Lajme flash

Agim Baçi: Ne s’duam Shqipëri Madhështore, por normale! Partitë e reja do jenë befasi, do kenë përfaqësues në Kuvend

14 Prill 2025, 18:38 / POLITIKË ALFA PRESS

Agim Baçi: Ne s’duam Shqipëri Madhështore, por normale!

Analisti Agim Baçi, i ftuar në studion e News 24 komentoi aktualitetin politik në vend.

Baçi tha se është për të ardhur keq që në Shqipëri nuk ka një debat real mes mazhorancës dhe opozitës.

“Nuk ka debat mes mazhorancës dhe opozitës që qytetarët të përcaktojnë se kë të votojnë. Rama nuk ka bërë shumë gjëra dhe nuk jep llogari askund. Opozita është ngushtë, sepse nuk bën dot debat me veten dhe qytetarët e kanë të vështirë të shikojnë se ku është ndryshimi mes atyre që janë në pushtet dhe të tjerëve që duan të vijnë në pushtet”, tha Baçi.

Ai më tej shtoi se shqiptarët nuk duan Shqipëri Madhështore, por një Shqipëri normale.

“Sali Berisha donte të nxirrte në pah një njeri që ishte udhëheqës i fushatës së Donald Trump dhe solli Chris La Civita-në. Por, ideja është që a ngjan ajo që ndodh në Amerikë në raport me atë që ndodh në Shqipëri? Them se vështirë. Ne nuk duam Shqipëri Madhështore, duam Shqipëri normale. Duam një Shqipëri, ku shqiptarët të kenë dëshirë të shikojnë të ardhmen këtu. Nëse e kthejmë vendin në normalitet, do ishte goxha sukses. Normalitet është që politikanët janë për të dhënë llogari para qytetarëve. Rama është arrogant dhe ka shumë që e duartrokasin. Kryeministri Rama e ka personalizuar Partinë Socialiste. Na mungon Shqipëria normale, ku njerëzit të mendojnë sesi të jetojnë këtu”, u shpreh Baçi.

Duke folur për partitë e reja politike, Baçi u shpreh se beson se ata do arrijnë rezultat befasues dhe se do kenë përfaqësues në parlament.

“Partitë e reja duhet të ishin në një pol. Partia Mundësia, Lëvizja Bashkë, Nisma Shqipëria bëhet dhe Koalicioni Euro-Atlantik janë parti që merren në konsideratë dhe nga dy partitë e mëdha, PS dhe PD. Kush hyn në politikë, hyn për qytetarët. Në momentin që hyn në politikë, ti i përket qytetarëve dhe do shikosh interesin e përbashkët. Unë mendoj se partitë e reja do kenë deputetë në parlament dhe do jenë befasi. Diaspora mund të jetë surpriza e madhe. Kryeministri bën spektakël e nuk jep llogari. Ne si popull duhet që të mësojmë që ata që zgjidhen duhet të mbajnë llogari. Duhet bërë presion shumë i madh, që kryeministri të mos jetë kaq arrogant. Duhet debati publik, që njerëzit të shikojnë “përplasjen” verbale live”, deklaroi ai.

 

Po ndodh...