Pas porosive për sezonin e ri politik, Rama mbledh sot ministrat dhe drejtuesit politikë të qarqeve te Vila e Kuqe

2 September 2026, 10:45 / POLITIKË ALFA PRESS

Sezoni i ri politik ka nisur me një tjetër mbledhje të strukturave drejtuese të qeverisë dhe Partisë Socialiste. Kryeministri Edi Rama ka thirrur sot në orën 13:00 drejtuesit politikë, ministrat dhe zëvendësministrat në një takim në Vilën e Kuqe në Tiranë.

Në qendër të diskutimeve pritet të jenë detajet e planit të punës për sezonin e ri, pas porosive të dhëna nga Rama në takimin e zhvilluar një javë më parë. Në fokus do të jetë kalendarizimi i nismës “Prania Besnike” në çdo territor, si edhe puna për ndryshimet ligjore që lidhen me platformën “PasqyrAlbania”.

Kjo platformë u prezantua gjatë takimeve dyditore me dyer të mbyllura në Pogradec, ku kryeministri kërkoi që problematikat e qytetarëve të jenë në qendër të axhendës së qeverisë dhe strukturave politike.

“PasqyrAlbania” parashikohet të funksionojë përmes dy mekanizmave, “Flamingo Albania” dhe “Radar”. I pari do të shërbejë për mbledhjen e problematikave dhe ankesave të qytetarëve, ndërsa përmes “Radar” do të ndiqet ecuria e tyre dhe mënyra se si adresohen.

Axhenda politike e kryeministrit do të vijojë edhe të enjten ku në orën 10:00, Rama do të mbledhë grupin parlamentar të Partisë Socialiste në Pallatin e Brigadave, në një tjetër takim ku pritet të përcaktohen prioritetet e socialistëve për sezonin e ri politik.

Kujtojmë se pak ditë më parë prezantoi mekanizmin e ri të komunikimi me qytetarët, i konceptuar si një platformë e posaçme për adresimin dhe ndjekjen e problematikave që mbeten të pazgjidhura nga administrata. “Pasqyra Albania”, është një sistem që synon të sjellë një mënyrë të re të trajtimit të ankesave dhe kërkesave të qytetarëve.

Platforma do të funksionojë përmes dy sektorëve kryesorë, “Flamingo Albania” dhe “Radar”, të cilët do të kenë role të ndryshme në procesin e adresimit të problematikave.

Mesa duket kreu i qeverisë, Edi Rama, është inspiruar nga “Revolucion i Flamingove” për emërtimin e kësaj “dritareje” të re në të cilën të gjithë qytetarët mund të depozitojnë shqetësimet e tyre.

 “Flamingo Albania” do të shërbejë si pikë grumbullimi për problematikat e qytetarëve, veçanërisht për rastet kur kërkesat e tyre nuk kanë marrë zgjidhje nga administrata. Në këtë mënyrë, problematikat do të identifikohen dhe do t’u përcillen strukturave përgjegjëse për trajtim.

Në krah të saj, “Radar” do të jetë mekanizmi i gjurmimit të ankesave. Përmes këtij sistemi, qytetari do të mund të ndjekë në çdo moment statusin e kërkesës së tij dhe të ketë informacion mbi ecurinë e trajtimit të saj.

Synimi është që problematikat të marrin zgjidhje brenda një afati të shkurtër, me objektivin për t’i adresuar ato brenda dy javësh. Platforma pritet të krijojë një komunikim më të drejtpërdrejtë mes qeverisjes qendrore, ministrive, bashkive dhe drejtorive të përgjithshme, duke shmangur zvarritjen e përgjegjësive nga një institucion te tjetri.

 

Po ndodh...

ide