Në përrallat e ujqërve, gjuetarët janë të këqinjtë

Në çdo përrallë të rrëfyer nga ujqërit, gjuetari është gjithmonë përbindëshi. Ai prish qetësinë, cënon rendin dhe guxon të ndalojë festën e grabitqarit. Ujku nuk e tregon kurrë historinë e deleve të shqyera. Ai flet vetëm për padrejtësinë që i është bërë atij.
As pushtetet nuk janë ndryshe. Çdo pushtet që zgjat më shumë sesa duhet fillon të shkruajë përrallën e vet. Në atë përrallë, populli nuk është sovrani, por rreziku. Qytetari kritik nuk është ndërgjegjja dhe garancia e demokracisë, por armiku i stabilitetit dhe status quo-së. Gazetari që pyet quhet mercenar. Intelektuali që kundërshton shpallet nilhilist. Protestuesi etiketohet si vandal.
Ndërsa ai që hesht, që duartroket dhe që përkulet, shpallet qytetar model. Ata që i mbajnë ison pushtetit janë të adhurueshëm.
Ëndrra e çdo pushteti, (ashtu si e çdo ujku që preferon delet), nuk është të qeverisë njerëz të lirë. Është të administrojë një turmë të bindur, që voton pa pyetur, paguan pa kundërshtuar dhe duron në përjetësi pa u revoltuar. Se pushteti nuk ka frikë nga urrejtja. Pushteti ka frikë nga mendimi dhe vullneti i lirë. Nuk trembet nga britma, por nga pyetja. Nuk shqetësohet nga pakënaqësia, por nga guximi për të thënë "Jo! Mjaft më!".
Prandaj makineria e propagandës punon pareshtur. Agjitpropi duhet të krijojë një realitet ku fajtori është gjithmonë ai që denoncon vjedhjen, jo hajduti; ai që zbulon korrupsionin, jo i korruptuari; ai që kërkon llogari, jo ai që e ka shndërruar shtetin në pronë private. Viktima duhet të duket agresore, ndërsa agresori viktimë.
Realiteti, megjithatë, është mizor me autorët e përrallave, që duan të vënë në gjumë. Se vjen një ditë kur ujku nuk e kontrollon më rrëfimin dhe delet fillojnë të flasin. Madje edhe në tufën e ujqve dhe atyre që u shkojnë pas ngulitet perceptimi se gjuetari nuk është më përbindëshi, por si ai që ndal grabitqarin.
Kështu edhe me njerëzit. Vjen dita që pushteti kupton, ndonëse vonë, se propaganda mund të blejë kohë, por jo të vërtetën.
Gjithsesi, nuk janë popujt që kanë frikë nga pushtetet. Janë pushtetet që kanë frikë nga popujt e zgjuar. Prandaj i shpallin armiq, ngaqë për çdo regjim që ushqehet me bindje, verbëri e nënshtrim, njeriu i lirë është gjithmonë gjuetari që prish përrallën e ujkut.
Po ndodh...
ide
Fundi i iluzionit të diplomacisë
Poliçani është vetëm fillimi i shpërthimit të krizës
Në përrallat e ujqërve, gjuetarët janë të këqinjtë
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128