Mbi Natyrën e Thellë të Protestës Shqiptare të 2026

6 July 2026, 17:59 / IDE NGA SIDI HASANAJ
Mbi Natyrën e Thellë të Protestës Shqiptare të 2026

Nga Sidi Hasanaj

Çdo revoltë që lë gjurmë në histori mund të lexohet në dy nivele. Niveli i parë është ai i shkakut të menjëhershëm: Një ligj, një projekt, një akt padrejtësie që ndez fitilin. Niveli i dytë është ai strukturor: Çfarë kishte ndodhur prej vitesh në brendësi të shoqërisë që e bëri atë fitil të mjaftonte.

Protesta shqiptare e 2026, ka shkakun e vet konkret: Zvërnecin, "Albanian Files" dhe ndërtimet e shumta në zona të mbrojtura, Ramën dhe Berishën si padronë të politikes prej 35 viteve...

Por ka edhe strukturën e vet të thellë dhe kjo strukturë është shumë më interesante, shumë më e rëndësishme dhe shumë më e frikshme për sistemin, se sa vetë shkaku që e ndezi protesten. 

Gabimi Themelor i analistëve apo politikaneve të PS dhe PD është te leximi që i bën protestes. Shpjegimi qe promovuan në media, ishte i thjeshtë, sipërfaqsor dhe i gabuar:

''Të varfrit u ngritën kundër të pasurve; protestë mbi korrupsionin; protestë kundër arrogancës së një qeverie që s'ka shpjeguar siç duhet projektet e saj në Zvërnec e gjetkë'', sipas analizës së estabilishmentit PS-PD. 

Kjo është klishe e vjetër si analizë, e rehatshme për veshët e Ramës e të Berishës, dhe njëkohësisht krejtësisht e pamjaftueshme. 

Nëse do t'i lexonim protestat shqiptare përmes kornizës marksiste klasike të vendosura te lentet e Arlind Qorit, (siç menduan dhe shpresuan në fillim Rama dhe Berisha se ishte organizatori kryesor), pra proletariati kundër borgjezisë, do ta kishim humbur totalisht thelbin e reaksionit shoqeror që po ndodh. Sepse ata që dolën në rrugë nuk ishin kryesisht të varfërit e thellë, të marxhinalizuarit, ata pa asgjë për të humbur.

Janë diçka tjetër krejtësisht: Protestojne viktimat e vjedhjes kundër vjedhësve. 

Prandaj protesta ka kaq shumë njerëz nga shtresa e mesme dhe profesionistë të lirë. Ndaj dallimi është filozofikisht thelbësor.

Profili i protestuesit shqiptar: I ri, i arsimuar, profesionist ose aspirant profesionist, i aftë për sipërmarrje, me energji krijuese dhe vullnet pune dhe ...i bllokuar.

I bllokuar jo nga mungesa e talentit, por nga mungesa e hapësirës. Hapësira ekonomike, territoriale, ligjore është e zaptuar.

Njerëzit janë të lodhur me vuajtjet e tyre, teksa oligarkia dhe establishmenti i parakalojnë çdo ditë me manifestim të hapur të parasë. Janë të lodhur edhe të vazhdojnë të "protestojnë" vetëm duke bërë valixhen dhe duke emigruar. Se ajo protestë është një formë vuajtjeje, por jo zgjidhje. Kjo nuk do të thotë se çdo protestues i përket këtij profili. Asnjë lëvizje e madhe nuk është homogjene. Por ky grup përbën boshtin sociologjik, që i jep protestës karakterin e saj.

"Shqipëria nuk është për shitje". Çfarë Fshihet Pas këtij Slogani?

Kur dikush dëgjon "Shqipëria nuk është për shitje", reagimi i parë, njesoj si dhe reagimi i Ramës dhe i Berishës është: "Po flasim për kapitalizëm, jo për marksistë antikapitalist. Investimet e huaja janë zhvillim. Çfarë keni kundër zhvillimit" ?

Ky reagim tregon një keqkuptim të thellë, të cilin krijesa politike të formuara nga vetë komunizmi , siç janë Rama e Berisha e kanë të vështirë ta kuptojnë. 

Protestuesit nuk janë kundër kapitalizmit. Nuk janë kundër investimeve. Nuk janë kundër arkitekturës ndërkombëtare, turizmit apo zhvillimit ekonomik. Janë kundër diçkaje shumë më specifike: Kundër modelit ku asetet publike si toka, bregdeti, lumenjtë, pasuritë natyrore , transferohen te oligarkia private, duke i bllokuar të gjithë të tjerëve mundësinë e sipërmarrjes mbi to. 

