Përfundon sot afati për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, nëse votimi dështon, vendi shkon në zgjedhje

Përfundon sot, më 6 tetor, afati kushtetues 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, afati ka nisur më 8 gusht, pasi në këtë datë kishte përfunduar afati për konstituimin e Kuvendit, dhe duhet të përmbyllet brenda ditës së sotme.
Deri në përfundimin e këtij afati, Kuvendi duhet të zgjedhë kreun e shtetit. Nëse Presidenti nuk zgjidhet, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe Kosova shkon në zgjedhje të reja parlamentare.
Sipas përcaktimit të Gjykatës Kushtetuese, zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditësh nga shpërndarja e Kuvendit. Në rast se institucioni shpërndahet sot, zgjedhjet mund të mbahen më së largu më 15 nëntor.
Çështja e zgjedhjes së Presidentit ka dominuar zhvillimet politike gjatë javëve të fundit, por partitë nuk kanë arritur të sigurojnë një marrëveshje për kandidatin dhe votat e nevojshme.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese erdhi pas kërkesave të deputetëve të PDK-së lidhur me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë. Gjykata përcaktoi se afati për konstituimin e Kuvendit kishte përfunduar më 8 gusht dhe se nga kjo datë nisi të rrjedhë afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit.
Pas zgjedhjeve të 7 qershorit, seanca konstituive e Kuvendit nisi më 6 gusht, por u ndërpre dy herë. Albin Kurti nuk propozoi kandidatin për kryetar të Kuvendit, duke argumentuar se duhej të arrihej paraprakisht një marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit.
Më 8 gusht, kur skadoi afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndërpreu sërish procesin. Lëvizja Vetëvendosje këmbënguli se seanca nuk duhej të vazhdonte pa një marrëveshje paraprake për Presidentin. Kuvendi u konstituua përfundimisht më 13 shtator.
Ndërkohë, pas disa takimeve politike, Kurti dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, njoftuan se kishin rënë dakord për kandidaturën e Bekim Sejdiut për President. Marrëveshja u kundërshtua nga gjashtë deputetë të LDK-së, ndërsa Sejdiu më vonë njoftoi tërheqjen nga kandidatura.
Zgjedhjet e 7 qershorit ishin rezultat i krizës së mëparshme politike dhe pamundësisë së partive për të arritur marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit. Nëse edhe sot dështon zgjedhja e kreut të shtetit, Kosova pritet të përballet sërish me zgjedhje parlamentare, të cilat do të ishin të katërtat brenda dy vitesh.
Po ndodh...
Pasqyra ku nuk shihet asgjë
ide
Faik Konica, Njeriu-Histori dhe Historia-Njeri
Pse Rama nuk jep dorëheqjen?
Kurvat e vërteta të një shoqërie!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
