Nga Tirana në bregdet: Ku fitohen më shumë para nga dhënia e apartamenteve me qira ditore?

16 August 2026, 14:56 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS
Nga Tirana në bregdet: Ku fitohen më shumë para nga dhënia e

Cilat janë qytetet ku biznesi i qirasë afatshkurtër është më i zhvilluar? Sa fitohet nga qiradhënia sipas muajve me ditë dhe afatgjatë? A ia vlen të blesh një apartament për ta dhënë me qira? Pse leverdia më e madhe është në bregdet dhe jo në kryeqytet.

Harta e qiradhënies afatshkurtër në Shqipëri po zgjerohet përtej destinacioneve tradicionale.

Tirana mbetet tregu më i qëndrueshëm gjatë gjithë vitit, e mbështetur nga udhëtimet për biznes, eventet, vizitat familjare dhe qëndrimet e shkurtra të turistëve që hyjnë ose largohen nga vendi.

Në bregdet, të ardhurat janë më të përqendruara në sezon, por edhe potenciali për tarifa më të larta është më i madh. Durrësi përfiton nga afërsia me Tiranën dhe nga sezoni relativisht i gjatë, ndërsa Vlora, Saranda dhe Ksamili mbështeten te flukset e forta verore.

Në këto zona, një pjesë e madhe e të ardhurave vjetore mund të realizohet brenda pak muajsh.

Qytetet historike, si Berati dhe Gjirokastra, kanë një profil tjetër. Kërkesa lidhet më shumë me turet kulturore, qëndrimet e shkurtra dhe udhëtarët e huaj që lëvizin në itinerare brenda vendit.

Korça tërheq vizitorë në fundjavë, gjatë festave dhe në sezonin e dimrit, ndërsa Shkodra po përfiton nga rritja e turizmit të natyrës, lidhja me Alpet dhe pozicioni si pikënisje për udhëtime drejt Veriut.

Kjo larmi ka krijuar modele të ndryshme biznesi. Disa pronarë japin me qira banesa që i kanë të lira, të tjerë kanë blerë prona posaçërisht për këtë aktivitet, ndërsa është shtuar edhe numri i operatorëve që marrin apartamente me qira afatgjatë dhe i rihyjnë në treg si akomodim ditor.

Fitimi, megjithatë, nuk varet vetëm nga qyteti. Vendndodhja brenda tij, afërsia me plazhin ose qendrën, cilësia e pronës, vlerësimet në platforma dhe aftësia për të mbajtur zënie të lartë gjatë gjithë sezonit janë bërë po aq të rëndësishme sa vetë destinacioni.

Sipas të dhënave të AirDNA, njësia analitike e platformës së qiradhënies Airbnb, të bëra të disponueshme për “Monitor”, nga 27.7 mijë njësi banuese që ishin të listuara për t’u dhënë me qira për 6- mujorin e parë të vitit, pjesa më e madhe e tyre, rreth 37% ishin në segmentin e Vlorë-Sarandës, me 10.2 mijë njësi.

Në vend të dytë është Tirana, me 20%, ose 5.5 mijë apartamente. Vendin e tretë e zë Durrësi, së bashku me Golemin, me rreth 20% (4.5 mijë njësi në Durrës dhe 1.5 mijë në Golem).

Në vend të katërt është Shkodra, që po bëhet një destinacion gjithnjë e në rritje, me 1.4 mijë apartamente që jepeshin me qira ditore mesatarisht në janar-qershor, ose gati 5% e totalit.

Po ndodh...