Janë të lodhur e të rraskapitur duke parë si paratë e trafikut të drogës, eurot e kokainës që vijnë nga Kolumbia hyjnë në ekonominë shqiptare, shtrembërojnë garën e ndershme, blejnë çdo tokë prestigjoze dhe uzurpojnë ekonominë. 

Po rinia shqiptare? 

Ajo lëngon. I ofrohen vetëm vende pune te bizneset e ekonomisë oligarkike apo kriminale, dhe këtij fenomeni i ka ardhur ngopja. 

Formulimi filozofik i saktë i kërkesës së protestuesve nuk është "mos investoni", por është "lënani hapësirë edhe neve të investojmë, të ndërtojmë, të bëjmë biznes mbi pasuritë e vendit tonë". 

Është kërkesë për demokraci ekonomike , jo shpërndarje pasurish, por shpërndarje mundësish dhe aksesi. Ky dallim e bën protestën shqiptare ideologjikisht të sofistikuar dhe unike ne boten aktuale. Edhe kur vetë protestuesit nuk e artikulojnë kështu, ata e shprehin nga brendësia e shpirtit, jo nga teoritë ekonomike. Sepse intuita e tyre është e saktë.

Teoria e Rentës dhe Kapja e Shtetit: 

Shqipëria e Ramës ka ndërtuar një sistem ku ata në pozicionet e favorizuara ne hierarkinë shoqërore përcaktojnë vetë rregullat dhe rregullat i favorizojnë vazhdimisht ata, jo të tjerët. Ligjet ndryshojnë për të lejuar ndërtimin në zona të mbrojtura, por vetëm për disa. Kontratat publike shkojnë gjithmonë tek të njëjtët. Lejet e ndërtimit aprovohen, por vetëm me lidhjet e duhura.

 Kjo nuk është ekonomi tregu. Kjo është ekonomi rente, një sistem ku pasuria krijohet jo nga puna e inovacioni, por nga aksesi i privilegjuar tek burimet publike.

Ekonomistë si Anne Krueger dhe Gordon Tullock e quajtën këtë fenomen "rent-seeking" dhe e konsideruan një nga format më shkatërruese të organizimit ekonomik, sepse shpërblen manipulimin politik dhe dënon sipërmarrjen e vërtetë. Protestuesi shqiptar e di këtë instinktivisht, edhe pa e lexuar teorinë e rentës. E di sepse e jeton. Punon, krijon, mundohet dhe sheh se frytet e punës së tij nuk janë proporcionale me mundin, sepse sistemi anulon meritokracinë dhe shpërblen klientelizmin.

Kjo shpjegon, edhe pse ekonomia e rentës është më e rrezikshme se korrupsioni klasik. Korrupsioni është simptomë; ekonomia e rentës ndryshon vetë logjikën e tregut. Në një treg normal kapitalist, sipërmarrësi investon për të krijuar vlerë. Në një ekonomi rente, investimi më fitimprurës nuk është fabrika, teknologjia apo inovacioni, por blerja e ndikimit politik. Kjo ndryshon sjelljen e gjithë shoqërisë: Kapitali fillon të kërkojë ministrin, jo konsumatorin; fitimi nuk vjen më nga konkurrenca, por nga privilegji. 

Daron Acemoglu dhe James Robinson, në librin e tyre Why Nations Fail, arrijnë në një konkluzion të përafërt nga një kënd tjetër: Kombet nuk bëhen të varfra sepse u mungojnë burimet, por sepse institucionet e tyre ndërtohen për të nxjerrë pasuri nga shumica drejt një pakice.

Kjo është pikërisht arkitektura e përshkruar më sipër për rastin shqiptar. Prandaj protestuesi nuk kërkon subvencion e as lëmoshë. Kërkon që institucioni të mos jetë ekstraktiv. Problemi nuk është vetëm "na vodhën tokën". Problemi është se u krijua një sistem ku çdo mundësi ekonomike, filtrohet përmes pushtetit politik. 

Natyrisht, asnjë shtet nuk është plotësisht ekstraktiv apo plotësisht gjithëpërfshirës. Institucionet reale përmbajnë elementë të të dy modeleve. Pyetja është se në cilin drejtim anon trajektorja e tyre?

Por përtej Lirisë Ekonomike, ka edhe një shtresë më të thellë: Dinjiteti!

Njeriu nuk kërkon vetëm mirëqenie! Kërkon njohje dhe vlerësim!

