Një Parlament kllounësh!
Nga Sidi Hasanaj
Shqipëria po përjeton një kontekst jashtëzakonisht të veçantë të dialektikës politike.
Shoqëria, në pjesën më të madhe të saj dhe e pavarur nga formacionet partiake, po bën një rezistencë dhe një reagim tepër të madh ndaj Edi Ramës dhe pushtetit të tij në Shqipëri, pushtet që prej 13 vitesh dukej me përmasa të frikshme fuqie, ndërsa sot është tkurrur dhe po mbijeton vetëm sepse nuk ka një alternativë qeverisëse përballë.
Në mes të këtij cikloni mes protestuesve dhe mazhorancës, në skenë dalin, si gjithnjë, palaçot e sistemit politik që janë njëkohësisht edhe kukulla të sistemit oligarkik.
Ndërsa zhvillohet beteja e vërtetë për modelin ekonomik që qytetarët tashmë e refuzojnë, me oligopolet dhe politikanët që marrin vendime si sulltanë, beteja mes SPAK-GJKKO kundër Ballukut, Xhaçkës, Manastirliut dhe, indirekt, vetë Edi Ramës …çfarë ndodh në Kuvend?
Një kllounadë që përpiqet t’ia heqë krejtësisht vëmendjen ciklonit mbi mazhorancën.
Një sharlatan, (Le t’ia japim përkufizimin e duhur), si Agron Shehaj rrëmben për disa minuta një marrëveshje konfidenciale mes Shqipërisë dhe SHBA-së, për financimin prej 302 milionë eurosh të armatimeve nga SHBA-ja, si detyrim yni për të arritur pragun 3% të GDP-së për shpenzime ushtarake.
Përse duhej ta vidhte Agroni këtë dokument konfidencial?!
Ai e kishte firmosur sipas procedurës dhe ishte ulur ta lexonte në sallën përkatëse, pra dokumenti nuk ishte sekret për të; ai do të njihej me të për tre orë, një dokument me pak faqe.
Atëherë pse e vodhi?
Sepse është palaço, kloun cirku që kërkon të tërheqë vëmendjen me lojëra akrobatike. Një burrë që vrapon pasi rrëmben një dokument dhe rrëzon në shkallë një punonjëse grua ,e cila nuk po vraponte pas dokumentit, por për të ruajtur vendin e punës dhe rrogën që i çon fëmijëve në shtëpi.
Kllounit Shehaj nuk i intereson kjo fare. Sytë e tij, me instinkte cirku, kërkojnë vetëm show, akrobaci dhe vëmendje publike.
Çfarë bëri në fund? E dorëzoi vetë dokumentin dhe tha se aty nuk kishte asgjë jashtë ligjit, dhe se do ta ruante konfidencialitetin e tij.
Po atëherë pse e vodhi si hajdut i rëndomtë?
Vetëm për të mos bërë transparencë ndaj publikut dhe për t’ia dorëzuar përsëri qeverisë?!
Nuk kishte nevojë ta vidhte, se ia dhanë vetë ta lexonte, mjaftonte ta lexonte. Klloun!
Nga ana tjetër, Kryekllouni, Edi Rama, e sulmoi Shehajn me gjuhën më kërcënuese. Përse?
Sepse vodhi një dokument që as nuk e nxori jashtë Kuvendit? A do ta çojnë në SPAK për këtë gjest prej klloun!?
Domethënë, një kllounade të Shehajt i përgjigjen me një kllounadë, edhe më të madhe?!
Parlament sugjestionuesish cirku, që duan të trullosin dhe të dehin publikun!
Mandatin, Shehajt ia ka dhënë votuesi. Edi ti nuk mund t’ia heqë për arsye të mos arsye (timit) të tij.
Po ama, Edi, ti mund ta çosh në SPAK çështjen se si Agron Shehaj operon si një bankë që jep para edhe para se të bëhej deputet. Plot 12 milionë euro hua apo fajde, dhe vazhdon t’i japë edhe sot, deri në një total që deklaron prej 28 milionë eurosh borxh ndaj palëve të treta, të cilat NUK I DEKLARON: As kujt ua ka dhënë, as me çfarë kushtesh!
