VËZHGIM/ Për çfarë shërbyen Primaret, shumë pakënaqësi e pak frymë?!

6 Mars 2025, 00:44 / POLITIKË ALFA PRESS
VËZHGIM/ Për çfarë shërbyen Primaret, shumë

Primaret nuk bindën! Edhe pse u trumpetuan shumë si procesi më demokratik i mundshëm, praktikisht nuk ka shërbyer për asgjë. Nuk i shuan zërat e pakënaqur, përkundrazi më keq, i shtuan. Por le ta marrim analizën e procesit me radhë për të kuptuar më qartë se ku dhe si çaloi.

Së pari, ishte nënkryetari i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili në një intervistë për Zërin e Amerikës, shprehu që në shkurt shqetësimin se për primaret është vonë. Se përse mendon kështu nuk e artikuloi dot qartë. Pretendonte se gara mund të krijonte destabilitet në parti, gjë që qëndron. Të pakënaqurit mund të lobojnë për kundërshtarin dhe kjo sjell rrezikun e rrjedhjes së votave por nuk shpjegon pse janë vonë?!

Aq më tepër kur kundërshtarët nuk kanë emra dhe aktualisht në terren po bëjnë “pyetësorin” e tyre për të nxjerrë listën e kandidatëve.

“Shqetësimi im lind për faktin se së pari jemi shumë vonë për këtë proces. Pra, jemi shumë afër zgjedhjeve dhe do të duhet të presim, nuk ka akoma rregulla të miratuara dhe do të duhet të presim rregullat dhe atë e kam thënë disa herë publikisht por edhe brenda institucioneve të partisë, që rregullat duhet të jenë të tilla që të mos krijojnë destabilitet në parti, të mos krijojnë përplasje në parti se kjo nuk do të ishte e shëndetshme tre muaj para zgjedhjeve,” – tha Bardhi.

Dhe çdomethënë vonë? Supozohet që një parti që sapo ka kaliar zgjedhjet lokale dhe kërkon të përmbysë një “regjim” të jetë gati në çdo moment. Jo për gjë, por deri para pak muajsh kërkonin zgjedhje të parakohshme.

Ai që mund të konsiderohet edhe numri 2 i PD e mori guximin që ta nisë procesin me kritika, për të mos thënë që ishte kundër. Kundër një gare tek e cila as nuk mori pjesë. I njëjti person, të shtunën foli nga Fieri me elozhe për procesin dhe ishte shumë i kënaqur me pjesëmarrjen.

“Pjesëmarrja masive tregon entuziazmin e demokratëve për të sjellë ndryshimin. Faleminderit me zemër për secilin anëtar të PD që u bë pjesë e këtij procesi,”-shkruante në rrjete sociale duke i harruar pakënaqsitë. Mirëpo kjo nuk është hera e parë që Bardhi mban dy standarte. Edhe pse nuk është i vetmi!

Me sy kritik e panë edhe shumë demokratë të tjerë procesin, por disa ndryshe nga Bardhi&co të cilët nuk ishin “as mish as peshk”zgjodhën të mos ishin fare pjesë e garës. Nuk e tha zëshëm por Helidon Bushati ishte një prej tyre, më i ashpër ishte Ferdinand Xhaferi; kështu që gjetën zgjidhje të mos bëheshin pjesë e 'farsës.'

Ndryshe vepron Adriana Kalaja! Pa dalë akoma rezultati doli me status dhe la të kuptohet se ka dalë e zhgënjyer nga ky proces.

“Sot shprehja se fitorja u takon guximtarëve dhe luftëtarëve, ndryshon në fitorja u takon tradhtarëve".

Në rastin e saj reagimi më shumë mund ti prishë sesa ti ndreqë punë sepse me 153 vota sa grumbulloi e kaloi pragun. Por si ajo dhe shumë të tjerë kërkojnë më shumë!

Shumë më shumë! Ndoshta dhe me të drejtë! Këtë iluzion ia ka ushqyer pikërisht ka pari i Partisë me kushtet që ka vendosur për kandidatët për deputetë. I kërkon 300 regjistrime nga diaspora dhe më pas renditja në listë do të bëhet bazuar në angazhimin politik. Sesi matet ky angazhim politik, në këtë moment që flasim vetëm Berisha e di. Se më shumë padi në SPAK ka dorëzuar Adriana Kalaja se gjithë grupi parlamentar i PD-së. Ka qëndruar në protestë para Bashkisë në shi e diell. Por mesa duket kjo nuk mjafton! I gjithë ky anagazhim, asaj dhe shumë të tjerëve nuk iu përkthye në vota.

Dhe në këtë pikë të zhgënjyerit kanë të drejtë.

Kjo sepse për tu vendosur në një vend në listë duhet një kriter i qartë. O merren për bazë votat, o angazhimi politik. Dhe kriterët s’mund të jenë përjashtuese të njëra-tjetrës. Dikush që nuk i ka votat e demokratëve, do të thotë që nuk ka pasur angazhim politik të mjaftueshëm sepse ndryshe do t’i përkthehej në vota. Fakti që nuk i ka, nuk e meriton! Ose nuk inspiron! Kjo është meritokracia! Por lënia evazive dhe një rregull që përjashton tjetrin lë shumë për të dëshiruar në një garë që supozohet të jetë demokratike. Ndaj dhe ka të zhgënjyer!

Dhe jo vetëm kaq! Veç luftës mes llojit do të duhet të përplasin fort brryllat edhe me aleatët që pa u sprovuar fare mund ti parakalojnë në vendet në garë sepse munden. Ndryshe nga baza e PD, për shkak të marrëveshjeve dhe urave qe Berisha nuk do të djegë; sakrifikohen. Askush nuk e di nëse vërtetë qytetarët e duan Mediun, Idrizin, Dulën në Kuvend. Ata si ngahera do ta kenë karrigën e tyre të sigurtë, pa garë e mund!

Urtë e butë i marrin 8 mandate të sigurta qe ndoshta nuk e meritojnë dhe mbi kurriz të demokratëve. Kjo vërtetë ishtë një garë, por pse u bë? Për të mbyllur gojët e kritikëve se garë ka, për të zhdukur edhe ata pak Bashistë që kishin mbetur pranë Berishës, për të treguar që PD ka struktura dhe po i ringjall? Këtë sot me shumë gjasa nuk e dinë as demokratët./ Versus.al