Nga Fieri, Vlora dhe Korça, Rama njofton hapjen e 4 universiteteve të reja

13 September 2026, 10:47 / POLITIKË ALFA PRESS

Kryeministri Edi Rama, gjatë podcastit të tij “Flasim”, i cili është rikthyer në sezonin e tij të shtatë, tha se qeveria e tij ka ambicie që të hapë 4 universitete të reja në vendin tonë.

Teksa ishte duke biseduar me mjeken e diplomuar jashtë vendit, Frenki Gjika, Rama zbuloi se së shpejti do të hapet Universiteti Mjekësor i Fierit. Kreu i qeverisë e ftoi mjeken e re që të bëhet pjesë e stafit pedagogjik të këtij universiteti të ri.

Ndërsa tre universitetet e tjera do të jenë në Vlorë, Tiranë dhe Korçë, me këtë të fundit që, sipas kryeministrit, do të fokusohet në teknologjinë dhe inteligjencën artificiale.

Edi Rama: Je kandidate natyrore për të qenë pjesë e pedagogëve të Universitetit Mjekësor të Fierit, i cili do të jetë një universitet ndërkombëtar me reputacion, jo vetëm për studentët shqiptarë, por nga e gjithë bota. Ti do të jesh aty për të mësuar lëndën dhe t’u mësosh kolegëve se sa mirë është të jesh shqiptar dhe sa shumë mësohet që të lëvizin rrugët e Fierit.

Për ta kthyer spitalin e Fierit në Spital Universitar, duhet universiteti dhe ne jemi shumë afër. Kemi filluar bisedimet dhe kemi parë një draft-studim të fizibilitetit që është fantastik. Presim, në fakt, studimin përfundimtar, se është investim i përbashkët. Ne do të vëmë në dispozicion infrastrukturën, kurse ata do të sjellin pedagogët.

Janë 4 universitete. Është Universiteti i Fierit, i cili do të jetë për mjekësinë, Universiteti i Vlorës, i cili do të jetë më i madhi dhe ambicia jonë është ta bëjmë në qendër të Vlorës. Një tjetër është në Korçë, i cili do të jetë një universitet për teknologjinë dhe inteligjencën artificiale, dhe një tjetër në Tiranë

Po ndodh...

ide