Pamje të rënda nga aksidenti me 3 viktima/ BMW-ja e bërë copash, shoferi dyshohet se ishte me shpejtësi

19 August 2026, 09:11 / AKTUALITET ALFA PRESS

Pamje të rënda kanë dalë nga aksidenti tragjik i regjistruar pak pas mesnate në Manzë të Durrësit, ku tre të rinj humbën jetën dhe dy të tjerë mbetën të plagosur.

Sipas të dhënave paraprake automjeti tip BMW me të cilin po udhëtonin pesë të rinjtë, ka dalë nga rruga pasi dyshohet se shoferi 25-vjeçar ka humbur kontrollin mbi mjetin. Si rrjedhojë makina ka përfunduar në një kanal dhe më pas është përplasur me një strukturë betoni në anë të rrugës.

Pamjet e siguruara nga vendngjarja tregojnë qartë forcën e përplasjes. BMW-ja është dëmtuar thuajse tërësisht, duke u bërë copash nga goditja. Nga dinamika e aksidentit dhe gjurmët në vendngjarje, dyshohet paraprakisht se automjeti mund të ketë qenë duke lëvizur me shpejtësi të lartë, por kjo mbetet për t’u përcaktuar nga grupi hetimor.

Përplasja ka rezultuar fatale për drejtuesin e automjetit, K. V., 25 vjeç si dhe për pasagjerët S. B., 26 vjeçe dhe A. M., vetëm 15 vjeç. Tre të rinjtë nuk kanë mundur t’u mbijetojnë plagëve të marra.

Ndërkohë dy pasagjerët e tjerë, R. V., 25 vjeç dhe K. D., 16 vjeç, kanë mbetur të plagosur. Ata janë transportuar drejt Tiranës për të marrë ndihmë të specializuar mjekësore, ndërsa gjendja e 16-vjeçarit raportohet e rëndë.

Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e emergjencës dhe zjarrfikësit, të cilët kanë ndërhyrë për nxjerrjen e personave të bllokuar në automjet dhe për t’u dhënë ndihmën e parë të plagosurve.

Tashmë grupi hetimor po punon për të rindërtuar dinamikën e plotë të aksidentit. Ekspertiza pritet të përcaktojë shpejtësinë me të cilën lëvizte automjeti, momentin kur drejtuesi humbi kontrollin dhe rrethanat e sakta që çuan në përplasjen fatale.

Po ndodh...

ide