Në pranga dy ish-drejtorë të Kadastrës Fier dhe Kastriot Hasko, zbardhet skema e tjetërsimit të pronave në Seman

17 September 2026, 10:48 / AKTUALITET ALFA PRESS

4 persona janë arrestuar me kërkesë të Prokurorisë së Fierit, në kuadër të një hetimi për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre.

Mes të arrestuarve janë dy ish-drejtorë të ASHK-së Fier, një specialist jurist i këtij institucioni dhe personi që dyshohet se ka përfituar pronat.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për Ertis Shehun dhe Bardh Kapaj, ish-drejtorë të ASHK-së Fier, P.Ç., specialist dhe jurist pranë këtij institucioni, si dhe Kastriot Hasko i dyshuar si përfituesi i pronave.

Hetimi

Sipas Prokurorisë së Fierit, hetimi është zhvilluar në kuadër të procedimit penal nr. 1026 të vitit 2025, në bashkëpunim me Policinë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier dhe përmes përdorimit të metodave proaktive.

Në kuadër të hetimit janë sekuestruar më shumë se 76 pasuri, me një sipërfaqe totale prej rreth 1143 hektarësh tokë, si dhe 150 mijë euro.

Si dyshohet se u përfituan pronat

Sipas organit të akuzës, K.H. dyshohet se ka përdorur si tituj pronësie dy vendime të falsifikuara të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Fier.

Mbi bazën e këtyre dokumenteve, ai dyshohet se ka arritur të regjistrojë në bashkëpronësi të tij dhe të katër personave të tjerë një sipërfaqe prej rreth 1143 hektarësh, e ndodhur në zonat kadastrale 3301 dhe 3358, në Seman i Ri dhe Sheq Marinas.

Më pas, sipas Prokurorisë, K.H. është paraqitur si bashkëpronar dhe përfaqësues i bashkëpronarëve të tjerë. Përmes një prokure të posaçme që dyshohet se ishte e falsifikuar, ai më pas ua ka shitur tokën dy shoqërive të ndryshme.

Dyshimet ndaj ish-zyrtarëve të ASHK-së

Prokuroria pretendon se ish-drejtorët e ASHK-së Fier, E.Sh. dhe B.K., së bashku me specialistin P.Ç., kanë regjistruar pasuritë në bashkëpronësi të K.H., në kundërshtim me legjislacionin për kadastrën dhe rregullat për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimeve të dyshuara dhe përgjegjësive të personave të përfshirë.

Po ndodh...

ide