Ke një deputet që operon si bankë krediti dhe nuk deklaron kujt ia jep eurot!
Ti, Edi, duhet të sqarosh edhe përse aksioni i policisë i Tetorit 2022, “LastCall2”, u shndërrua në një maskaradë të madhe:
Në ambientet e marra me qira nga kompania e Shehajt u gjet një dhomë ku krijoheshin miliona euro duke mashtruar europianët me forex dhe mashtrime në bursë. Na sqaro pse, pas 5 ditësh, ky operacion u ritjetërsua, dhe dhoma me mashtruesit brenda u quajt “jo pjesë” e kompanisë së Shehajt.
Kjo edhe pse ishte në të njëjtat ambiente dhe policia e shfajësoi Shehajn pa hetim, pa lejuar prokurorinë të thellohej.
Në vend të kësaj, u more me marrëzira ndërtimi me a pa leje, kur ai ishte thjesht qiramarrës.
Përse e bëre këtë ndihmë ndaj Shehajt, Edi?
Përse po e meron Taulantin Edi? E çon deri në Itali dhe më pas hesht për Shehajn?! Çfarë të lidh me Agronin Edi?!
Agron, ti nga ana tjetër, në vend që të merresh me dokumentin e marrëveshjes me SHBA-në, dil një herë vetë në jetën tënde parlamentare dhe përmend se si në dosjen e Erion Veliajt në SPAK gjenden mesazhe mes tij dhe përfaqësuesve të ‘Ndrangheta-s për të ndërtuar në Tiranë, për t’u futur në inceneratorin fantazmë të Tiranës.
Përse nuk e përmend ’Ndranghetën dhe biznesin e saj në Tiranë?!
Pastaj vijnë “idiotët e dobishëm”:
Gazment Bardhi dhe “nusja” nga fshati, Jorida Tabaku.
Sipas Gazit, marrëveshja me SHBA-në është e paligjshme sepse nuk u zbatua procedura burokratike e votimit në Kuvend, ku duhej që dokumenti t’u dorëzohej deputetëve të paktën 1 javë përpara.
Gazi është thjesht burokrat, asgjë tjetër. Flet për nene, për pika rregulloresh, flet si burokrat dhe mendon si burokrat por kurrë me thelbin, me interesin madhor të kombit. Jo, se nuk e lejon neni 10, pika 5, shkronja “ç” e rregullores së Kuvendit… një klloun burokrat.
Marrëveshja u kërkua të mbyllej me shpejtësi këtë javë në Kuvend nga vetë aleatët tanë, SHBA. Madje na u tha qartë se, po të prisnim edhe 1 javë, votimi do të duhej të bëhej në shtator. Ishte shumë vonë për ta pasi në fakt kjo marrëveshje është dakoryësuar 2 vite para që me administratën Biden dhe kishte afate të cilat Edi Rama i shtyu dinakërisht deri në ditën e fundit. Pra me shumë gjasë, do të dështonte, pasi në shtator ka kushte të tjera ekonomike dhe angazhime të Kongresit Amerikan.
E Gazi zgjodhi që armatimi nga SHBA-ja të shkojë “në djall”, sepse, si burokrat i madh që është, nuk e lejon neni 5, shkronja/grada “zh”, ndërkohë që edhe në vetë Bundestagun gjermanë, marrëveshje të tilla ushtarake me SHBA, janë votuar pa debat.
Një klloun që i shërben Edi Ramës, duke i dhënë të drejtë atje ku Rama nuk ka pse ta ketë fare!
Dhe brenda të njëjtës parti, Jorida Tabaku, përshëndet marrëveshjen me SHBA-në, të kaluar dje në Parlament me votat e PS-së por jo të Joridës, jo të PD-së dhe harron krejtësisht kritikat e vetë partisë së saj për anën burokratike të kësaj marrëveshjeje.
Bën si struci, që fut kokën në rërë dhe harron se trupi, (Qëndrimi politik i PD-së), është zbuluar në sy të publikut dhe të SHBA-ve.
As nuk kërkuan llogari nga Edi Rama për “Albanian Files”, as për dhunën e policisë ndaj protestuesve, as për kërkesat e qytetarëve, as për marrëzinë “Besa” … Na dhanë vetëm një cirk.
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128