën se si Athina do të vepronte nëse do të përballej me një sulm të pashmangshëm.

Houpis e bëri deklaratën në dhjetor 2025 gjatë një interviste televizive, duke folur për një qasje që largohet nga mbrojtja tradicionale pasive dhe kalon drejt parandalimit aktiv.

Por si do të dukej kjo në terren?

Tanea.gr, bazuar në analistë dhe burime ushtarake me të cilët ka kontaktuar, ka përshkruar një nga skenarët e mundshëm. Bëhet fjalë për një skenar hipotetik dhe jo për një plan të detajuar të bërë publik nga Houpis.

“Ora zero”, kur Athina do të vendoste se sulmi është i pashmangshëm

Skenari nis me një krizë të zgjatur diplomatike për zonat detare ose kërkimet në shelfin kontinental grek, e cila arrin në pikën kritike.

Turqia nis lëvizjen masive të forcave. Anijet e zbarkimit furnizohen me karburant dhe materiale luftarake dhe vendosen në gatishmëri në portet e Azisë së Vogël, ndërsa dronët dhe raketat balistike Bora dhe Tayfun kalojnë në gatishmëri maksimale.

Sipas skenarit të Tanea.gr, shërbimet greke të inteligjencës, së bashku me të dhënat satelitore të vendeve aleate, zbulojnë se forcat turke kanë marrë urdhrat përfundimtarë operacionalë dhe se ka nisur hipja e marinsave.

Nëse këto të dhëna do të tregonin se kërcënimi është i menjëhershëm dhe i pashmangshëm, Këshilli Qeveritar i Sigurisë Kombëtare do të mblidhej me procedurë emergjente dhe kreu i ushtrisë do të merrte dritën jeshile për aktivizimin e goditjes parandaluese.

Por këtu qëndron edhe rreziku kryesor. Nëse informacionet do të rezultonin të gabuara ose të paplota, vendi që godet i pari rrezikon të konsiderohet ndërkombëtarisht si agresor dhe të humbasë mbështetjen diplomatike.

Goditja para se anijet të dalin nga portet

Faza e dytë e skenarit mbështetet te befasia.

Përpara se forcat turke të largoheshin nga portet apo avionët të niseshin drejt pistave, do të ndërmerrej një goditje e koordinuar elektronike dhe konvencionale.

Hapi i parë do të ishte “verbimi” i kundërshtarit. Sistemet greke të luftës elektronike do të ndërhynin ndaj radarëve, telekomunikacionit dhe stacioneve të drejtimit të dronëve Bayraktar dhe Anka përgjatë brigjeve të Azisë së Vogël.

Në të njëjtën kohë do të ngriheshin avionët Rafale dhe F-16 Viper.

Sipas skenarit të përshkruar nga NEA.gr, avionët grekë, pa hyrë në hapësirën ajrore turke, do të lëshonin raketa me rreze të gjatë drejt pistave të aeroporteve në Dalaman, Balikesir dhe Cigli.

Paralelisht, bateritë greke Spike NLOS dhe Exocet nga ishujt e Egjeut Lindor do të godisnin anijet turke të zbarkimit ndërsa ndodheshin ende në portet e tyre.

Synimi i këtij skenari do të ishte ndalimi i forcës së zbarkimit përpara se ajo të arrinte në Egje.

Po nëse Turqia kundërpërgjigjet?

Vetë analistët pranojnë se asnjë goditje parandaluese nuk mund të eliminojë 100 për qind të forcave kundërshtare.

Pikërisht këtu nis faza e tretë e skenarit: përballimi i kundërpërgjigjes.

Turqia, sipas këtij skenari hipotetik, do të tentonte të përgjigjej kryesisht me raketat dhe dronët që do të kishte ende në dispozicion.

Në këtë moment do të aktivizohej infrastruktura greke e mbrojtjes kundër raketave dhe dronëve. Radarët SeaFire të fregatave të reja greke Kimon, të tipit Belharra, do të koordinoheshin me sistemet Patriot në tokë për të kapur raketat dhe dronët në ajër.

Objektivi: Gjithçka të vendoset brenda 24 orësh

Sipas skenarit të paraqitur nga NEA.gr, synimi do të ishte që përplasja të vendosej në më pak se 24 orë, pa u kthyer në një luftë të gjatë dhe rraskapitëse.

Në skenarin e analistëve, goditjet do të synonin të paralizonin aftësinë e Turqisë për të vazhduar operacionet sulmuese, duke goditur aviacionin, flotën dhe forcat e zbarkimit.

Më pas do të hynte në lojë diplomacia.

SHBA-ja, NATO-ja dhe Bashkimi Europian, sipas këtij skenari, do të ushtronin presion për një armëpushim të menjëhershëm, ndërsa Franca do të aktivizonte klauzolën e ndihmës së ndërsjellë në mbrojtje.

Media greke e bën të qartë se ky është vetëm një nga skenarët e mundshëm operacionalë. Pjesa e detajuar e skenarit, nga objektivat konkrete te mënyra e goditjes, vjen nga analiza e medias dhe burimeve të saj dhe nuk është një plan operacional i bërë publik nga drejtuesit ushtarakë grekë.

Tensionet Greqi-Turqi, çfarë po ndodh në Egje

Skenari publikohet në një kohë kur marrëdhëniet mes Greqisë dhe Turqisë janë sërish nën tension, me mosmarrëveshjet për kufijtë detarë, të drejtat për shfrytëzimin e burimeve energjetike dhe lëvizjet ushtarake që vazhdojnë të përplasin Athinën me Ankaranë.

Një prej përplasjeve të fundit lidhet me zonat e mbrojtura detare. Turqia shpalli në gusht 2026 parqe kombëtare detare, ndërsa Athina kundërshton një pjesë të zonave të përfshira, me pretendimin se ato shtrihen në shelfin kontinental grek dhe bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare.

Një tjetër pikë përplasjeje është doktrina turke “Mavi Vatan”, ose “Atdheu Blu”. Ankara kërkon të forcojë pretendimet e saj mbi zona të gjera detare, ndërsa këto pretendime bien ndesh me qëndrimet e Greqisë për juridiksionin dhe projektet energjetike në Egje, përfshirë parqet eolike në det dhe kabllot nënujore.

Në të njëjtën kohë, Turqia kundërshton afrimin ushtarak të Greqisë me Izraelin. Në qendër është edhe projekti grek i mbrojtjes ajrore me shumë shtresa “Mburoja e Akilit”, i cili mbështetet edhe në teknologji izraelite.

Një çështje e vjetër që vazhdon të ndajë dy vendet është edhe prania ushtarake në ishujt e Egjeut Lindor. Turqia akuzon Greqinë se po militarizon në mënyrë të paligjshme ishujt pranë brigjeve turke, ndërsa Athina këmbëngul se ka të drejtë të mbrojë territorin e saj.

Tensionet janë shoqëruar gjithashtu me lëvizje avionësh dhe dronësh, dislokime trupash dhe aktivitete ushtarake në zonën e Egjeut.

Po ndodh...

ide