NATO rishikon praninë në Kosovë, komandanti Ulutas: Nëse vazhdon stabiliteti, KFOR-i mund të zvogëlojë gradualisht numrin e ushtarëve
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori turk, Özkan Ulutaş, ka thënë se situata e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe se, pas sulmeve ndaj ushtarëve të NATO-s në maj të vitit 2023 në veri dhe rastit të Banjskës, nuk ka pasur incidente me përmasa dhe intensitet të ngjashëm.
Në një intervistë për KosovaPress, Ulutaş ka pranuar se megjithatë ekzistojnë disa çështje të pazgjidhura që mund të ndikojnë në siguri dhe se ato duhet të adresohen
“Mandati im i parë në krye të KFOR-it në vitin 2023 pasoi incidente serioze të sigurisë në veri të Kosovës, të cilat kishin ndodhur më herët gjatë atij viti, përfshirë sulmet e pajustifikuara dhe të papranueshme ndaj paqeruajtësve tanë në Zveçan. Si rezultat i këtyre zhvillimeve negative, KFOR-i u përforcua në masën më të madhe në më shumë se një dekadë, me dislokimin e afro një mijë trupave shtesë”, ka thënë Ulutaş.
Ai ka shtuar se që nga ajo periudhë nuk janë regjistruar incidente të ngjashme për nga përmasat apo intensiteti, por KFOR-i vazhdon të mbetet vigjilent përmes një pranie të dukshme dhe fleksibile në të gjithë territorin e Kosovës.
“Ne monitorojmë nga afër të gjitha zhvillimet relevante që mund të ndikojnë në sigurinë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal, ndërsa mbetemi plotësisht të përqendruar në zbatimin e misionit tonë, në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999”, ka deklaruar ai.
Sipas Ulutaş, me stabilizimin e situatës së sigurisë, NATO-ja do të optimizojë praninë e KFOR-it në Kosovë dhe gradualisht do të përshtatë nivelin aktual të forcave gjatë vitit të ardhshëm.
“Ky proces do të zhvillohet gradualisht dhe në përputhje me kushtet në terren, ndërsa mund të rikthehet në gjendjen e mëparshme nëse zhvillimet e sigurisë e bëjnë të nevojshme. Që nga viti 1999, prania e KFOR-it është përshtatur vazhdimisht në mënyrë që misioni të mbetet i aftë për të përmbushur detyrën dhe t’i përgjigjet zhvillimit të situatës së sigurisë”, ka thënë komandanti i KFOR-it.
Dezinformimi dhe retorika nxitëse, shqetësime për sigurinë
Komandanti i trupave të NATO-s në Kosovë ka identifikuar dy zhvillime që, sipas tij, paraqesin shqetësim për sigurinë: retorikën nxitëse dhe përhapjen e vazhdueshme të dezinformatave.
“Retorika nxitëse dhe përdorimi i vazhdueshëm i dezinformatave janë ndër shqetësimet tona, duke pasur parasysh ndikimin që ato mund të kenë në mjedisin e sigurisë. Për këtë arsye, KFOR-i mbetet vigjilent dhe i pozicionuar mirë në të gjithë Kosovën”, ka deklaruar Ulutaş.
Ai ka theksuar se rruga drejt një sigurie të qëndrueshme është politike dhe jo ushtarake.
“KFOR-i do të vazhdojë të luajë rolin e tij në kuadër të përpjekjeve më të gjera të NATO-s për të mbështetur avancimin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Pikërisht ky dialog është korniza për adresimin e të gjitha çështjeve të mbetura pezull dhe për arritjen e zgjidhjeve që respektojnë plotësisht të drejtat e të gjitha komuniteteve”, ka thënë ai.
Situata në veri dhe komunikimi me Serbinë
Ulutaş e ka vlerësuar të qetë edhe situatën e sigurisë në veri të Kosovës, duke theksuar se KFOR-i mban kontakte edhe me autoritetet serbe.
“Mjedisi i sigurisë në veri të Kosovës është aktualisht i qetë. KFOR-i mban një prani të rregullt, të dukshme dhe fleksibile përmes patrullimeve, pikave të vrojtimit dhe angazhimit me të gjitha komunitetet lokale”, ka deklaruar ai.
Po ndodh...
Berisha plaket "kur do vetë”, por PD po jep shpirt!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128