Kërkon të ndihet se puna, talenti dhe përpjekja e tij kanë vlerë. 

Kur një sistem i thotë vazhdimisht "mund të jesh më i aftë, por pa lidhje nuk ecën", ai nuk prodhon vetëm varfëri. Prodhon poshtërim. Dhe historia tregon se njerëzit shpesh revoltohen më shumë kundër poshtërimit, sesa kundër vetë varfërisë. 

Ka edhe një dallim tjetër që duhet thënë qartë: Dallimi mes pronës private dhe kapjes private të së përbashkëtës. 

Dikush mund ta akuzojë këtë analizë si antikapitaliste. Në të vërtetë, e kundërta është e saktë. Kapitalizmi kërkon pronë private, por nuk kërkon që shteti t'u japë disa aktorëve akses ekskluziv mbi burime publike. Ky pastaj nuk është treg i lirë, është privilegj politik. 

Prandaj protesta nuk është kundër pronës private. Është kundër privatizimit të privilegjit, dallim që shpesh humbet në debatin publik, por që është filozofikisht vendimtar. 

Pierre Bourdieu, sociologu francez, zhvilloi teorinë e kapitalit ... jo vetëm ekonomik, por edhe kulturor e social. Kapitali social është rrjeti i marrëdhënieve, lidhjeve dhe besimit reciprok që mundëson aksesin në mundësi. Në shoqëritë e shëndetshme, kapitali social është i shpërndarë gjerësisht. Në shoqëritë e sëmura, koncentrohet. 

Shqipëria ka ndërtuar një formë ekstreme të koncentrimit të kapitalit social. Jo vetëm pasuritë ekonomike, por edhe vetë rrjetet e mundësisë janë të zaptuara nga pak familje e klane oligarkësh te lidhura me Edi Ramen dhe Sali Berishën. 

Të hapësh një biznes në sektore të begatë kërkon lidhje. Të marrësh një kontratë publike kërkon patronazh. Të ndërtosh në zonë bregdetare, kërkon miqësi me pushtetin. Rezultati është izolimi i plotë i shumicës nga sistemi i mundësive. Individi i talentuar, energjik, krijues por pa lidhje është i dënuar të punojë si skllav i brendshëm, ose të emigrojë. 

Ky emigrim nuk është thjesht ekonomik: Është ikje nga shteti i zaptuar drejt vendeve te tjera perendimore, ku kapitali social është më i shpërndarë.

Protesta e Flamingove është, ndër të tjera, protesta e atyre që vendosën të mos emigrojnë dhe po kërkojnë një arsye për të mbetur. Shoqëritë nuk shpërthejnë kur bëhen të varfra. Shpërthejnë kur kuptojnë se rruga për të dalë nga varfëria është mbyllur. 

Kjo lidhet me atë që sociologjia e quan privim relativ, (relative deprivation): Njerëzit nuk revoltohen thjesht sepse vuajnë, por revoltohen kur binden se sistemi nuk i lejon më të përparojnë, sado meritë të kenë.

Është pikërisht ky mekanizëm, jo varfëria vetë, por bindja se rruga përpara është mbyllur që lidh të gjitha fijet e këtij shkrimi. 

Ekziston edhe një dimension tjetër i protestës, po aq i rëndësishëm, por me natyrë krejt tjetër. Dimensioni i parë ishte i klasës së mesme aspirante, viktimave ekonomike të sistemit. Dimensioni i dytë është i atyre që sociologjia i quan "të margjinalizuarit strukturorë".

Çdo shoqëri prodhon njerëz që sistemi i hedh në periferi. Jo vetëm ekonomikisht, por edhe simbolikisht. Janë ata që ndihen të padukshëm, pa zë, pa vlerë. Jetojnë në skajet e qytetit, fizikisht dhe metaforikisht. Shohin nga dritaret e tyre paradën e suksesit të oligarkisë, makinat e shtrenjta, ndërtesat e larta, fotografitë e Instagramit dhe ndjejnë njëkohësisht neveri e dëshpërim.

Ky lloj margjinalizimi prodhon dy efekte psikologjike, mirë të njohura  në literaturën shoqërore. I pari është humbja e lidhjes me normat e vlerat sociale, ndjesia se rregullat e shoqërisë nuk vlejnë për ty, se ti ekziston jashtë sistemit dhe sistemi jashtë teje.

I dyti ''ressentiment-i'' sipas Nietzsches: Zilia dhe zemërimi i shtypur ndaj atyre që kanë, të kombinuara me paaftësinë reale ose të perceptuar për të vepruar. 

