Berisha plaket "kur do vetë”, por PD po jep shpirt!

31 July 2026, 22:18 / EDITORIAL NGA INDRIT GJYZELI
Berisha plaket "kur do vetë”, por PD po jep shpirt!

Nga Indrit Gjyzeli

Sali Berisha ka cituar në një intervistë në A2 një thënie tironce, "njeriu plaket kur do vetë", duke lënë të kuptohet se ndihet ende i ri për ta drejtuar PD. Por, Berisha nuk arrin të shpjegojë dot gjithë këtë kundërshti popullore ndaj dikotomisë së refuzuar, "Rama-Berisha" në protesta.

Duke shpërfillur një refuzim të gjithanshëm të PD nga qytetarët, Berisha, duket i palëkundur në vijimin e drejtimit të një partie pa drejtim, të një partie që nuk thotë dot më asgjë të re.

Edhe pse është e njëjta parti që ngre kauza të rëndësishme në Kuvend lidhur me korrupsionin apo shkeljet kushtetuese, që denoncon me emra, sërish PD nuk arrin dot të jetë në asnjë qytet të vetëm shqiptar një promotor që qytetarët ta ndjekin. 
Prej kohësh Berisha ka këmbëngulur që t'ia bashkangjisë PD-në protestës qytetare. Por kjo këmbëngulje, në vend të elektrizojë sheshin, ka bërë që një pjesë të tërhiqet. Madje, këmbëngulja e Berishës për prani sa më të madhe të PD në shesh, i ka dhënë Ramës "argumentin" e shumëpritur: "Tani nuk ka më Flamingo, por sorra dhe bufa"- një argument të cilin duket se Rama kishte kohë që e priste për servirje.

Por për Berishën duket se pak rëndësi ka, pasi për të ka rëndësi që PD të ruajë monopolin e opozitës, edhe pse modeli që ai shfaq vetëm sa i jep kohë Ramës të devijojë debatin, të përcaktojë se kujt i përgjigjet e kujt jo. Ky koordinim që tenton të zhvendosë fuqinë e protestës vetëm sa e nxjerr PD-në edhe më të plakur se vetë Berisha.
Megjithatë, do ishte hipokrite të shihnim vetëm përgjegjësinë e Berishës. Plakja është mëshirë e atyre që pranojnë se pa Berishën nuk ka PD, se Berisha është më punëtori dhe se ai është shpresë. Ndaj, përballë zërave të “tredhur”, zërave pa zë në PD, Berisha është në të drejtën e tij të thotë se "Njeriu plaket kur do vetë", pasi ai sheh se sa të plakur shfaqen të rinjtë përballë tij, që duken pa ide dhe vetëm imitues të doktorit./Alfapress.al

Po ndodh...

ide