Arrestimi i vrasësit të Devi Kasmit, i dënuari përjetë do të dorëzohet në Shqipëri, në pranga dhe 2 të tjerë

16 August 2026, 15:36 / AKTUALITET ALFA PRESS

Janë realizuar me sukses arrestimet e 3 shqiptarëve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, të cilët akuzohen për një sërë veprash për të cilat kanë qenë të dënuar nga Gjykata e Posacme në Shqipëri dhe ajo spanjolle. Ndërsa pritet që në vijim të mundësohet procedura e ekstradimit të Hoxhallarit drejt Shqipërisë.

Burime për mediat bëjnë me dije se bëhet fjalë për ekstradimin e tre shtetasve: Bujar Buja, Aurel Hoxhallari, Xhuljano Hoxha.

Hoxhallari rezulton të jetë dënuar përjetësisht pasi në bashkëpunim me një shtetas grek dhe disa të tjerë, të organizuar në formën e një grupi të strukturuar kriminal, kanë vrarë me armë zjarri shqiptarin Devi Kasmi, ngjarje e ndodhur në 2018.

Aurel Hoxhallari akuzohet si personi që ka urdhëruar vrasjen e Kasmit. Ish-efektivi i forcave speciale greke, fillimisht nuk e ka mohuar përfshirjen në ngjarje, duke deklaruar se kishte ardhur në Shqipëri për gjueti, pasi ai dhe miku i tij janë të pasionuar pas gjuetisë.

Nga ana tjetër dhe Defrim Kasmi i njohur ndryshe dhe si Devi Kasmi ka qenë një personazh i njohur për policinë e Tiranës. Shpesh ai ka qenë nën hetim për disa atentate të bujshme të ndodhur në kryeqytet disa vite më parë. Një ndër to ishte edhe ekzekutimi i Franc Konomit në vitin 2010, në vijim të përplasjeve të bandave të rrugës “Bardhyl” në kryeqytet. Derisa me urdhër të Hoxhallarit, u ekzekutua më 29 janar 2018.

Gjithashtu bëhet me dije se është arrestuar provizorisht në Rinas shtetasi Bujar Buja, 43 vjeç, i kërkuar nga autoritetet spanjolle për trafikim të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Ndërkohë, nga Interpol Tirana është mundësuar ekstradimi nga Mbretëria e Bashkuar drejt vendit tonë i shtetasit Xhuljano Hoxha 31 vjeç, lindur në Berat, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në prill të vitit 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”, për rastin e zbuluar dhe goditur më datë 10.11.2022, në fshatin Drenovicë, qarku Berat.

Njoftimi i Plotë i Policisë:

Vijon operacioni policor ndërkombëtar për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, finalizohen 3 faza të tjera të operacionit të koduar “The Wanted”.

-Në Rinas, si rezultat i koordinimit të veprimeve mes Policisë Kufitare dhe Interpol Tiranës, u bë arrestimi provizor, me qëllim ekstradimi, i shtetasit B. B., 43 vjeç, lindur në Gjakovë, Kosovë dhe banues në Amsterdam, Holandë.

Gjykata Qendrore e Instruksionit (Hetimit) nr. 1, pranë Audiencës Nacionale të Madridit/Spanjë, në korrik 2026, ka vendosur ndaj këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Trafikim të lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”, me qëllim tregtimin e lëndëve narkotike, parashikuar nga Kodi Penal Spanjoll.

Nga hetimet e zhvilluara nga Policia Gjyqësore Spanjolle është bërë i mundur identifikimi i një organizate kriminale të qëndrueshme, e cila dyshohet se merrej me trafikimin e kokainës, e vendosur kryesisht në Costa del Sol dhe me aktivitet në zona të ndryshme të territorit kombëtar.

Shtetasi B. B. dyshohet se është implikuar në transportin e lëndës narkotike.

-Në Rumani, autoritetet rumune kanë bërë arrestimin, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë, të shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar A. H., 49 vjeç, lindur në Tiranë.

Shtetasi A. H. ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në prill të vitit 2018, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Vrasje me paramendim”, “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.

Më datë 29.01.2018, në rrugën “Kongresi i Manastirit”, Tiranë, dyshohet se shtetasi A. H., në bashkëpunim me një shtetas grek dhe shtetas të tjerë, të organizuar në formën e një grupi të strukturuar kriminal, kanë vrarë me armë zjarri shtetasin shqiptar D. K.

Në banesat e tyre, Policia sekuestroi 9 armë zjarri, 130 kg lëndë narkotike (kanabis), si dhe një numër të madh bimësh kanabisi.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët spanjollë dhe rumunë, vijon veprimet për finalizimin e procedurave për ekstradimin e këtyre shtetasve.

Ndërkohë, nga Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Londra/Mbretëria e Bashkuar drejt vendit tonë i shtetasit Xh. H., 31 vjeç, lindur në Berat.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në prill të vitit 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”, për rastin e zbuluar dhe goditur më datë 10.11.2022, në fshatin Drenovicë, qarku Berat.

Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rezulton se Xh. H., në bashkëpunim me persona të tjerë, ishte i përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike.

Si rezultat i bashkëpunimit midis Interpol Mançester/Mbretëri e Bashkuar dhe Interpol Tiranës, u bë i mundur arrestimi dhe ekstradimi i tij në Shqipëri.

Po ndodh...