Ressentiment nuk është urrejtje e hapur; është urrejtje e fshehur, e kalbur, që me kohën deformon vetë të margjinalizuarin. 

Protesta i ka përmbysur këto dy procese negative. I ka dhënë protagonizëm atij që ishte i padukshëm. Projektori i vëmendjes publike, për herë të parë në jetën e shumë njerëzve, u drejtua nga ata, jo si objekte mëshire, por si subjekte historike: Njerëz që vendosin, që veprojnë, që ndryshojnë rrjedhën e ngjarjeve. Ky protagonizëm nuk është dekor, është transformues. 

Hannah Arendt thotë se veprimi politik kolektiv , praxis , është forma më e lartë e ekzistencës njerëzore, mënyra përmes së cilës njeriu shfaq unicitetin e vet dhe bën hyrjen e tij në hapësirën publike. 

Protesta i ka dhënë të margjinalizuarit shqiptar pikërisht këtë: Hyrjen e tij dramatike dhe të pamohueshme në histori. 

E ndaj pse është e Pamundur të Kthehet Mbrapa kjo lëvizje dhe revolte?

Ekziston një pyetje praktike dhe urgjente: Çfarë ndodh me të margjinalizuarin pasi protesta të marrë fund? A kthehet në getot e Tiranës, në errësirën e saj, drejt të njëjtës anomi e po atij ressentiment-i? Fizikisht, ndoshta. Por psikologjikisht e historikisht jo. Sepse ka ndodhur diçka e pakthyeshme: Ai e ka parë veten si protagonist. E ka parë se zëri i tij lëviz njerëz, se prania e tij ka rëndësi, se mund të ndikojë rrjedhën e historisë. 

Ky është vetë formimi i identitetit, momenti kur individi lidh vetveten me një projekt kolektiv, me një narracion historik, me diçka më të madhe se vetja. Ky moment nuk zhbëhet. 

Ndryshe nga protestat e mëparshme shqiptare , ku lëvizjet u kanalizuan shpejt nga partitë politike dhe u asimiluan ose u shuan, kjo protestë ka elementë strukturorë që e bëjnë rezistente ndaj kanalizimit: Ka refuzuar eksplicitisht përvetësimin partiak.

Vetë formula "Rama dhe Berisha në burg" është antipolitike par excellence,  sepse refuzon të zgjedhë mes dy palëve të sistemit ekzistues.

Ka krijuar rrjete horizontale, jo hierarki vertikale. Rrjetet horizontale janë shumë më rezistente ndaj presionit institucional, sesa hierarkitë e komanduara nga lart. 

Ka ndërtuar identitet kolektiv: "Ne" kundër "Tyre", ku "ne" nuk është parti, por kategori morale: Ata që refuzojnë sistemin e zaptimit dhe hajdutërisë. 

Modeli Ekonomik Kundër të cilit Protestohet dhe ai që Kërkohet. Protestuesit nuk kanë dokument ekonomik apo program partiak. Por kanë intuita ekonomike të qarta dhe këto intuita kundërshtojnë modelin dominues. 

Modeli i Ramës që është njëkohësisht edhe modeli i Berishës, sepse themelet i kanë hedhur bashkë gjatë 35 viteve të fundit, mund të quhet kapitalizëm oligopolist me kapje shtetërore. Ky model prodhon pasuri por vetëm për pak njerez, dhe prodhon padrejtësi sistemike: Të dukshme, të ndjeshme, të papërballueshme. 

Modeli alternativ, ai që protestuesit e shprehin instinktivisht, pa e formuluar si program është diçka afër kapitalizmit demokratik me treg vërtet të lirë.

Është program i demokracisë ekonomike dhe pikërisht prandaj është i pakuptueshëm si për Ramën, ashtu edhe për Berishën, të cilët operojnë të dy brenda së njëjtës logjikë zaptimi dhe nuk e kuptojnë dot se, mund të ekzistojë një sistem tjetër.

Revolta nuk është thjesht kundër diçkaje. 

Protesta shqiptare nuk ka mbaruar. Protesta do të kujtohet sepse ndryshoi pyetjen themelore që qytetarët shqiptarë i drejtojnë shtetit të tyre: Jo më vetëm “kush qeveris?”, por “çfarë lloj rendi politik dhe ekonomik meriton të ekzistojë?”. 

Këtu fillojnë transformimet që zgjasin më shumë se një qeveri dhe më shumë se një cikël elektoral.

Po ndodh...

ide